Të hënën vazhdojnë bisedimet për telekomunikacionin dhe energjetikën

Bruksel, Beograd, 16 qershor 2013 –  Të hënën, në Bruksel, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të zhvillojnë për raund të ri bisedimesh lidhur me telekomunikacionin dhe energjetikën. Sipas medieve të Serbisë, takimi i së hënës do të zhvillohet në nivel të ministrave.

Autoritetet e Serbisë kanë bërë të ditur se kjo është mundësia e fundit që Bashkimi Evropian do t’u japë palëve për të gjetur një zgjidhje për këto dy fusha. Zëvendëskryeministri i Serbisë për politikë të jashtme dhe telekomunikacion, Rasim Lajiq, i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve “Beta” se të hënën pret të arrihet një marrëveshje, e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët.

Në raundin e fundit në Bruksel, palët nuk kishin arritur marrëveshje, ndërsa Brukseli nuk kishte propozuar asnjë zgjidhje të ndërmjetme, siç pritej të ndoshte. Bisedimet kishin ngecur pasi Serbia insiston që ajo të kërkojë një kod telefonik ndërkombëtar në emër të saj dhe atë t’ia japë në shërbim Kosovës. Ky propozim është hedhur poshtë nga Kosova. Delegacioni kosovar ka thënë se kërkesën drejtuar Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) për prefiks ndërkombëtar do ta bëjë vet ose, eventualisht, një shtet i tretë i Bashkimit Evropian.

Në takimin e fundit në Bruksel palët nuk janë pajtuar as rreth licensimit të një operatori serb të telefonisë mobile në Kosovë. Beogradi insiston që një operator serb të licensohet pa procedura, kurse Prishtina thotë se licensimi mund të bëhet përmes procedurës së tenderimit, por është e gatshme të lehtësojë procedurat për licensimin e një operatori virtual të telefonisë mobile, brenda rrjetit të dy operatorëve legjitimë në Kosovë.

R.M.

 

Comment

*