Tahir Curran Kërrnaja – Ushtari i kombit që u akuzua për vrasjen e Qemal Stafës

Dritë mbi një ndër enigmat e zhvillimeve në të majtën shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore

Nga Veli Haklaj, studjues

Një ndër enigmat e zhvillimeve në të majtën shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është edhe vrasja e Qemal Stafës, më 5 maj 1942, në një bazë ilegale, afër spitalit të Tiranës. Duke qenë një ndër drejtuesit kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe sekretar politik i Rinisë Komuniste Shqiptare, i evidentuar që në fillim si lider i perspektivës për të majtën shqiptare, duke u vrarë në një bazë ilegale që mendohet se u dekonspirua nga shokët e tij të idealit, Qemal Stafa është një personalitet për të cilin janë bërë shumë publikime, por pa sqaruar plotësisht rrethanat e eliminimit të tij.

Menjëherë pas marrjes së pushtetit, udhëheqësit komunistë të Tiranës u kujdesën posaçërisht dhe orientuan organet e diktaturës që të sajonin prova dhe të akuzonin persona të pafajshëm për vrasjen e Qemal Stafës. Ky insistim i oficerëve të Mbrojtjes së Popullit, të Sigurimit të Shtetit dhe prokurorëve e gjyqtarëve të asaj kohe e bën akoma dhe më enigmatike këtë ngjarje.

Dy ndër personat e akuzuar padrejtësisht nga organet e pushtetit komunist për vrasjen e Qemal Stafës ishin Zef Rrok Deda, nga Shkodra, dhe Tahir Curran Kërrnaja, nga Tropoja, të cilët u arrestuan dhe u dënuan si “armiq të popullit”.

Në vijim, po sjellim për lexuesin fakte të konsultuara në dokumentet arkivore për këtë ngjarje.

1. Zef Deda nuk bie në kurthin e “Mbrojtjes së Popullit”

Që në mesin e vitit 1945, strukturat e Mbrojtes së Popullit, në Shkodër, do të sajonin akuza për vrasjen e Qemal Stafës në ngarkim të Zef Rrok Dedës dhe Tahir Curran Kërrnajës. Ndërsa i pari u kap në muajin gusht 1945, i dyti jetonte në malet Malësisë së Gjakovës (Tropojës) së bashku me luftëtarë të tjerë të lirisë, duke punuar për rrëzimin e pushtetit komunist të Tiranës.

Më 23 korrik 1945, me shkresën nr. 683/V, Prefektura e Shkodrës do t’i kthente përgjigje kërkesës zyrtare të Seksionit të Mbrojtjes së Popoullit të Krahinës III (Seksioni II), në Shkodër, ku do njoftonte se “nga burime të sigurta informohemi se Zef Deda, së bashku me të quejtunin Tahir Gashi, ka marrë pjesë në vrasjen e Heroit të Popullit Qemal Stafa … Tahir Gashi tash ndodhet në ilegalitet …”. Kjo shkresë iu dërgue për njoftim Komisionit të Hetimeve në Shkodër, të formuar prej kryetar Shefqet Dibra dhe anëtarë Aristidhi Gjoni (përfaqësues i Ushtrisë Nacional Çlirimtare), Drita Totozani (përfaqësuese e Gruas Antifashiste) dhe Brahim Alija (përfaqësues i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare).

Zef Deda, i biri i Rrokut dhe Karolinës, 27 vjeç, ish-oficer policie, lindur dhe banues në Shkodër, i pamartuem, me seminarturë, më 14 gusht 1945, para Komisionit Hetues do pohonte se “policin Tahir Gashin nuk e njeh, por ai njeh një polic me emen Tahir Kërrnaja, që ky ishte i skuadrës politike, por nuk është e vërtetë akuza që na është bërë, sikurse unë bashkë me atë paskena vra Qemal Stafën. Unë, në minutën kur ka ndodhë ngjarja, kam ndodhun në kazermën e policisë tuj hangër drekën dhe, posa janë ndigjue pushkët dhe bombat, simbas një urdhëni të një marshallit italjan, jemi nisë të gjithë personeli i kuesturës për në vendin e ngjarjes. Kur mbërritëm tek Medreseja, aty gjetëm skuadrën politike të kuesturës bashkë me Milicinë, të cilët na njoftuan se në përpjekje e sipër ishte vra Qemal Stafa”.

