Të mos ndihemi inferiorë (më të ulët) e të kompleksuar

Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet

Nga Sadik Elshani

Sadik Elshani

Në bisedat tona të përditshme shpesh e dëgjojmë, e bëjmë pyetjen: Pse ne shqiptarët e ndijmë veten pak si të kompleksuar, më të ulët (inferiorë) ndaj të tjerëve, kur në situata të ndryshme ndodhemi në praninë e të tjerëve, kur i shohim politikanët, udhëheqësit tanë në takimet e tyre zyrtare në praninë e delegacioneve, zyrtarëve të huaj? Fatkeqësisht këtu ka dicka të vërtetë e që nuk duhet të jetë kështu. Fillimisht kjo vjen se trevat shqiptare si rrjedhoje e rrethanave historike katastrofike për ne kanë ngelur prapa në çdo pikëpamje, lëmi të jetës shoqërore, ekonomike,arsimore e shkencore, krahasuar me viset tjera të kontinentit europian. Megjithatë, shqiptarët ndër shekuj kanë arritur që të krijojnë disa vlera të qëndrueshme e të larta morale e njerëzore për të cilat janë të njohur në tërë botën: krenarinë kombëtare, trimërinë, besën, mikpritjen, tolerancën ndërfetare… Ndoshta ne nuk mund të nxirrnim nga mesi ynë një Da Vinçi, Mikelanxhelo, Rembrant, Bethoven, por kur u është dhënë rasti, mundësia shqiptarëve, ata kanë shkëlqyer. (Diçka të ngjashme ka shprehur në vargje edhe Dritëro Agolli në një poezi të tij). Po, edhe populli ynë i vogël nga gjiri i vet nxori figura të përmasave botërore në të gjitha periudhat e qenjes së tij: Perandori Konstatin, Skenderbeu, Leunik Tomeo, Onufri, Aleksandër Moisiu,Shën/Nënë Tereza, Bekim Fefmiu, Ismail Kadare e shumë e shumë të tjerë.

Dikush që vjen nga një vend i zhvilluar, i përparuar, jo domosdoshmërisht do të thotë se ai person vetë është më i ditur, më i përparuar, më i zoti se ti, për të vetmen arsye se po na vika nga një vend i madh, i zhvilluar. Vendi i tij mund të jetë më i zhvillur, më i përparuar, por ai vetë mund të jetë nën nivelin tënd. Përsse Ismail Kadare, Inva Mula, Majlinda Kelmendi e shumë të tjerë duhet ta ndiejnë veten inferiorë?! Cka kanë të tjerët më shumë se ata/ato? Asgjë. Kur i përket një populli të vogël, me shekuj të shtypur, atëherë ndihesh pak i druajtur, i tërhequr kur ndodhesh në mesin e të tjerëve. Kjo ndodh zakonisht në fillim, por me kalimin e kohës e sheh se të tjerët nuk janë më të mirë, më të zotët se ti. Këtë e kam ndier edhe vetë si dhe shumë kolege e kolegë të mi nga të gjitha viset shqiptare që kemi studiuar në universitetet e ish Jugosllavisë: Zagreb, Beograd, Sarajevë, Lubjanë, etj. (Unë kam studiuar në Universitetin e Zagrebit). Në fillim i kemi patur rezervat, druajtjet tona, sepse po vinim nga pjesët më të pazhvilluara të ish Jugosllavisë dhe tani po studionim së bashku me kolegët tanë nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, Spliti, Rijeka e shumë qytete të tjera që ofronin kushte, një jetë shumë më të mirë se vendbanimet tona. Por, pas pak kohe e kemi parë se në përgjithësi ata nuk ishin më të mirë, më të zotët se ne, dhe se kjo nuk kishte të bënte fare me përkatësinë kombëtare, apo vendlindjet tona. Me punë të përkushtuar, me vullnet të çelikët e me një vendosmëri për të ecur përpara çdo gjë është e mundur, çdo gjë mund të kompenzohet.

