Të mërkurën arrijnë në Kosovë 38.400 doza të vaksinës kundër COVID-19

Prishtinë, 10 maj 2021 – Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të mërkurën, më 12 maj, do të arrijnë në Kosovë edhe 38.400 doza të tjera të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca”. Ky kontigjent i vaksinave dërgohet përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë,.

“Me pranimin e këtyre dozave të vaksinës kundër COVID-19, do të vijohet më tej me vaksinimin e kategorive të parapara sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në fund të muajit mars, Kosova kishte pranuar kontigjentine parë të vaksinave kundër COVID-19.  Me 24.000 dozat e këtij kontigjenti janë vaksinuar punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Më 4maj, ka pranuar edhe 4.680 doza të vaksinës “Pfizer/BioNTech”. Ky ishte kontigjenti i parë prej 95.000 dozave që Bashkimi Evropian do t’ia dhurojë Kosovës, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Partitë opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojë në mënyrë urgjente për sigurimin e më shumë vaksinave. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria do të sigurojë vaksina për imunizimin e 60 për qind të popullsisë. Sipas tij, qeveria synon që para verës të vaksinohen grupet e rrezikuara të popullsisë.

(r.m.)