Në vijim të pohimeve të tij para këtij Komisioni Hetues, Zef Deda mohoi që të ketë bashkëpunuar me Man Kukaleshin dhe Simon Oroshin.

Kurse në seancën gjyqësore të datës 5 tetor 1945, me trup gjykues kryetar toger Mustafa Iljazi, anëtarë kapiten Namik Qemali dhe Pjeter Daragjati, prokuror kapiten II Aranit Çela dhe sekretar Shaban Dautaj, i pandehuri Zef Deda, i pyetur për akuzën që i bëhej, do deklaronte se “në vrasjen e Qemal Stafës nuk është e vërtetë që kam marrë pjesë, gjë kjo që u faktue edhe në hetimet e Gjyqit Ushtarak të Tiranës. Unë nuk di se kush ka marrë pjesë në vrasjen e Qemal Stafës …”.

Edhe avokati mbrojtës Myzafer Pipa, pasi do evidentonte faktin se për të pandehurin Zef Deda mungon akt – akuza e rregullt, që duhej të ishte formuluar nga procesi relativ i Hetuesisë, do theksonte se “për shërbimin në Tiranë, të pandehurit i hidhen akuza që nuk kanë asnjë saktësi e asnjë vërtetësi. Akuzohet sikur të ketë gisht në rrethimin e Qemal Stafës. Nuk do shtyhemi gjatë t’i komentojmë këto akuza, mbasi ato rrëzohen vetvetiu. Vetëm theksojmë se i pandehuri u dërgue apostafat në Tiranë, por hetuesia e atjeshme nuk konstatoj as fajin më të vogël rreth këtyre akuzave. Na rezulton pra se në Tiranë Zef Deda na del i pastër…”.

Siç rezulton nga akuzat e paraqitura nga Prokuroria, nga hetimet në Komisionin Hetues në Shkodër dhe në Gjykatën Ushtarake në Tiranë, dhe nga procesi gjyqësor i zhvilluar në Shkodër, skenari ishte përgatitur që të implikonin Zef Dedën dhe persona të tjerë për vrasjen e Qemal Stafës, ose minimumi, të mbështenin akuzën e sajuar për implikimin në këtë vrasje të Tahir Kërrnajës, gjë që nuk e realizuan.

Ndërkohë, më 6 tetor 1945, Zef Deda, për akuzat e tjera si “armik i popullit”, u dënue me 10 vjet burg punë të rëndë, me bjerjen e të drejtave civile e politike baras me kohën e ndëshkimit, si dhe konfiskimin e pasunisë së tundshme dhe të patundshme të tij.

2. Procesi hetimor – gjyqësor i Tahir Curran Kërrnajës

2.1 Tahir Curran Kërrnaja rrëfen momentet e vrasjes së Qemal Stafës

I arrestuar më 25 shtator 1946, Tahir Curran Kërrnaja do të përballej me seancat e pyetjes zyrtare, më 3 dhjetor 1946, në Seksionin e Sigurimit të Shtetit, në Kukës. Pas seancës së parë të pyetjes nga kapiten I-rë Beqir Ndou, u pa e nevojshme dhe u rithirr duke u pyetur nga oficeri Pilo Shanto posaçërisht për akuzën e vrasjes së Qemal Stafës. Me cilësinë e të pandehurit, Tahir Curran Kërrnaja deklaroi sa poshtë vijon:

“Sikundër kam deklaruar dhe në proces-verbalin tem të parë, kam qenë gjatë kohës së okupacionit Italjan për shumë kohë në shërbim të kuesturës-policisë në Tiranë, me gradën kapter i II-të dhe më vonë kapter i I-rë.

Gjatë kohës që kam qenë me shërbim në Tiranë e gjetkë, nuk kam marrë pjesë në arrestime, torturime e rrethime kundra njësiteve partizane të vendeve ku kam qenë, veçse në rrethimin që është bërë në Tiranë, afër spitalit, më datë 5 maj 1942, ku u rrethua dhe u vra Qemal Stafa.

Ka qenë ora 11.30 me 12 dhe, ndërsa qemë tue ngrënë bukë, ka ardhur e na ka lajmërue një polic, se duhet të shkonim në një rrethim, dhe neve menjëherë kemi hypun në një kamjoçinë ku, përveç ne të katërvet që shkuem së bashku, gjetëm dhe pesë policë të tjerë, ndërmjet të cilëve qe toger Man Kukaleshi, një i burgosun, polici civil Sytki Toptani, reshter Jani Kristo, kapter Xhelal Peza, reshter Refik Dardha dhe të tjerëve nuk ua mbaj mend emrat, por gjithsejt qemë 9 (nëntë) veta.

