Të mbrojmë shqiptarët nga Ali Ahmeti

Dritan Goxhaj*

Në vitin 2010 publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur Kim Mehmeti pati bërë një shkrim me titull: Si ta mbrosh Abazin (pseudonimi i luftës i Ali Ahmetit) nga Ali Ahmeti.

Ndërkohë që sot, në një distancë 10-vjeçare nga ai shkrim, ka lindur nevoja emergjente, si t’i mbrojmë shqiptarët në Maqedoni nga Ali Ahmeti, pasi Abazi nuk duhet mbrojtur por gjykuar nga historia si një tradhtar i madh i interesave shqiptare në Ballkan.

Tradhtia e tij ndaj këtyre interesave fillon pikërisht me luftën që ai nisi në Maqedoni në 2001.

Shumëkush do të hidhet ndaj meje e të më shpjegojë e të më tregojë për nevojën e luftës në Maqedoni, por shumë pak janë ata që do t’u kujtohet se në atë kohë shqiptarët po zhvillonin një luftë tjetër në trojet e tyre etnike.

Shqiptarët kishin pak më shumë se një vit që kishin filluar dhe po luftonin në Shqipërinë e Epërme Verilindore apo Kosova Lindore (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc).

Në momentin që ajo luftë po niste të merrte vëmendjen ndërkombëtare, pasi sapo ishte mbushur një vit nga fillimi i asaj lufte dhe numri i vullnetarëve në të sapo kishte mbërritur shifrën e 4000 syresh dhe veprimtaria ushtarake sa vinte e intesifikohej dhe si pasojë po zgjeroheshin territoret nën kontroll të UҪPMB-së, Ali Ahmeti nxjerr në skenë UҪK-në (Ushtrinë Ҫlirimtare Kombëtare) dhe jo vetëm që tërheq gjithë vëmendjen ndërkombëtare dhe kombëtare, por me fillimin e luftës në Maqedoni, askush nuk ishte më i interesuar që të ndihmonte ose merrte pjesë në luftën që po zhvillonte UҪPMB në Kosovën Lindore.

Kështu, të mbetur pa vëmendje dhe pa përkrahje politike, pa përkrahje financiare dhe armë e municione si dhe me numër të pakët ushtarësh pasi një pjesë filluan t’i bashkangjiten UҪK-së së Ali Ahmetit, lufta atje u shua dhe shqiptarët në Kosovën Lindore humbën edhe më shumë se ç’kishin bërë në mend të fitonin.

Ky veprim i Ali Ahmetit është një tradhti e mirëmenduar, në mos e mirëdirigjuar kundër interesit kombëtar, pasi shqiptarët në Kosovën Lindore ndodheshin në pozita shumë herë më të këqija se shqiptarët në Maqedoni.

Shqiptarët në Kosovën Lindore dëboheshin e ju mohohej identiteti kombëtar dhe burgoseshin e vriteshin nga pushteti serb në një masë të pakrahasueshme me atë që pushteti maqedon mund të ushtronte ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Por, Ali Ahmetit i interesoi vetëm vetvetja dhe e ardhmja e tij politike e aspak shqiptaria dhe e ardhmja e shqiptarëve në Kosovën Lindore të cilët, shkak i humbjes së asaj lufte, sot po përjetojnë diskriminim shumë herë më të madh se para vitit 2000.

Kjo ishte vetëm tradhtia e parë e Ali Ahmetit ndaj shqiptarëve, pasi të dytën e pasoi menjëherë pasi themeloi ushtrinë e tij.

Në daljen e dytë politike të asaj ushtrie, Ali Ahmeti deklaronte: “Ne jemi për ruajtjen e integritetit territorial të Maqedonisë”.

Kjo deklaratë publike përbën më vete një tradhti të madhe, ose më saktë, po të shihet me një sy edhe më kritik, brenda kësaj fjalie të kësaj deklarate qëndrojnë dy tradhti, si ndaj interesit kombëtar, ashtu edhe ndaj vetë luftëtarëve në UҪK-në e Ali Ahmetit.

Pothuajse shumica e luftëtarëve në UҪK në Maqedoni edhe sot nuk e dinë se ata kanë luftuar për ruajtjen e integritetit të Maqedonisë dhe për forcimin e shtetit maqedon i cili, me ndihmën e Ali Ahmetit, më pas i vrau e i burgosi shqiptarët me proçese të montuara e pa dhënë kurrfarë llogarie, më keq se në kohën e Rankoviçit.

