Talibanët pretendojnë fitoren në Panjshir, rezistenca i përgënjeshtron

Kabul, 7 shtator 2021 – Talibanët kanë pretenduar fitore në provincën Panjshir të Afganistanit, mirëpo lideri i lëvizjes së rezistencës atje ka bërë thirrje për “kryengritje të përgjithshme” kundër talibanëve dhe ka thënë se rezistenca do të vazhdojë.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë në një konferencë për media më 6 shtator se është fituar kontrolli i Panjshirit dhe ka përfunduar pushtimi i shtetit nga talibanët.

Mujahid ka thënë se grupi do të prezantojë qeverinë e re shumë shpejt dhe ka siguruar se njerëzit e kësaj province nuk do të diskriminohen.

“Ata janë vëllezërit tanë dhe do të punojmë së bashku për qëllimin e përbashkët dhe mirëqenien e shtetit tonë”, ka thënë Mujahid.

Fronti Kombëtar i Rezistencës (NRF), i krijuar nga grupet opozitare, milicitë lokale dhe forcat e mbetura të forcave afgane të sigurisë, ka sfiduar këtë pretendim.

“Ne jemi në Panjshir dhe rezistenca jonë do të vazhdojë”, ka thënë lideri i Frontit Kombëtar të Rezisencës, Ahmad Masud përmes një postimi në Twitter.

Ai po ashtu ka thënë se është i sigurt, por nuk ka dhënë hollësi për vendndodhjen e tij.

Masud ka thënë përmes një tjetër postimi se 70 për qind e zonave të kapura nga talibanët në javën e kaluar në Panjshir janë rikthyer nga forcat e rezistencës “brenda një ore”.

Udhëheqësi i marrëdhënieve me jashtë në NRF, Ali Maisam Nazary, ka thënë në Facebook dhe “forcat janë prezente në të gjitha pozicionet strategjike në provincë dhe po vazhdojnë luftimet”.

Ende nuk është bërë e mundshme që të ketë konfirmim të pavarur për ngjarjet në Panjshir, ku grupi militant islamist ka bllokuar telefonat, internetin dhe linjat elektrike.

Masud, ka bërë thirrje përmes një audio-mesazhi, që të ketë kryengritje për hir të nderit, lirisë dhe krenarisë së vendlindjes.

Ai ka thënë se afganët mund të luftojnë në secilën formë të mundshme – përmes luftimeve të armatosura apo edhe protestave.

Provinca Panjshir gjendet rreth 100 kilometra në verilindje të kryeqytetit, Kabulit.

Me një popullsi prej rreth 200,000 personave, Panjshiri ka kundërshtuar rregullin sovjetik si dhe periudhën e hershme të sundimit të talibanëve më 1996-2001.

Prej kur kanë fituar pushtetin më 15 gusht të këtij viti, liderët talibanë kanë tentuar që vazhdimisht të sigurojnë afganët dhe shtetet e huaja që nuk do të rivendosin regjimin brutal, që i ka karakterizuar herën e fundit që kanë qenë në pushtet.

Mirëpo njohja formale e Qeverisë së talibanëve do të varet nga veprimet dhe jo fjalët, kanë thënë liderët perëndimorë.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të njohin talibanët, presidenti amerikan, Joe Biden, u ka thënë gazetarëve në Shtëpi të Bardhë më 6 shtator se “ajo rrugë është shumë e gjatë”.

Biden ka dërguar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, në Katar për të biseduar me emirin e këtij shteti, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, teksa Uashingtoni tenton të krijojë konsensus në mes të aleatëve rreth asaj se si t’i përgjigjen regjimit të talibanëve.

Në takimin e 6 shtatorit fokusi ka qenë në rritjen e sigurisë në Afganistan, kanë thënë zyrtarë nga Katari.

Blinken dhe Austin kanë falëndëruar al-Thanin për “mbështetjen e jashtëzakonshme” për të evakuuar nga Kabuli amerikanët dhe afganët që janë në rrezik deri në fund të gushtit, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price përmes një deklarate.

Blinken ka biseduar edhe me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit Sheikh Ahmed Nasser Al-Mohammed Al-Sabah, dhe e ka falënderuar atë për ndihmën e Kuvajtit me evakuimet, ka thënë Departamenti i Shtetit.

Fuqitë perëndimore kanë thënë se janë të përgatitura për të bashkëpunuar me talibanët, me qëllim të dërgimit të ndihmës humanitare për njerëzit e prekur nga thatësia dhe lufta.

Sipas Kombeve të Bashkuara, pothuajse gjysma e popullsisë në Afganistan – rreth 18 milionë persona – kanë nevojë për ndihmë.

(REL)