Disa e ndërrojnë edhe emrin për ta fshehur kombësinë e tyre, duke menduar, gabimisht, se nëse i pëkasësh një kombi, vendi të përparuar mund t’i maskosh të metat tua. Bota të respekton, vlerëson për atë që je, dhe për atë që mëton të jeshë. Kopja gjithmonë është më e shëmtuar se origjinali. Figurat tona të ndritura të përmendura më lart i ka bërë të madhërishme puna e tyre, talenti i tyre. Ata nuk e kanë mëshehur përkatësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, është i njohur rasti i Bekim Fehmiut kur me këmbëngulje ka kërkuar që në shtypin Italian të korrigjohej përkatësia e tij e gabuar kombëtare, “aktori jugosllav”, me “aktori shqiptar nga Jugosllavia”. Përndryshe ai do të tërhiqej nga projekti i filmit për Odiseun. Edhe një rast tjetër që lidhet me Bekim Fehmiun: Sipas bashkëshortes së tij, aktores, Branka Petriq, gjatë gjirimit të filmit “Avanturistët” Bekimit i kanë kërkuar që ai ta ndërrojë emrin, por ai kurrsesi nuk ka pranuar. Jo rastësisht e përmenda rastin e Bekimit, sepse shqiptarët në ish Jugosllavi për shkak të shtypjes së egër që ushtrohej ndaj tyre, mungesës së të drejtave më elementare, kishin mbetur prapa të tjerëve. Shpeshherë fyheshin dhe bëheshin objekt talljeje. Por, kur shqiptarët i fituan disa të drejta, ata e shfrytëzuan rastin dhe shkëlqyen gati në të gjtha lëmitë: kulturë, shkencë, sport, etj. Kur për magjistraturën time e fillova punën eksperimentale në një laborator të Fakultetit të Farmacisë e Biokimisë në Zagreb, ku edhe kisha studiuar, pas ca muajsh kur u bëmë pak më te afërt me njëri – tjetrin një docente me shumë dashamirësi m’u drejtua: “Koleg, ne nuk e kemi ditur që ka shqiptar që punon kështu.” Ju lutem mos e merrni këtë si një vetëlavdërim, sepse ka shumë shqiptarë që janë më të aftë e më të zotët se unë. E mora vetëm si shembull që më ka ndodhur mua. Jam i sigurt se u ka ndodhur edhe shumë të tjerëve.

Në një takim që patëm me sopranon e njohur, Ermonela Jaho, në shoqatën “Bijtë e shqipes” në Filadelfia, në tetor të vitit 2006, gjatë bisedës ajo na tregoi për një ngjarje që i kishte ndodhur në fillim të karrierës së saj në Itali: Kur paraqitësi i programit e kishte paraqitur atë si, sopranoja nga Shqipëria, salla kishte filluar të qeshte me tallje. Atëherë, ajo na tregoi, se edhe pse nga natyra është pak e turpshme, ajo e kishte mbledhur guximin dhe i ishte drejtuar publikut: “Pse po qeshni? Ju ende nuk më keni dëgjuar duke kënduar. Pasi e mbarova këngën e paraparë në program, iu drejtova përsëri publikut duke u thënë se, tani do t’u këndoja një këngë nga vendi im, këngën “Asaman, o lule”. Salla pastaj shpërtheu në duartrokitje”. Më duket se s’ka nevojë për koment. Janë këto figura që i kanë dhënë nder kombit, emrit të tyre dhe nuk kanë kërkuar lavdi në emrin e ndonjë kombi tjetër të cilit nuk i përkasin. Kombi na nderon vetëm atëherë kur ne e nderojmë atë. Secili komb, i madh e i vogel, i ka veset dhe virtytet e veta, te mirët dhe të këqinjtë e vet. Prandaj, nuk duhet të ndihemi inferiorë, më të ulët, të kmpleksuar ndaj të tjerëve.

