Të martën fillon gjykimi i rastit “Bllaca III”

Prishtinë, 10 qershor 2013 – Të martën mbahet seanca fillestare e procesit gjyqësor lidhur me rastin “Bllaca III”, në të cilën i pandehur i vetëm është Nazim Bllaca.

Bllaca i cili deri më tani ka qenë dëshmitar bashkëpunues i Gjykatës, në orën 15 duhet të jetë në objektin e Gjykatës së Apelit, në Prishtinë.

Nazim Bllaca akuzohet për vrasjen e Ibush Kllokoqit më 3 gusht të vitit 1999. Ai e ka pranuar publikisht se me një armë “Skorpion” e ka vrarë Kllokoqin, para shtëpisë së tij. Në bazë të këtyre deklaratave për vrasjen e Kllokoqit ishte inicuar procesi gjyqësor i quajtur “Bllaca II” dhe gjykata ka dënuar Shpresim Ukën me 15 vjet burg, Sadik Abazin me 12 vjet dhe Bekim Sylën me 12 vjet burg.

Në këtë proces janë dënuar edhe Shaban Syla me 8 vjet dhe Driton Hajdari me 7 vjet burg, për tentim vrasjen e ish-kryetarit të Ferizajt, Adem Salihajt, më 12 qershor të vitit 1999.

Në një proces tjetër, te inicuar po në bazë të deklaratave të Bllacës, është dënuar me 18 vjet burg Fahredin Gashi. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e Sali Gashit, në qershor të vitit 1999, në Varigoc të Lipjanit.

Në vitin 2009, Nazim Bllaca, i cili prezantohet si ish-ppjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), ka folur publikisht për një sërë vrasjesh dhe plagosjesh që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. Në këto krime ai e ka implikuar veten dhe disa persona të tjerë. Të gjitha këto krime Bllaca pretendon se janë kryer me urdhër të Azem Sylës dhe disa njerëzve të tjerë të PDK-së.

R.M.

Comment

*