Sulme me raketa ndaj Aeroportit të Kabulit

Kabul / Uashington, 30 gusht 2021 – Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit të hënën në mëngjes, derisa trupat amerikane po përgatiten të tërhiqen nga Afganistani.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse ato u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.

Nuk është e qartë nëse të gjitha raketat u shkatërruan. Banorët lokalë raportuan se copa të raketave kanë rënë në rrugë.

Nuk ka raporte për viktima.

AP, duke iu referuar dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, raporton se raketat e goditën lagjen “Salim Karvan” pranë aeroportit dhe se shpërthimet u raketave janë shoqëruar me të shtëna armësh.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti amerikan Joe Biden është informuar për sulmin me raketa në aeroportin e Kabulit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se Presidenti Biden i ka urdhëruar komandantët e forcave amemrikane në Afganistan që ”të bëjnë gjithçka që është e nevojshme” për të mbrojtur forcat amerikane në terren.

Biden citohet të ketë thënë se operacionet për evakuimin e forcave amerikane nga Afganistanu kanë vazhduar pa ndërprerje.

(r.m.)

Comment

*