Me makinë kemi shkuar deri në shtëpinë ku do ta rrethonim dhe, mbasi kemi zbritur, tre policët hynë në oborr të shtëpisë dhe, pa u kompletuar rrethimi i shtëpisë, plasi pushka, meqenëse ata që ishin brenda iken.

Unë nuk di se kush ka qëlluar dhe sa herë dhe, për më tepër, nuk e di se kush me dorën e tij e ka vrarë Qemalin. Mbas nji çerek ore që filloj përpjekja, ka ardhur nji maqinë e madhe me policë dhe mbasi u bëmë shumë nuk mund të kuptoheshe.

Unë për veten time nuk është e vërtetë që të kem qëlluar dhe pse qeshë me nëntë policët e parë që banë rrethimin, mbasi, me qenë se takova i veshun civilë, nuk mora dot armë të gjatë, veçse revolverin.

Ndërsa po bëhej ndeshja, mue më prunë nji vajzë, e cila kishte qenë së bashku me Qemalin, dhe ishte kapur prej shokëve të mij. Kësaj unë nuk i dhashë mundësi për të ikur, meqenëse ajo nuk ishte në gjendje, po i kishte rënë të fikët.

Në lidhje me këtë rrethim, për aktivitetin dhe vëmendjen që treguan për vrasjen e Qemalit, të nëntë vetat që qenë të parët atje u graduen, dhe për këtë unë mora gradën kapter I-rë nga i II-të që isha.

Unë nuk jam interesue të pyes se kush e ka dhënë këtë informatë, veçse udhëheqës për në shtëpi ka qenë Sitki Toptani.

Përsa përmenda më sipër nuk kam tregue në proces-verbalin tim të parë, sepse nuk më është pyetur nga ju.”

2.2 Akuza e Prokurorisë Ushtarake

Prokuroria Ushtarake e Zonës Ushtarake të Shkodrës, në Kukës, me akt-akuzën e saj me nr. 356, datë 26 gusht 1947, i solli Gjykatës Ushtarake aktet hetimore kundra të pandehurit Tahir Currani, nga Kërrnaja, Tropojë, për fajin se: “gjatë okupacionit nazifashist ka qenë në shërbim të xhandarmërisë kuislinge, ku ka marrë pjesë në kontrolle, arrestime dhe torturime që u baheshin elementave të Luftës Nacionalçlirimtare dhe për meritë shërbimi është gradue kapter i dytë. Në majin e vitit 1942, kur Heroi i Popullit Qemal Stafa është rrethue në afërsi të spitalit të Tiranës, ai ka marrë pjesë aktive në vrasjen e tij dhe për këtë aktivitet është gradue kapter i parë i kuesturës fashiste. Mbas çlirimit të Shqipërisë, ka marrë rrugën e arratisë dhe tue u bashkue me kriminelat e tjerë t’arratisur kan organizue mbledhje të ndryshme në të cilat janë marrë vendime me rëndësi për kryengritje me armë kundra pushtetit të sotëm dhe ku është caktuar si komandant. Ka qenë dora e djathtë e kriminelit Tahir Hoxha. Faj ky që parashikohet prej nenit 3, paragrafit 3, 4, 7, 8 e 14, të Ligjit 372.”

Këto akte u regjistruan nën nr. 351 të Regjistrit Themelor dhe për ditë gjyqi u caktue data 29 gusht 1947.

2.3 Procesi gjyqësor

Më 29 gusht 1947, ditën e premte, ora 9.00, para dreke, në Kukës, u formue trupi gjykues me kryetar kapiten I Misto Bllaci, anëtarë kapiten II Pertef Alizoti dhe aspirant Kristofer Martiro, prokuror kapiten Namik Qemali, sekretar Shaban Qamil Dautaj, avokat Dhimitër Pogaçe.

I pandehuri, Tahir Curran Kërrnaja, tha se akuza në përgjithësi është e vërtetë. Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksionin e Sigurimit të Shtetit, në Kukës, dhe i vërtetoi. Kurse deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit kryesor për akuzën e vrasjes së Qemal Stafës, Tahiri nuk e pranoi duke deklaruar prerazi së nuk është e vërtetë.

