Sveçla: Gjithçka gati për regjistrimin e automjeteve me targa RKS

Prishtinë, 29 korrik 2022 – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi të premten se tashmë gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit të automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sveçla e ka bërë këtë deklaratë pas takimit me koordinatorë të Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve, në prag të fillimit të procesit të  regjistrimit të automjeteve me targa jolegale dhe zëvendësimit të ksëtyre targave me targat legale të Republikës së Kosovës, “RKS”.

“Takimi ka pasur për qëllim njoftimin për përgatitjet e fundit që është duke i bërë Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me këtë proces, ku u theksua se tashmë gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit të mjeteve me targa ‘RKS’”, thuhet në njoftimin për media të ministrisë.

Në njoftim bëhet e ditur se ministry Sveçla ka ofruar mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë me qëllim të realizimit të këtij procesi. Ai ka theksuar se me këtë proces përmirësohet siguria në trafik, ulet numri i veturave të paregjistruara dhe përmirësohet siguria e përgjithshme në Kosovë.

Javën e kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme e ka filluar një fushatë informuese për qytetarët për fillimin e procesit. Regjistrimi do të bëhet në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Kosovë dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022.

Gjatë kësaj periudhe qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë shumë lehtësira për regjistrimin e automjeteve me targa “RKS”.

(r.m.)