Të paktën 120 të vdekur në një rrëmujë gjatë festimit të Halloween-it në Seul

Seul, 29 tetor 2022 – Të paktën 120 persona e humbën jetën dhe 100 të tjerë u plagosën në një rrëmujë që ndodhi gjatë festimit të Halloween, të shtunën në mbrëmje, në Seul, njoftuan autoritetet koreano-jugore.

Reuters raportoi se disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike, prandaj dyshohet se numri i viktimave nuk është përfundimtar.

Sipas zyrtarëve koreano-jugor, aksidenti ndodhi kur njerëzit u shtypën për vdekje në një turmë të madhe në një rrugicë të ngushtë, në zonën Itaewon. Agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap raportoi se rreth 50 persona pësuan arrest kardiak.

Në pamjet nga vendi i ngjarjes shihen çanta krahu në rrugë, punonjës mjekësorë që përpiqen të mbajnë në jetë njerëzit e lënduar dhe shpëtimtarët që përpiqen të nxjerrin njerëzit e bllokuar nën të tjerët, raportoi BBC.

Choi Cheon-sik, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Zjarrfikësve të Koresë së Jugut, tha se rrëmuja besohet të ketë ndodhur kur turma u shty përpara në një rrugicë të ngushtë pranë hotelit Hamilton. Kjo zonë është vendi kryesor i festës në Seul.

Disa media lokale raportuan se rrëmuja ndodhi kur një numër i madh njerëzish nxituan të hyjnë në një bar në Itaewon, pasi dëgjuan se aty ndodhej një personazh i famshëm. 

Më shumë se 400 punonjës të urgjencës nga gjithë vendi u dërguan në Seul për të ndihmuar në trajtimin e të plagosurve.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, bëri thirrje që të lënduarit të trajtohen shpejt dhe u kërkoi zyrtarëve të rishikojnë protokollet e sigurisë në vendgumbullimet për festimin e Halloween-it.

Presidenti urdhëroi Ministrinë e Shëndetësisë të punësojë ekipe të ndihmës mjekësore për situata emergjente dhe të sigurojë shtretër në spitale për të lënduarit.

Kryebashkiaku i Seulit, Oh Se-hoon, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Evropë, e ka anuluar pjesën tjetër të udhëtimit të tij, për t’u kthyer në Seul sa më parë.

(r.m.)