Sveçla: Serbët e refuzuan zëvendësimin e njësisë speciale me KFOR-in

Prishtinë, 28 shtator 2021 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës e kanë refuzuar ofertën e KFOR-it që ky mision të përkujdeset pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga këto pika.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë edhe në pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta veçse e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, deklaroi Sveçla të martën, në Prishtinë, pas takimit me homologun e tij austriak, Karl Nehammer.

Sveçla tha se e mirëpret ndihmën e KFOR-it dhe të EULEX-it, por theksoi se Policia e Kosovës është e aftë që të sigurojë zbatimin e ligjit.

Ai tha se situata në veri të vendit është e tensionuar por e qetë dhe shfaqi besimin se kjo situatë do të tejkalohet.

“Situata atje është e qetë dhe e kontrolluar. Me ndihmën e shteteve aleate dhe me ndihmën e misioneve aleate, do ta tejkalojmë paqësisht këtë situatë”, tha ai.

Sveçla tha se qëndrimi i policisë kufitare në veri nuk është as provokim dhe as kërcënim për serbët, por është parakusht për mirëqenie në këtë pjesë të vendit.

“Policia e Kosovës qëndron në pika kufitare, por kjo nuk është provokim dhe as kërcënim për qytetarët dhe ligjshmëria në veri është parakusht për mirëqenie”, tha ai.

“E kemi bërë të qartë se angazhimi i njësive tona nuk është bërë drejtuar rrezikimit të interesave, por për të mbrojtur pikat tona kufitare dhe personelin që shërben aty”, shtoi Sveçla.

Të hënën, më 27 shtator, komandanti i misionit tëNATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Franco Federici, njoftoi se ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore për shtensionimin e situatësë së veri të vendit.

Rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak janë të bllokuara prej nëntë ditësh. Grupe serbësh i kanë bllokuar me kamionë dhe me mjete të tjera të rënda kanë bllokuar dy rrugët nacionale pranë këtyre pikave, në shenjë proteste ndaj masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Që fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin, në Jarinjë dhe në Bërnjak po qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Të hënën, më 27 shtator, KFOR-i njoftoi se i kashtuar patrullimet në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici, tha se masat që i ka ndërmarrë kymision në veri të Kosovës kanë për qëllim “uljen e shpejtë të tensioneve” dhe “rivendosjen e mjedisit të sigurt” dhe të “lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Të shtunë, më 25 shtator, në veri të Kosovës kanë ndodhur dy incidente të rënda. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërsa në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil.

Autoritetet e Kosovës e fajësuan Serbinë për nxitjen e individëve dhe grupeve kriminale kundër institucioneve shtetërore të Kosovës.

Autoritetet në Serbi kërkojnë tërheqjen e masës së reciprocitetit dhe të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë si provokim ndaj serbëve të Kosovës dhe është zotuar se Serbia do t’i mbrojë ata, në qoftë se rrezikohen nga forcat policore të Kosovës.

Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia, si kundërpërgjigje, do të ndërmarrë masa kundër Kosovës, por nuk ka saktësuar se për çfarë masash ka menduar ai.

Ditëve të fundit, Serbia e ka rritur praninë e ushtrisë në zonën kufitare me Kosovën dhe e ka ngritur nivelin e gatishmërisë së saj. Në këtë zonë kanë  fluturuar disa herë aeroplanët  ushtarake dhe helikopterët e ushtrisë së Serbisë.

Të shtunën, njësitë ushtarake e policore të Serbisë në afërsi të pikës kufitare me Kosovën në Jarinjë i vizitoi edhe ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Botsan – Karçenko, bashkë meministrit e Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

Karçenko e akuzoi Prishtinën për tensionimin e situatës në veri të Kosovës, të cilën shteti i tij e konsideron si pjesë të Serbisë. Ai shprehur mbështetjen e Moskës për Serbinë. 

(r.m.)

Comment

*