Sulm kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore në Malin e Zi

Podgoricë, 26 gusht 2022 – Infrastruktura dixhitale e qeverisë në Malin e Zi është goditur nga një sulm kibernetik “i paprecedentë” dhe janë marrë masa të shpejta për të zbutur ndikimin e tij, thanë autoritetet të premten.

“Disa shërbime u çaktivizuan përkohësisht për arsye sigurie, por nuk është rrezikuar siguria e llogarive të qytetarëve dhe kompanive dhe të dhënat e tyre”, tha ministri malazez i Administratës Publike, Marash Dukaj, në një postim në Twitter.

Zoti Dukaj tha se sulmi, i cili filloi të enjten mbrëma, i ngjante disa të tjerëve të viteve të fundit dhe Mali i Zi, një anëtar i NATO-s, i kishte informuar aleatët e tij për këtë situatë. ‘

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Malit të Zit tha se “metodologjia e sulmit ishte karakteristikë e shërbimeve ruse të zbulimit”.

“Një sulm këmbëngulës dhe i vazhdueshëm kibernetik është duke ndodhur në Malin e Zi”, paralajmëroi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë në faqen e saj të internetit.

“Sulmi mund të përfshijë ndërprerje të shërbimeve publike, transportit (përfshirë pikat kufitare dhe aeroportin) dhe sektorët e telekomunikacionit”, thuhet në njoftim.

Ambasada i këshilloi qytetarët amerikanë që të kufizojnë lëvizjen dhe udhëtimin nëpër Malin e Zi vetëm për gjërat e nevojshme dhe të mbajnë me vete dokumentet e udhëtimit.

Portali “Vijesti” e citoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare që thoshte se sulmi ishte “i paprecedentë”.

Kryeministri në largim, Dritan Abazoviq, e thirri një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten në mbrëmje, për të diskutuar për zhvillimet lidhur me sulmin kibernetik. Zoti Abazoviq tha se sulmi ishte i motivuar politikisht, duke pasuar rënien e qeverisë së tij javën e kaluar.

“Është një çështje shumë serioze. Ky është një sulm shumë serioz. Po e ndjekim nga afër situatën. Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Drejtoria e Policisë dhe Ministria e Mbrojtjes po e ndjekin nga afër situatën. Mendoj se ky është një sulm i motivuar politikisht”, tha zoti Abazoviq.

Hakerët e sulmuan infrastrukturën dixhitale shtetërore të Malit të Zi edhe në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016 dhe përsëri në një hark kohor prej disa muajsh, në vitin 2017, kur ish-republika e vogël jugosllave ishte në prag të anëtarësimit në NATO.

“Aleanca ushtarake perëndimore është në dijeni të raporteve për sulme kibernetike në Mal të Zi dhe e gatshme të ndihmojë autoritetet e saj nëse është e nevojshme”, tha një zyrtar i NATO-s që foli në kushte anonimiteti, për shërbimin serb të Zërit të Amerikës.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)