Të mërkurën arrijnë trupat e viktimave të aksidentit në Kroaci

Prishtinë, 27 korrik 2021 – Të mërkuren pritet të arrijnë në Kosovë trupat e pajetë të 10 viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në autostradën A3, afër Sllavonski Brodit, në Kroaci.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili u kthye në Kosovë bashkë me të mbijetuarit e aksidentit, ka thënë se arkivolet e viktimave janë nisur të martën nga Sllavonski Brodi dhe në Kosovë pritet të arrijnë të mërkuren në mëngjes.

“Të gjitha procedurat e nevojshme për transportimin e viktimave kanë përfunduar. Trupat e tyre janë rrugës duke ardhur në Kosovë. Ne besojmë se herët në mëngjes do të mbërrijnë këtu dhe pastaj, duke mbështetur të gjitha familjet, do të organizojmë ceremonitë e varrimit”, ka thënë Sveçla, në një konferencë për medie, të martën pak para mesnatës.

Varrimi i viktimave të aksidentit të Kroacisë do të bëhet në vendbanimet e tyre. Familjarët e tyre kanë shprehur dëshirën që trupat e të dashurve të tyre të pushojnë në tokën e tyre.

(r.m.)