Takimi i parë i ASEAN-it në Uashington, nën hijen e luftës në Ukrainë

Uashington, 13 maj 2022 – Presidenti Joe Biden po nxit udhëheqësit e Azisë Juglindore që të shprehen më drejpërdrejt rreth agresionit rus ndaj Ukrainës, por kjo çështje vazhdon të jetë delikate për shumë anëtarë të ASEAN-it, aleancës me 10 vende, që ka lidhje të forta me Moskën.

Presidenti Biden shtroi një darkë në Shtëpinë e Bardhë të enjten në mbrëmje për udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), duke nisur kështu një takim dyditor të nivelit të lartë, që mbahet për herë të parë në Uashington, që kur u krijua para 45 vjetësh.

Shtëpia e Bardhë do gjithashtu të dërgojë sinjalin se po rrit angazhimin në Paqësor, megjithëse administrata është e përqendruar tek lufta në Ukrainë.

Por presidenti Biden është i vetëdijshëm se arritja e një konsensusi me anëtarët e ASEAN-it lidhur me agresionin rus, mund të jetë e vështirë.

Disa anëtarë të ASEAN-it – Vietnami, Mianmari dhe Laosi – janë të varura prej kohësh nga Rusia për pajisje ushtarake. Me përjashtim të Singaporit — i vetmi anëtar i grupit, që vendosi sanksione të drejtpërdrejta kundër Moskës — aleanca ka shmangur denoncimin e Presidentit Vladimir Putin, ose luftës së Rusisë.

Indonezia ka qenë e përmbajtur në komentet publike për agresionin dhe ashtu si edhe Filipinet, e ka bërë të qartë, se nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë. Tajlanda iu bashkua një votimi të Kombeve të Bashkuara kundër agresionit ndaj Ukrainës, por ka mbajtur një qëndrim neutral për luftën.

Presidenti Biden ka intensifikuar përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Paqësorit, duke e konsideruar forcimin e Kinës si sfidën më të madhe ekonomike dhe të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.

Por përpjekjet e tij në këtë drejtim janë ndërlikuar nga konflikti më i rëndë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

(Zëri i Amerikës)