Nga ana e tij, prokurori kërkoi aktet për shqyrtim dhe shtyrjen e gjyqit për një ditë tjetër.

Më datën 30 gusht 1947, ditën e shtunë, para dreke, në Kukës, trupi gjykues u formua si më parë. Prokurori bëri pretencën me shkrim dhe përfundimisht kërkoi cilësimin fajtor të të pandehurit simbas nenit 3, paragrafi 3, 4, 7, 8, të Ligjës nr. 372, dhe në bazë të nenit 4 të po kësaj ligje kërkoi dënimin e tij me vdekje.

Mbrojtësi i të pandehurit avokat Dhimitër Pogaçe bëri mbrojtjen me shkrim, e cila, mbasi u këndue, u bashkue me aktet relative.

Pas argumentave mbrojtës për të pëndehurin, avokati Pogaçe, duke pasë parasysh se i pandehuri ishte i pasqaruar dhe meqënëse nga ana tjetër ishte dorëzue brenda afatit të thirrjes së Presidiumit për me u dorëzue, kërkoi që trupi gjykues të ketë parasysh këto rrethana, kurse caktimin e dënimit e la në ndërgjegjen e tyre dhe të paktën të ndjenjave të tyre të peshuara mirë.

Po më datën 30 gusht 1947, trupi gjykues, mbasi shqyrtoi aktet dhe bisedoi çështjen në tërësi, konstatoi se fajësia e të pandehurit ka dëmtue rëndë interesat e popullit dhe të pushtetit të tij dhe, si e tillë, parashikohet prej nenit 3, paragrafit 3, 4, 7, 8 e 14, të ligjës nr. 372, dhe dënohet prej nenit 4, të ligjës nr. 372, “Mbi fajet kundra Shtetit dhe Popullit”.

Megjithëse gjatë procesit gjyqësor nuk u provua fajësia e tij, në vendimin e trupit gjykues citohej e plotë pjesa e akt-akuzës së prokurorisë sipas së cilës “në majin e vitit 1942, kur Heroi i Kombit Qemal Stafa është rrethue në afërsi të Spitalit të Tiranës, Tahir Currani (Kërrnaja) ka marrë pjesë aktive në vrasjen e tij dhe për këtë aktivitet është gradue kapter i parë i Kuesturës fashiste”.

Për këtë arsye, gjykata, mbasi studioi të kaluarën dhe të ardhmen e tij, me vota të përbashkëta, konform kërkesës së prokurorit, e cilësoi të pandehurin fajtor dhe, në bazë të nenit 4, të ligjës së sipërme, e dënoi Tahir Curran Kërrnajën me VDEKJE, por, duke marrë parasysh se ai ishte dorëzue brenda afatit të caktuar nga amnistia e Presidiumit të Kuvendit Popullor, këtë gjykata ia cilësoi shkak lehtësor të rëndësishëm dhe dënimin e tij, nga me vdekje, ia ktheu në privim lirie dhe punë të detyrueshme për jetë, duke vendosur njëkohësisht dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme.

2.4 Lehtësimi shpirtëror i Tahir Kërrnajës

Siç del nga analiza e dokumentave arkivore për këtë ngjarje, as në procesverbalin e pyetjes së të pandehurit Tahir Curran Kërrnaja, as në tërësinë e procesit hetimor gjyqësor të tij nuk sillen prova dhe fakte për akuzën e paraqitur në vendimin e Gjykatës Ushtarake të datës 30 gusht 1947, për vrasjen e Qemal Stafës. Por kjo akuzë – brengë do ta ndiqte pas luftëtarin e lirisë, Tahir Kërrnajën, në SHBA, në jetën aktive të tij në funksion të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.

Publicisti Dalip Greca, në shkrimin e tij “Vdekja e paralajmëruar e Babë Tahirit, ushtarit të kombit, lajmëtarit të lirisë”, publikuar në gazetën Illyria (SHBA), më 6 – 9 shtator 2002, përsa i përket akuzës së bërë Tahir Kërrnajës për vrasjen e Qemal Stafës, evidenton faktin se vetë Babë Tahiri e quante “akuzë absurde dhe se e kishte ndjerë veten të lehtësuar, kur i kishin sjellë një revistë nga Tirana, në të cilën Enver Hoxha, sipas revistës, ishte protagonisti i asaj vrasje dhe emri i Babë Tahirit nuk përmendej në atë vrasje kurth.” Në gjyqin e Kërrnajës, shumë dëshmitarë provuan pafajësinë e tij, kështu që dënimi u ul në masën e 10 vjetëve.