Pra, Ali Ahmeti, që në fillim të kësaj lufte të nisur prej tij në Maqedoni, i tradhtoi shqiptarët dhe interesin kombëtar, pasi shqiptarët iu bashkangjitën me mendimin se do shpërbëhej shteti maqedon dhe ajo pjesë e trojeve do i bashkangjitej Kosovës.

Tradhtoi interesin kombëtar kur deklaroi që është për ruajtjen e integritetit territorial të Maqedonisë, pasi kështu ai deklaronte se e njeh të ligjshme aneksimin e trojeve shqiptare nga shteti maqedon i krijuar nga hiçi.

Por, tradhtitë e Ali Ahmetit ndaj faktorit shqiptar vetëm sa kanë nisur e ato nuk kanë të mbaruar.

Kështu, kur maqedonët e pranuan humbjen e luftës, pasi shqiptarët në UҪK luftuan heroikisht dhe trimërisht duke e shkatërruar makinerinë ushtarake maqedone dhe kapacitetin e tyre operacional dhe pranuan të ulen për një marrëveshje, Ali Ahmeti bën tradhëtinë e radhës ndaj shqiptarëve dhe veçanërisht ndaj UҪK-ës dhe luftëtarëve të saj e gjakut të dëshmorëve, duke autorizuar që për shqiptarët marëveshja e Ohrit, të firmoset nga një shqipfolës, pasi asgjë tjetër nuk kishte shqiptare në qenien e tij Arbër Xhaferi.

Ky i fundit, deri në atë moment, ishte pjesëtar i qeverisë maqedone kundër së cilës po luftonte Ali Ahmeti dhe ku Arbër Xhaferri i anatemonte luftëtarët e UҪK-së dhe nxiste maqedonët që të vrisnin sa më shumë prej tyre.

Nuk ka ofendim më të madh e tradhti si kjo ku vrasësin e ul vetë në krye të sofrës dhe i jep të drejtën të nënshkruajë për ty.

Nuk them që nuk duhej luftuar në Maqedoni, por ama ajo luftë duhej bërë pasi të mbyllej me një sukses lufta e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe ajo në Maqedoni duhej të bëhej për shpërbërje të Maqedonisë e jo për forcim të saj.

Dhe, e gjithë lufta e shqiptarëve dhe sakrifica e tyre e gjaku i derdhur në këtë luftë kulmuan në fund me një parti për Ali Ahmetin dhe në 2002 ky zëvendëson në pushtet patericën PDSH për maqedonët. E pasi vjen në pushtet, duke mos u mjaftuar me shkatërrimin e deritanishëm të çështjes kombëtare, ai propozon edhe decentralizimin lokal duke i defaktorizuar shqiptarët në Maqedoni.

Më pas, ai heshti e nuk kundërshtoi asnjëherë as më të voglin reagim për rastet e montuara ndaj shqiptarëve, si ai i Sopotit dhe Brodecit. Nuk reagoi as kur shteti maqedon, ku Ali Ahmeti ishte pjesë, vrau barbarisht, thuajse Maqedonia gjendej në gjendje lufte, ish-komandantin e UҪK-së, Harun Aliun me bashkëluftëtarë.

Deri më sot as ka reaguar e as ka nxitur ose kërkuar me ngulm zbardhjen e vrasjes së njërit prej komandatëve më të zëshëm të UҪK-së në Maqedoni, Isa Likën, vrasje që në llogjikën njerëzore nuk mund të jet bërë pa marë më parë një miratim të heshtur nga Ali Ahmeti.

Jo, Ali Ahmeti nuk reagoi as për Liqenin e Smilkovës, edhe pasi dolën bisedat dhe u bë e ditur që të gjitha këto raste ishin të montuara.

Jo, Ali Ahmeti nuk i kushtëzoi asnjëherë qeveritë maqedonase në të cilat bënte pjesë për largim në rast se këto raste nuk zhbëhen e njerëzit të cilët mbahen në burgjet maqedone të lirohen.

