Sveçla: Radoiçiq është ndër krerët e grupeve që sulmojnë Policinë e Kosovës në veri

Prishtinë, 18 korrik 2022 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmuesit e Policisë së Kosovës në veri të vendit janë të njohur për organet e rendit.  Ai ka thënë se sulmuesit janë pjesëtarë të grupeve që merren me aktivitete ilegale.

“Janë të njohur si individë të kyçur në aktivitete ilegale, herë duke kontrabanduar mallra, herë duke kundërshtuar pjesëtarët e Policisë, e herë duke u paraqitur si kriminelë ordinerë, e herë si struktura paralele, apo një shtyllë e strukturave paralele që merret me intimidimin [frikësim] sidomos të qytetarëve tanë në veri, posaçërisht ata të entitetit serb”, ka thënë Sveçla për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, bëhet fjalë për disa grupe të kontrabandistëve që janë të koordinuara nga institucionet e Serbisë, me qëllim që të pengojnë vendosjen e rendit e ligjit ne pjesën veriore të Kosovës.

“Sulmet është e qartë që janë të koordinuara me qëllim që të pamundësojnë shtrirjen e ligjshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka  thënë ai.

“Lidershipi i Serbisë në vazhdimësi i ka shfrytëzuar grupet kriminale për të minuar Kosovën në atë pjesë, e, si shpërblim, ata u kanë dhënë edhe mundësi për t’u pasuruar, si edhe imunitet pa kufi këtyre individëve”, ka theksuar ai.

Ministri Sveçla ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili është person në kërkim të organeve të drejtësisë lidhur me rastin “Brezovica”, është njëri ndër krerët e strukturave kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës.

 “Millan Radoiçiq është njëri ndër krerët e kësaj strukture. Tashmë ai është i arratisur. Sipas informatave që kemi, ai ndodhet në territorin e Serbisë”, ka thënë Sveçla, duke shprehur bindjen se Radoiçiq do të vihet para drejtësisë.

Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Ndaj Radoiçiqit ka pasur edhe më parë një fletarrestim, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq. Por, ai urdhërarrest është tërhequr pa shpjegim, në mars të vitit 2021.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar disa herë në pjesën veriore të vendit, gjatë përpjekjeve për të parandaluar kontrabandën e mallrave midis Kosovës e Serbisë.

(r.m.)