II. Tahir Kërrnaja jetën dhe veprën e vet ia kushtoi kombit dhe Atdheut

1. Tahir Kërrnaja bashkohet me Çetat e Pezës

Nga seancat e pyetjes në Seksionin e Sigurimit të Shtetit dhe procesi gjyqësor në ngarkim të Tahir Kërrnajës, mësojmë dhe faktet për jetën dhe momentet kryesore të tij deri në daljen nga burgu. Ndërkohë që në këto dokumente evidentohen fakte me interes dhe për disa nga aktorët kryesorë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para më pas.

Tahir Curran Kërrnaja, u lind në Gash të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në vitin 1917, në një familje me tradita të spikatura patriotike dhe atdhetare. Mbaroi katër klasë bujqësie në Shkollën Teknike Tiranë, në vitet 1935 – 1938. Mbas okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ka shkue në Itali, në Kaserta, ku kreu kursin për Kuestor dhe është kthye në Shqipni me detyrë polic i Sigurimit Publik, në skuadrën administrative. Më vonë u gradue kapter i II-të dhe pastaj kapter i I-rë.

Gjatë viteve të studimit ai u njoh me shumë studentë nga Kosova, të cilët ranë për çlirimin e Kosovës, si Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xheladin Hana etj. Kjo kishte ndikuar që ai, pasi iku nga policia e Tiranës, më 1943, të shkojë në çetën e Xhevdet Petrelës. Aty qëndroi katër muej si partizan. Më vonë, me urdhërin e Mustafa Gjinishit, shkon në Pezë, ku ka ndejtë deri më 23 shkurt 1944, në çetën e Nuz Hakrames e Mahmut Agollit me pseudonimin “Xheku” dhe ka qenë togë-komandant.

Pas tradhëtisë së komunistëve shqiptarë, të cilët u nënshtruan dhe u kthyen në një filial të Partisë Komuniste Jugosllave, Tahiri vendos të largohet nga çetat partizane, gjë për të cilën priste vetëm rastin. Në Gurë të Bardhë sëmuret rëndë dhe merr leje me shkue në Tiranë. Në terrorin e 4 shkurtit iku nga spitali dhe shkon në Gurë të Bardhë, ku ka ndejtë 10 ditë me Mustafa Kaçaçin. Prej Gurit të Bardhë shkon në Farkë e prej këndej në Bulticë dhe pastaj në Ziher. Në Ziher takohet me kolonelin anglez që kishte qenë më përpara në Pezë. Pasi i sqaron rrethanat e tij, koloneli anglez i kërkoi që të rrinte aty dhe ta ndihmonte. Prej këndej, bashkë me kolonelin, shkojnë në Macukull të Matit e pastaj kthehen prapë në katundin Shupal të Tiranës, duke kaluar më pas në Shëngjergj, e pastaj anglezët ikin për në Jugosllavi. Njëri prej këtyre oficerëve anglezë, majori Nil, qëndroi në Shupal dhe Tahir Currani rrinte me të. Majori Nil i thoshte Tahirit se është njëlloj me ndejtë si me mue edhe me partizanët. Gjatë kësaj kohe anglezët janë takue rrgullisht me Abaz Kupin në Shupal të Tiranës.

2. Në Malësinë e Gjakovës dhe në Shkodër me çetat nacionaliste

Nga Shupali majori Nil dhe Tahir Kërrnaja janë nisë për në Nikaj të Malësisë së Gjakovës. Majori anglez Nili duke udhëtuar nëpër Mirditë është takue me Mark Gjon Markaj. Në Nikaj, Tahir Currani me majorin Nil kanë ndejtë në Ashtë të Mërturit me Nik Sokolin. Me ta ishte edhe Ramë Mujë Hoxha, drejtuesi i çetës së parë me synime antifashiste në Shqipëri. Aty vinin paritë e Nikaj – Mërturit. Nik Sokoli dhe Ramë Muja mbanin fjalime për Zogun. Si përkthyes ka qenë një italian napoletan dhe Elez Gashi. Prej këndej nga Ashta shkojnë në bjeshkët e Nikaj dhe aty qëndrojnë një muaj. Anglezët hidhnin material veshëmbathje, ushqim për vete dhe ca mitraloza, por luftë nuk bënin. Ata thonin se ishin për informata, se ku ndodheshin forcat partizane e materiali i tyre.