Jo, Ali Ahmeti nuk reagoi as për rastin e Kumanovës, edhe pse ai kishte dijeni se çfarë do të ndodhte e mund ta bënte të mundur që ajo që ndodhi të mos ndodhte.

Jo Ali Ahmeti nuk dha asnjë shpjegim pasi dolën përgjimet ku ai ju thoshte disa bashkpunëtorëve të tij të ngushtë, se do ja gjënte ilaçin, e do i rehatonte disa shqiptarë që nuk ishin në vijën e partisë së tij në shërbim të maqedonve.

Por jo, Alisë nuk i kanë interesuar asnjëherë shqiptarët dhe interesat e tyre ose të kombit të tyre, them të kombit të tyre pasi Ali Ahmeti i përket sojit të atyre që atdhe kanë organizatën politike në të cilën militojnë dhe vegjetojnë sektarisht.

Ali Ahmetit, i ka interesuar vetëm interesi i tij politik, si argat ne dyer te maqedonasve.

E pastaj kulmi i tradhtisë kombëtare, tradhti në të cilën ranë edhe të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni e gjithë faktori shqiptar atje, pranimi i emrit të ri të Maqedonisë.

Në këtë mënyrë, këta dritëshkurtër, trojet lindore shqiptare ia njohën tashmë Greqisë e cila, me dinakërinë që e karakterizon, doli zot e trojeve tona edhe në Maqedoni. Dhe, pasi ka konsumuar e shitur shqiptarëve çdo tradhti të tijën si vepër fisnike e të virtytshme, ka filluar edhe të tallet me ta.

Tallet aq shumë sa jo vetëm që u premton se do t’u japë një kryeministër shqiptar dhe pastaj e kalon talljen në cinizëm kur u thotë se është marrë vesh me maqedonët që 100 ditët e fundit të qeverisjes, kryeministri të jetë shqiptar.

Por tani, ka marrë edhe rolin e njeriut të paqes, duke imituar kështu një bashibozuk tjetër, kryeministrin e Shqipërisë. Njësoj si ky i fundit edhe Ahmeti nëpër intervista, si ajo e para do ditëve na thotë: shqiptarët e sërbët duhen të pajtohen.

Pasi ka mbi 20 vjet në shërbim të interesave sllave në trojet shqiptare, tashti na sugjeron që duhet të pajtohemi, por pa guxuar që serbëve por edhe maqedonve t’ju kërkojë llogari për masakrat e kryera e për personat e zhdukur., thuajse ky nuk ka 20 vjet si pjesë e pushtetit në Maqedoni.

Le të shpresojmë se direktivat që do t’i vinë kësaj radhe, të kenë brënda edhe mënyrën e pajtimit, por që shihet qartësisht që sipas mendjes së Ali Ahmetit, ajo kalon nëpërmjet idesë së “Ballkanit të Hapur” të Vuçiçit e Ramës.

Dhe, sërish, edhe me kësi deklaratash si me qen Papë, e bërë në shërbim të interesit të tij personal politik, interes ky që nuk ka të bëjë fare me interesin e popullit shqiptar në Maqedoni, por që ky popull vazhdon e do vazhdojë të paguajë haraç për Ali Ahmetin dhe një grusht bashibozukësh rreth tij që kurrë nuk janë ndjerë shqiptarë, që ata, të vazhdojnë të gëzojnë të njëjtat privilegje që i gëzonin edhe para se shqiptarët të fillonin të luftonin në Maqedoni.

Ndaj sot është domosdoshmëri që të mbrojmë shqiptarët nga kësi partiakësh e liderësh si Rama e Ali Ahmeti, të cilët janë bërë si ajo shprehja: dy persona që konsumojnë të njëjtëin ushqim bashkë, fillojnë i ngjajnë njëri tjetrit edhe nga fytyra edhe nga mendimet.

E këta të dy kanë 20 vjet që konsumojnë të nëjtën çorbë anti-shqiptare sllave, nga guzhina serbe, e kësisoj kanë marrë të njëjtën fizionomi, e flasin, e mendojnë njësoj.

**Autori, pilot ushtarak, ka qenë zëvendëskomandant i Zonës Operative të Qarrit në Ushtrinë për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe koordinator i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me NATO-n për fushatën e bombardimeve për çlirimin e Shqipërisë Verilindore nga serbojugollsavët.

Comment

*