Sulmi i radhës kundër Skënderbeut

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Një deputet i Kosovës ka deklaruar tani se Skënderbeu është një hero i katolikëve dhe se luftërat e tij kanë qenë fetare.
Deputeti përfaqëson Partisë e Drejtësisë, një parti e vogël islamike në Kosovën e pasluftës. Ai dallohet mes kolegëve të tij, se ka lënë mjekër për të siguruar kredencialet e tij në biznesin fitimprurës së politikës e së fundi është duke shkarë drejt skajit në kërkim të vota të rrëshqitshme islamiste në shtetin laik ende të panjohur nga një pjesë e madhe e botës myslimane.
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të revoltuara dhe kritika në opinionin politik të Kosovës, ku ndjeshmëria ndaj pozicioneve ekstreme fetare është rritur shumë kohët e fundit.
Në fakt, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka qenë vërtet një hero katolik dhe organizimet politike të kohës së tij kanë qenë thellësisht fetare. Po historia e Skënderbeut është histori e rezistencës së një populli të vogël kundër pushtimit të një pushtuesi të huaj dhe shumë herë më të madh.
Shembulli i Skënderbeut ka qenë vendimtar në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe ka mbetur një nga frymëzuesit më të mëdhenj të mbijetesës së shqiptarëve kundër të gjitha sfidave të historisë në 200 vitet e fundit.
Deklarata e deputetit antishqiptar nuk bëhet për të vënë në vend një të vërtetë historike, por për të fituar simpatinë e atyre që e mbajnë gjallë financiarisht dhe politikisht partinë e tij. Asaj pjese të sëmurë të shoqërisë kosovare e cila e ka humbur aftësinë të harmonizojë përkatësinë fetare me atë kombëtare.
Skënderbeu jetoi në një kohë tjetër ku shqiptarët që e rrethonin ishin të gjithë të krishterë e shumica katolikë. Myslimanë të konvertuar me dëshirë në kohën e tij ose nuk kishte ose ishin një kuriozitet social. Ai vetë ishte konvertuar pasi ishte marrë peng në Turqi dhe ishte kthyer në katolik kur braktisi pozitën e gjeneralit perandorak duke preferuar misionin e pamundur të prijësit çlirimtar.
Të gjykosh kohën e Skënderbeut me mendësinë e ditëve tona nuk ka shumë kuptim. Aq më pak ka kuptim të thuash se në atë kohë nuk kishte kombe dhe lufta e tij ishte fetare. Sidomos pasi shton që Skënderbeu mund të kishte prejardhje serbe. Tani nëse nuk ka pasur kombe në atë kohë, nuk ka pasur as shqiptarë e as serbë. Pse deputeti islamist ia heq kombësinë shqiptare Skënderbeut po nuk e ka problem t’ia falë atë serbe?
Në kohën e Skënderbeut, ortodoksit sllavë e urrenin kishën katolike shumë më tepër se xhaminë e turkut, po pavarësisht nga kjo ata do ta pranojnë me shumë kënaqësi dhuratën e deputetit islamist, kombësinë serbe të Skënderbeut. Popujt e vegjël të rajoneve si ballkani rrallë u bie një udhëheqës i përmasave kontinentale si Skënderbeu. Serbët, grekët, malazezët, bullgarët, rumunët e jo vetëm këta kanë shprehur të tërë pretendime për ta përvetësuar Skënderbeun. Çdo komb e do pak lavdi në faqet e historisë së tij, sidomos ato kombe me plot faqe të nxira apo të mërzitshme, që nuk guxon t’i rishfletosh për së dyti.
Vetëm mes shqiptarëve e gjen dëshirën për t’ia falur heronjtë dhe epokat të tjerëve. Pastaj habitemi kur bëjmë llogarinë dhe shohim se jemi tkurrur në territoret më të vogla të Ballkanit se jemi copëtuar në shumë shtete e jemi bështyrë shpesh herë pa mëshirë nga historia. Kush nuk e do vetveten nuk ka pse pretendon më ndryshe.
Komenti klishe është se njerëzit si deputeti Gëzim Kelmendi janë një pakicë. Kjo nuk mjafton më si justifikim për shumë arsye. Një pakicë që po rritet nuk është një dukuri kalimtare. Paaftësia për të pajtuar sentimentin kombëtar me atë fetar si po ndodh me një numër të madh myslimanësh shqiptarë është një dështim i rrezikshëm i gjithë shoqërisë. Është po aq shqetësues kënaqësia e disa pjesëtarëve të feve të tjera që shohin vetëlegjitimizim kur nga ky devijim anormal i vëllezërve të tyre myslimanë. Po fatkeqësia e njërit komunitet do të jetë edhe i të tjerëve, se jetojmë mbi të njëjtën çati e fatin e kemi të përbashkët.
Nuk është gjithashtu rastësi që po ky deputet vetëm pak orë më parë ishte i vetmi që kishte pasur paturpësinë që në Kuvendin e Kosovës të ngrihej e të mbronte një imam që fyeu me fjalët më të rënda moralin e femrave të Kosovës, me gjuhë nga ato që më parë publikisht për shqiptarët në Kosovë e kanë përdorur vetëm gangsterët paraushtarakë serbë.
Njerëz si ky deputet e si ky hoxhë, janë ata që po mjelin përfitime politike, financiare e shoqërore, duke shfrtytëzuar frikën dhe mosdijen, besimin dhe çiltërsinë, varfërinë dhe izolimin e shumë myslimanëve të Kosovës. Ata shpesh nuk flasin për mua e për ty, po për adoleshentë të impresionueshëm, për ata që ende nuk llogariten te “pakica”, ajo që shumë shpejt mund të mos numërohet më si e tillë në trojet shqiptare.