Prej bjeshkëve të Nikajt kanë shkue në Cukal. Aty kanë ardhë me u takue me ta shumë njerëz, si Jup Kazazi, Faik Çuku, e plot të tjerë të Ballit Kombëtar. Kapiteni Hilerdin rrinte vazhdimisht me Jupin. Ballistat thojshin: Ballistat do ta marrin Shqipërinë, as Zogistat me Monarki, as Nacionalçlirimtarja me komunizëm nuk do të fitojnë.

Më vonë majori anglez, mbasi i dha material Jup Kazazit, u nisën bashkë me të për në Shkodër. Kapiteni mbas dy ditëve ka ikë me Faik Qukun.

Tahir Kërrnaja mandej hyn në Shkodër dhe është takue tek posta e Drishtit me Nik Sokolin. Ai e fton të bashkohet me të, por Tahiri refuzon. Në Shkodër Tahiri rrin tek Hani i Salo Kalit, me një emër tjetër.

3. Në Malësinë e Gjakovës dhe Kosovë me luftëtarët e lirisë

Prej Shkodrës Tahiri niset për Malësi të Gjakovës (Tropojë), para se me hy partizanët në Shkodër, dhe ka ndejtë tek shtëpia e Sali Beqës në Junik, i cili ishte i arratisun. Prej Junikut ka ikë tek Dan Peqini në Plavë, përtej Kershit të Vujkut, dhe deri në pranverë qëndron aty, mbasi kishim ba një gropë në dhe. Mujë Aliu ka ardhë kur ka dalë vera dhe u thotë se u kërkon Ramë Muja në bjeshkë të Koritës e aty janë takue me Ramën. Ramë Muja u thotë se do të bajmë çeta me luftue kundër partizanëve. Pas ftesës së Ramë Mujës, Tahir Currani bashkohet me çetën e tij. Një muej ditë kanë qëndrue bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës.

Mandej kanë kalue në stanet e Shipshanit e në stanet e Berbatit, te stani i Brahim Deliut. Në ditët në vijim kanë qëndrue në fshatrat e Tropojës: Berbat, Kërrnajë, Begaj, Rrogam. Prej Rrogamit shkojnë në Bytyç ku takohen te Ura e Helshanit me Myftar Dinen, nga Rrethet e Gjakovës. Prej këndej kanë hy në Rekë (Kosovë) e pastaj kanë dalë në Kersh të Brovinës ku janë takue me Dan Peqinin. Nga Kershi i Brovinës kanë shkue në Sulbicë e Dobërdol. Tahiri bashkohet prapë me Dan Peqinin në rrethe të Plavës, vetë i shtati, dhe bëjnë një stan afër staneve të Luzhës, ku qëndrojnë gjatë dimnit. Në pranverë, kanë ra në fshatrat e Tropojës dhe takohen me Ramë Mujën në afërsi të fshatit Begaj. Kryesisht qëndrojnë në fshatrat e fisit të Gashit, nga ishin dhe shumica e të arratisurve.

Gjatë verës së vitit 1946, dalin dhe banojnë përsëri në stanet verore. Ndërkohë që drejtuesit e grupeve të armatosura në Tropojë Ramë Mujë Hoxha, Tahir Adullah Hoxha, Zenun Ali Mulosmani, Halil Hoxha, Nikë Sokoli merrnin kontakte dhe lidheshin me të arratisurit e tjerë nacionalista nga Shqipëria dhe Kosova.

Në ditët në vijim, Ramë Muja mori një letër nga Demë Ali Pozhari, i arratisur nga Gjakova, i cili u bënte thirrje që të bashkoheshin në bjeshkët e Rekës, afër Rugovës së Pejës, se puna ishte tepër urgjente dhe se do kalojmë të gjithë për në Greqi. Mbasi u këndue kjo letër, Dan Peqini me të vëllanë, Adem Shabanin, Ramë Mujën e të tjerë u nisën për në vendin e caktuem. Tahir Curani vetë i pesti qëndron aty që të ruanin materialet që kishin. Mbas 15 ditësh, vjen Dan Peqini e u thotë se Ramë Muja, Dem Aliu, Mehmet Aga, Zhuk Haxhija u nisën e, mbasi të bahet lidhja me Muharrem Bajraktarin, do t’u tërheqin dhe ju pa u dëmtuar.

