Takimi Kurti – Vuciq përfundon pa marrëveshje

Bruksel, 27 shkurt 2023 – Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u zhvillua të hënën në mbrëmje në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak,

Borrell, pas përfundimit të takimit, ka thënë se në fokus të takimit ka qenë propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se Kurti e Vuçiq janë pajtuar me tekstin e propozimit evropian.

“Mund t’jua kumtoj se Vuçiqi dhe Kurti dot janë pajtuar se nuk ka nevojë për bisedime të reja në lidhje me propozimin e bashkimit Evropian, i cili është quajtur Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Teksti i marrëveshjes do të publikohet së shpejti në faqeb e Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian”, ka thënë Borrell.

Ai ka shpjeguar se palët kanë nevojë për negociata të mëtejme lidhur me modalitetet e zbatimit të marrëveshjes.

“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për sa i përket zbatimit të kësaj marërveshjeje, por nevojiten negociata të mëtejme për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes”, ka thënë ai.

Borrell e ka cilësuar këtë si përparim të madh në dialogun Kosovë – Serbi.

“Ky është një zhvillim i rëndësishëm sepse deri më tash kemi qenë të angazhuar vetëm në menaxhimin e krizave, ndërsa tani jemi fokusuar në zgjidhjen e çështjeve që shkaktojnë kriza midis dy vendeve”, ka thënë Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane ka thënë edhe me këtë rast se nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë do të përfitojnë të dy vendet. Ai ka thënë se më këtë marrëveshje do të sigurohej lëvizje e lirë e njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve me pasaportat,  letërnjoftimet dhe dokumientet e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian, por kjo është refuzuar nga Vuçiqi. Ai ka bërë të ditur se Vuçiq nuk është pajtuar me tekstin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Për Asociacionin është neni dhjetë, fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga të gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisëm, e fqinjësisë së mirë dhe edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane, gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruante. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst. Nuk do të ishte teksti i parë që do të nënshkruhej nga kryeministri i Kosovës e kreu i Serbisë”, ka deklaruar Kurti.

“Mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sot e u pajtuam. Duhej të rezultonte dakordimi me nënshkrim. Ishte pala serbe që s’e bëri këtë, ndonëse u pajtua”, ka shtuar ai.

Kurti i ka falënderuar zyrtarët evropianë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak për punën që kanë bërë deri tani dhe ka shprehur besimin se procesi tashmë ka hyrë në rrugë njëkahore të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Falënderoj të dy për punën që kanë bërë deri tash. Besoj se jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, për fqinjësi evropiane’, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se teksti i marrëveshjes do të bëhet publik së shpejti dhe se zbatimi i  marrëveshjes do të bëhet sipas planit që do të hartohet.

“Preambula i ka 5 fjali dhe 10 nene. Është mirë sa më shumë qytetarët ta lexojnë vetë, por edhe profesionistët e dokumenteve të ndryshme të marrëdhënieve ndërkombëtare e të aspekteve legale juridike, që të bëhet edhe ndonjë diskutim demokratik publik për këtë gjë. Plani i zbatimit do të jetë plan se si të përkthehen në terren në realitetet e dy shteteve”, është shprehur Kurti.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili i ka cilësuar si shumë të vështirë takimin me Kurtin, ka treguar se pengesë kryesore për nënshkrimin e marrëveshjes është qasja e ndryshme e palëve lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Aleksandar-Vuciq-1.jpg

“Nuk është arritur asgjë përveç që të bisedojmë. Por, si të bisedojmë kur ka kundërshtime për Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Së pari, duhet të zbatohet, sido që ta ktheni, Asociacioni është në rend të parë. Pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë më tutje”, ka thënë Vuçiq.

“Ekzistojnë 22 parime që i kemi nënshkruar shprehimisht të cilat kanë rëndësi jetike për popullin serb. Nëse dikush nuk e kupton, nuk e kupton realitetin”, ka theksuar ai.

“Shpresoj se është e mundur të arrijmë disa kompromise, por druaj se mund të ngatërrohemi për diçka që është nënshkruar kaherë”, ka shtuar ai.

(r.m.)