Stuart Peach emërohet i dërguar i posaçëm i Britanisë për Ballkanin Perëndimor

Londër, 2 dhjetor 2021 – Qeveria britanike njoftoi se Kryeministri Boris Johnson e ka emëruar Sir Stuart Peach të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim thuhet se ky emërim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Sir Stuart Peach, me gradë mardeshal, do ta marrë këtë detyrë pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, të cilën e mban prej vitit 2018.

Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Në njoftim thuhet se si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA e Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.

“Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Boris Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut. Nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”, citohet  Johnson në komunikatën e Qeverisë britanike.

(r.m.)