Mbas tri javësh u kthyen të gjithë nga Hasi, sepse nuk kishin mundë me kalue, mbasi kishin ba ndeshje me partizanët dhe Ramë Muja ishte plagosë. Po në këtë vend kanë qëndrue edhe dy javë në malin përfundi Jezerit (Liqenit), përtej Staneve t’Pelles.

Grupet e luftëtarëve në male jetonin me çadra. Armatimi i tyre ishte me pushkë serbie, një mitraloz të lehtë italian, revole e disa nga një e nga dy bomba.

Mendimi i tyne ishte për “t’u përgatitë e atëherë do t’i lajmëronte Muharrem Bajraktari se çka do bënin, mbasi Lufta e Tretë Botërore do bahej patjetër, ku do të ndesheshin Hinglizi dhe Amerika me të gjithë nacionalistat e botës kundër komunizmit.”

Aksione nuk kishin ndërmend të bënim para se me krisë lufta, kështu që ata do të ndalonin një pjesë të ushtrisë që do nisej të shkojë në luftë kundër Anglo-Amerikanëve; mbasandej do vinte Zogu patjetër, mbasi edhe Greqija u bë Mbretni.

Tahir Currani do sqaronte në hetuesi se ishte arratisë se i thanë disa njerëz që ke bërë gabim që ke ikur nga Lufta. Përpjekje nuk kishte bërë asnjëherë me partizanë, se nuk i kishte qëlluar rasti. Në vende të tjera, t’arratisurit kishin bërë mbledhje kundra pushtetit të sotëm. Ata donin të rrëzonin pushtetin me anën e anglo-amerikanëve. Muharrem Bajraktari u kishte thënë se kemi shpresa se do të zbarkojnë anglezët, por në rast se nuk do të zbarkojnë, do të largohemi nga Shqipëria.

4. Babë Tahiri në SHBA – Ushtar i kombit dhe luftëtar i lirisë

Në shtator1946, pas shpalljes së amnistisë, Tahir Curran Kërrnaja dorëzohet, burgoset dhe mbahet mëse dhjetë vjet në burgjet më të tmershme të diktaturës enveriste. Pas lirimit nga burgu, ai arratiset në Jugosllavi. Edhe atje ai gjeti një gjendje të mjerueshme, u arrestua nga UDB-ja dhe u mbajt dy vjet në burgun e rëndë të Brucës.

Më pas, i përzënë nga Jugosllavia, duke kaluar nëpër kampet e refugjatëve të Italisë, emigroi në SHBA, në vitin 1962. Tahiri menjëherë edhe këtu filloi aktivitetin me të gjithë veprimtarët e devotshëm për të demaskuar politikën jugosllave të dhunës në Kosovë, me anën e trakteve dhe memorandumeve, të cilën punë e bëri me përkushtim të madh deri në çlirimin e Kosovës. Ai ishte njëri ndër pjesëmarrësit e parë të të gjitha veprimtarive dhe protestave që organizoheshin në SHBA. Tahir Kërrnaja, i njohur nga komuniteti shqiptar i Amerikës si Babë Tahiri, së bashku me veprimtarët e tjerë shqiptarë, çdo muaj kanë shpërndarë mbi katërmijë trakte pranë OKB-së dhe misioneve të shteteve të ndryshme të akredituara në OKB. Babë Tahiri ishte gjithmonë i pari dhe më i palodhuri në këtë detyrë.

Shoqata “Rinia kosovare në botën e lirë” e formuar në SHBA me 1967, e cila kishte si mision sensibilizimin e çështjes së Kosovës pranë misioneve të ndryshme të vendosura në OKB, çdo muaj nxirrte një buletin informativ. Siç kujtojnë vëllezërit Bytyçi, Tahir Kërrnaja me disa djem të palodhur ishte gjithmonë pranë OKB-së në shpërndarjen e këtij materiali të çmuar, i cili shkonte deri në duar të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. (Ismail Gashi, “Illyria”, 6 – 9 shtator 2002)

5. Amaneti i Tahir Kërrnajës: Trupi t’më prehet në Kosovë

Tahir Kërrnaja, ndërroi jetë më 4 shtator 2002, në moshën 85 vjeçare, në Bronx të SHBA. Dëshira e vetme e tij, lënë amanet bashkëveprimtarëve, ishte që trupi i tij të prehej në Kosovën e lirë. Dhe këtë amanet, më 13 shtator 2002, e përmbushën bashkëveprimtarët e tij, vëllezërit Bytyçi, Harri Bajraktari, Zef Balaj, Musli e Sami Mulosmanaj, Vehbi Bajrami, nipi i tij Hysen Kërrnaja, familja Zherka etj. (I. Gashi, “Illyria”, 6 – 9 shtator 2002)

Më 15 shtator 2002, në varrezat e Prishtinës u bë varrimi i atdhetarit, veprimtarit dhe patriotit të madh Tahir Curran Kërrnaja, i cili gjatë gjithë jetës së tij me një vullnet të pashoq dhe prej guximtari iu përkushtua dhe punoi për çështjen shqiptare.

