Të dyshuarit për lidhje me Hezbollahun nuk janë shtetas të Kosovës

Prishtinë, 28 tetor 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë tha se personat e sanksionuar për lidhje të dyshuara me Hezbollahun, nuk janë shtetas të Kosovës.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendosë sanksione ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit.

Në disa media lokale dhe ndërkombëtare u raportua se këta persona janë qytetarë të Kosovës, por MPJD e mohoi këtë.

Sipas MPJD-së, masat e vendosura demonstrojnë angazhimin e Kosovës si pjesë aktive e aleancave ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleat i rëndësishëm, dhe partnerë të tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, paqes dhe sigurisë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Radion Evropa e Lirë.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të enjten, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se sanksionet vendosen “konform Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik”.

Sanksionet konsistojnë me ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitetet në Kosovë.

Më 23 qershor të vitit 2020, Qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste krahun politik dhe atë ushtarak të Hezbollahut.

Hezbollah është një grup shiit i Libanit, i themeluar në vitet e 80-ta. Më herët është shpallur organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera perëndimore.

Hezbollah përkrah ideologjinë islamike shiite të Teheranit dhe e konsideron liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si udhëzues politik dhe shpirtëror.

(REL)