Szunyog: Rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së varet nga reforma në sundimin e ligjit

Prishtinë, 9 nëntor 2021 – Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian varet nga reforma në sundimin e ligjit dhe nga luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.

“Nuk ka rrugë të shpejta drejt BE-së, duhet të implementohen reformat posaçërisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar”, ka thënë ambasadori Szunyog, në tryezën “Raporti i BE-së për Kosovën”.

Szunyog ka thënë se vettingu i paralajmëruar në drejtësi duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme.

“Kemi vërejtur me shqetësim reagimin lidhur me rivlerësimin e gjyqtarëve. Vettingu është një proces që duhet të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se vettingu në sistemin e drejtësisë duhet të jetë në pajtim me standardet evropiane.

Szunyog ka thënë se në raportin e progresit të Komisionit Evropian është konstatuar se Kosova nuk ka bërë progres në përmbushjen e rekomandimeve për administratën publike.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se raporti i progresit përmban pasaktësi.

“Rekomandimet jemi duke i trajtuar me seriozitetin maksimal dhe do të përmbushim pjesën më të madhe të tyre, përfshirë reformën zgjedhore. Raporti nuk ka arritur të ngërthejë zhvillimet deri në momentin e fundit, ndoshta për çështje teknike”,ka thënë Bislimi.

(r.m.)

Comment

*