Të dehur nga fantazia e një të ardhme më të mirë

Nga Ruben Avxhiu

Plot 30 vjet më parë, u mbajtën zgjedhjet historike që rrëzuan për herë të parë nga pushteti komunistët, pas gati gjysëm shekulli.

Kishin ardhur në pushtet me armë në fund të vitit 1944, si fitues të luftës. U mungonin kuadrot dhe mandati ligjor e legjitim, kështu që pati edhe në atë kohë një tranzicion.

Mandatin ligjor e morën në vitin 1945 zgjedhjet e fundit pluraliste për 46 vjet (deri në maj 1991). Këto zgjedhje i fituan si Fronti Demokratik, sipas orientimit nga Moska për të gjithë Europën Lindore, bazuar në besimin se njerëzit nuk do të votonin për një forcë politike me emrin “Partia Komuniste”. Kjo u zbatua edhe në Shqipëri, ku komunistët u fshehën mbrapa Frontit, një nga formalitetet e fundit, që mbase edhe në atë kohë ishte e panevojshme. Si e vetmja palë e armatosur në zgjedhje, do të kishin fituar edhe si PKSH.

Nga PKSH te Fronti, përsëri te PKSH e pastaj te Partia e Punës në vitin 1948. Në 1991, u kthye në Partia Socialist, emër me të cilin konkurroi edhe në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Të them të drejtën, pas 47 vjetëve, populli mezi priste të kthente fletën e historisë. Edhe shumë komunistë kanë votuar kundër partisë së tyre. Disa madje nuk e njihnin më si të tyren. Ose kishin kaluar në anën e Partisë Demokratike dhe pjesës tjetër të opozitës të re. Ose nuk u dukej më aq enveriste dhe komuniste sa dukej.

22 marsi ishte një referendum popullor më shumë se sa zgjedhje.

Natën e 22 marsit e kam kaluar në selinë qendrore të Partisë Demokratike në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Ishte vetëm pak hapa larg shtëpisë sime dhe mendoja se në çdo moment mund të kthehesha në shtëpi po të doja. Po kush mund të flinte atë natë? Rrallë i qëllon njeriut të jetë aq afër historisë në zhvillim. Pas 47 vjetësh pushteti do të ndërrohej në Shqipëri. Madje pa dhunëë.

Atë natë nuk kemi fjetur asnjë minutë. Nuk kishte internet e celularë. Nuk kishte transmetime minutë pas minute e as orë pas ore në televizion. Telefonat, me diskun rrotullues që e lëvizje me gisht ishin të rrallë.

Herë pas here dikush dilte në oborr dhe bërtiste ndonjë rezultat dhe ne shpërthenim në brohorima gëzimi.

Nga patalogu i shkallëve të katit të dytë shihja grumbullin e madh të njerëzve të mbledhur përpara selisë, që kishin mbuluar të tre trotuaret e Rrugës së gjerë të Kavajës, e emërtuar si “Konferenca e Pezës”, për ironi sipas përpjekjes së fundit për të krijuar një koalicion mbarëkombëtar në Shqipëri. Prej asaj konference kishte dalë Fronti Demokratik që kishte fituar pastaj zgjedhjet e para pluraliste në 1945.

Shumë prej atyre të rinjve në rrugë do të kishin dashur të ishin aty brenda me ne. Kush e di sa shqiptarë në mbarë vendin ishin aty me ne, me mendje dhe zemër. Edhe sot e kësaj dite mendoj se isha me fat që po e shihja historinë nga aq afër.

Kam biseduar me gati çdo gazetar të huaj që vërtitej në atë seli atë natë. Nuk e di se si u jam dukur, por ishim të gjithë të dehur nga fantazia e një të jete që nuk do të ishte më kurrë njësoj si ajo që kishim jetuar deri atëhere. Në fund, ishte e qartë se Partia Demokratike kishte fituar masivisht. U ndamë me shokët për t’u takuar te Sheshi Skënderbej ku do të bëhej mitingu i fitores.

Hapësira e kufizuar e selisë na kishte krijuar një mjedis të jashtëzakonshëm për ta shijuar atë natë ndryshimi. Të nesërmen në shesh, nuk kishte më kufij e masë. Mijëra njerëz që shtyheshin, festonin, hidheshin si të çakërdisur krijonin një atmosferë si ato që kam përjetuar vetëm në koncertet e muzikës së grupeve të njohura në Amerikë.

Nuk ishte koncert, por turma e njerëzve e kishte praktikisht një yll që e adhuronte dhe oshëtinte kur e shihte që merrte mikrofonin në dorë. Ky ishte Sali Berisha. Për doktorin që kishte ndërruar profesionin me atë të politikanit. Që kishte ndërruar përpajsen e bardhë me pardesynë e bardhë. A ishte Berisha njeriu i duhur për të drejtuar atë ndryshim të madh? Si do të kishte qenë demokracia shqiptare me një udhëheqës tjetër? Pse duhej që forca e parë anti-komuniste që ngjitej në pushtet, të udhëhiqej nga dikush që kishte qenë vetë komunist për kaq shumë vjet? Debate si këto ishin bërë edhe në atë kohë e do të përsëriteshin shumë më shpesh në vitet e dekadat që vijuan. Mirëpo në atë mëngjes, askush nuk e diskutonte se kush ishte udhëheqësi i natyrshëm i asaj dallge të historisë. Disa javë më vonë, kur Sali Berisha u zgjodh president nga Parlamenti i ri, që të gjithë u çuan në këmbë. Edhe socialistët. Një skenë e rrallë dhe domethënëse për mënyrën se si ka shkuar historia e pluralizmit shqiptar. Armiqësia do të kthehej shpejt, por në atë kohë ekzistonte një lloj naiviteti dhe çlirimi i përgjithshëm që na kishte përqafuar të gjithëve.

Askund nuk ishte më e dukshme dehja me historinë sesa në Sheshin Skënderbej. Aty ku ishin derdhur lumej lotësh për Stalinin e për Enverin, aty ku monumenti i Skënderbeut të kujtonte momente të tjera të mëdha historike, taborrë njerëzish plot entuziazëm ishin derdhur për të festuar mbërritjen e një diçkaje që askush nuk e kishte parë e provuar më parë e pikërisht për këtë arsye ishim të lirë që ta imagjinonim si të donim. Pritshmëria dhe ëndrra nuk do të mund të kënaqej kurrë nga realiteti, mirëpo në atë kohë nuk e merrnim dot me mend se sa të shkëputur do të ishin të dyja.

Fjalën e fundit nga foltorja e pati Sali Berisha: “Është një ditë e bukur, është një ditë e badhë dhe ne do të ecim përpara”. 

Mitingu mbaroi. U rikthyem të gjithë ngadalë nga faqja e historisë në jetën tonë të përditshme.

Ishte hera e fundit që mora pjesë në një miting partie politike.