Studentët sfidojnë Sekretarin Blinken për gjendjen e lirisë së shtypit në botë

Los Anxhelos, 9 qershor 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bisedoi me disa studentë gazetarë mbi gjendjen e lirisë së shtypit në botë ndërsa mori pjesë në Samitin e Amerikave në Los Anxhelos. Studentët ngritën pyetje të tilla si përse Shtetet e Bashkuara angazhohen me vende, që supozohet se kanë vrarë gazetarë, si Arabia Saudite, ndërsa dënojnë vende të tjera – si Kuba, Nikaragua dhe Venezuela – për kërcënimin e lirisë së shtypit. Korrespondentja e lartë diplomatike e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, raporton.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po takohet me një numër homologësh të tij në Los Anxhelos në Samitin e Amerikave. Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar nga samiti Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën. Sekretari Blinken vuri në dukje se 17 punonjës të medias janë vrarë këtë vit në hemisferën perëndimore. Njëmbëdhjetë prej tyre u vranë në Meksikë.

“Asnjë rajon në botë nuk është më i rrezikshëm për gazetarët. Krime të tilla vazhdojnë të ndodhin sepse njerëzit që i urdhërojnë dhe i kryejnë ato, rrallë mbahen përgjegjës duke dërguar mesazhin se këto sulme mund të vazhdojnë pa u ndëshkuar”.

Në një forum me studentë të gazetarisë, sekretari Blinken u pyet përse aleati i ngushtë i Amerikës, Izraeli, nuk është përballur me pasoja për vrasjen e gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh.

“Më vjen shumë keq për humbjen e Shireen-it. Ajo ishte një gazetare e jashtëzakonshme, një qytetare amerikane siç e dini. Edhe në këtë rast ne jemi të vendosur të ndjekim faktet dhe të arrijmë tek e vërteta e asaj që ndodhi. Jo, më vjen keq, me respekt ju them, se faktet e vrasjes ende nuk janë vërtetuar”, tha sekretari Blinken.

Një raport i CNN-it mbi vrasjen, citon dëshmitarë të cilët thanë se gazetarja Abu Akleh u qëllua për vdekje, në atë që dukej të ishte një sulm i ndërmarrë qëllimisht nga forcat izraelite. Izraeli i mohon me forcë akuzat dhe thotë se po heton vrasjen, e cila ka ndezur zemërim dhe protesta.

Presidenti Joe Biden po shqyrton planet për të vizituar Arabinë Saudite, pavarësisht kritikave të ashpra në të kaluarën ndaj Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, duke thënë se do ta izolonte atë për shkak të vrasjes së gazetarit të Washington Post-it, Jamal Khashoggi. Ekspertët thonë se ky është një tjetër rast për të gjykuar presidentin se sa i përkushtuar është ndaj lirisë së shtypit.

“Dëshira për të ulur çmimet e naftës po sjell me të vërtetë një tension interesant, midis asaj që administrata kishte thënë se do të ishte një politikë e jashtme, e bazuar në të drejtat e njeriut dhe një politikë, që i shërben klasës së mesme, ndërsa klasa e mesme në Amerikë me të vërtetë i urren çmimet e larta të karburantit”, thotë Rachel Oswald me Institutin e Gazetarisë “National Press Club”.

Ekspertët thonë se rritja e çmimeve të benzinës ka të ngjarë të jetë një nga faktorët pas ndryshimit të qëndrimit të presidentit Biden për t’u takuar me princin saudit të kurorës.

(Zëri i Amerikës)