Ka edhe nga ata që në ndonjë situatë të caktuar i kanë mohuar, janë fshehur nga prindërit e tyre. Ka raste që ne i njohim personalisht kur nxënësi që ka qenë duke u shkolluar në qytet kur e ka parë prindin fshatar në qytet i është larguar, e ka mospërfillur kur ka qenë në shoqëri të shokëve të tij të shkollës. Për këtë temë, shkrimtari më i njohur slloven, Ivan Cankar (1876 – 1918), e ka një tregim të shkurtër antologjik me elemente vetëjetëshkrimore (autobiografike), “Greh” (“Mëkati”).  Këtë tregim e kemi patur në librin tonë të leximit në një nga vitet e shkollës fillore dhe që nga ajo kohë më është ngulitur thelle në kokën, mendjen time. Shkurtimisht, një nënë udhëton në këmbë për katër orë nga fshati për ta vizituar djalin e saj që shkonte në shkollë në Lubjanë, për t’i sjellur këmishat e lara dhe ca para. Ajo ishte duke pritur djalin e saj para dyerëve të shkollës kur zilja bie dhe nxënësit dalin nga shkolla pas përfundimit të mësimit. Kur djali e sheh nënën e tij të rraskapitur, të veshur me veshje fshatare, me çizmet e baltosura dhe me një boshçe ku i kishte këmishat e tij, djali nuk i paraqitet asaj. Një shok i klasës e pyet djalin se mos ishte ajo nëna e tij. Ai ia kthen: “Jo, ajo nuk është nëna ime”. Djali duke u fshehur në turmën e nxënësve largohet pa e takuar nënën e tij. Nëna pret për një kohë të gjatë dhe kur nuk e sheh djalin e saj niset drejt banesës së tij, duke menduar se mos ndoshta djali është i sëmurë dhe nuk ka ardhur në shkollë. Djalin e gjen në banesë dhe i tregon se e kishte pritur para shkollës, por djali i thotë se nuk e kishte parë. Dikur pasdite nëna niset për t’u kthyer në fshat. Djali e përcjell nënën nëpër qytet, por tani e bren ndërgjegjja për atë që kishte bërë pak më parë dhe dëshiron t’u thotë të gjithëve se ajo ishte nëna e tij. Kthehet në banesë dhe qanë me të madhe, por mëkati kishte zënë vend, ishte ngulitur në shpirtin e tij dhe të gjitha lotët e derdhura nuk mund ta lanin më.

Pra, kjo ndjenja e të qenit inferiorë ndaj të tjerëve manifestohet edhe te disa kombe të tjera. Në vitin 1977 në Qendrën Kulturore Studentore ne Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri, profesori në pension i Fakultetit të Farmacisë, eksperti botëror i bimëve mjekësore, dr. Jovan Tucakov (1905 – 1978) e mbajti nje ligjëratë për bimët mjekësore dhe përdorimin e tyre për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Ishin të pranishëm studentë nga një pjesë e mirë e territorit të ish Jugosllavise, isha edhe une dhe kolegu im i studimeve, Ekrem Guri (tani i ndjerë). (Unë atëherë studioja në Universitetin e Beogradit dhe po atë vit në vjeshtë kam kaluar në Universitetin e Zagrebit). Gjatë ligjeratës profesori e pyeste ndonjë student se prej nga ishin dhe kur ata i tregonin emrin e fshatit ai u tregonte se cilat bimë rriteshin në fshatin e tyre dhe pikërisht në cilin vend. Pastaj u tregonte për disa zakone, tradita të fshatit të tyre, si u këndonin bletëve, etj. Studentët pak si të turpëruar e ulnin kokën, ndërsa profesori pak si me qortim u drejtohej: “Mos u turpëroni nga prejardhja e juaj!”

Rëndësi kanë vlerat njerëzore që ti i rrezaton dhe jo emri yt, kombësia apo vendi prej nga vjen. Sillu mirë, me kulturë e respekt ndaj të tjerëve, tregohu i zoti në leminë, punën tënde dhe të gjithë do të respektojnë. Vlerat janë arma më e fortë për t’i luftuar urrejtjen dhe paragjykimet.

Philadelphia, 21 mars, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.