Për ta përcjellë për në banesën e fundit kishin ardhur shumë intelektualë, veprimtarë politikë, fetarë, bashkëveprimtarë të të ndjerit si dhe qytetarë nga të dyja anët e kufirit. Në këtë ceremoni mortore nuk munguan as telegramet e shumta të ngushëllimit, të dërguara nga presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova, Këshilli Komunal i Prishtinës, si dhe shumë shoqata e organizata nga e mbarë bota shqiptare. Në emër të Këshillit Komunal të Prishtinës foli z. Sali Gashi, i cili figurën dhe veprimtarinë e atdhetarit Tahir Kërrnaja e çmoi lart duke thënë se i ndjeri Kërrnaja ishte një nga lajmëtarët e institucionalizimit të çështjes së Kosovës dhe si i tillë ai gjithmonë do të mbetet në zemrat dhe mendjet tona. Ndërkaq, Harri Bajraktari, bashkëveprimtar i atdhetarit Tahir Kërrnaja, shkoqiti disa nga momentet e veprimtarisë që Babë Tahiri së bashku me bashkëatdhetarët e tjerë bën për çështjen shqiptare. Testamentin e lënë nga vetë i ndjeri Kërrnaja e lexoi Kujtim Zherka, ku ndër të tjera ai kishte lënë të shkruar se trupi i tij duhet të pushojë në kryeqytetin e Kosovës. Me disa fjalë të shkurta miradie dhe ngushëlluese veprimtarinë e atdhetarit Kërrnaja e nderoi z. Shefki Ujka në emër të gazetës kombëtare “Bota Sot”. Me telegrame ngushëlluese u paraqitën edhe shumë veprimtarë si Rexhep Boja (në emër të Bashkisë Islame), pastaj Maliq Arifaj, Sejdi Bytyçi (bashkëveprimtar), Kajtaz Fazlia, nga BK-ja, prof. Zekeria Cana, Zef Balaj e po ashtu u lexua një letër ngushëllimi dërguar nga veprimtari Sami Repishti. Në fund të kësaj ceremonie mortore, nipi i të ndjerit Kërrnaja, Hysen Kërrnaja, falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në këtë ceremoni mortore, si dhe të gjithë ata që ndihmuan që eshtrat e tij të sillen në Kosovë. (B. Desku, “Bota Sot”, 16 shtator 2002)

6. Presidenti Rugova: Babë Tahiri u bë lajmëtar i çështjes së Kosovës

Në telegramin e ngushllimit të presidentit Rugova për familjen dhe bashkëveprimtarët e Babë Tahirit theksohet:

“ … Tahir Kërrnaja apo Babë Tahiri, siç e thërrisnin me nderim shqiptarët, gjithë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi kombit dhe Atdheut. Ai hyn në vargun e atdhetarëve të devotshëm për çështjen shqiptare dhe për Kosovën. Për dekada të tëra ai punoi për Kosovën. Duke ndjekur traditën shqiptare, Babë Tahiri u bë lajmëtar i çështjes së Kosovës, u bë burrë i kushtrimit, që nuk pushoi natë e ditë.

Me dinjitet, me guxim dhe modesti e kreu detyrën e lajmëtarit për Kosovën që ia caktoi vetes. Babë Tahiri me punën e tij ishte njëri nga nismëtarët e Lëvizjes shqiptare për Kosovën në SHBA, që më vonë u bë e fuqishme dhe e respektuar nga Kongresi dhe Administrata si dhe nga populli amerikan. Ai me punën e tij e shpejtoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Tahir Kërrnaja do të mbetet si njëri ndër burrat e shquar të Kosovës dhe të botës shqiptare. Ai e përmbyllli shekullin e tij të mbushur me një vepër të shkëlqyer për Kosovën dhe kombin shqipëtar. Jemi krenar që e patëm.”