“Te panginjurit”

Memoriali i të uriturve, Irlandë

Nga Sebastian Zonja

Skulpturë në përkujtim të atyre që humbën jetën gjatë Zisë së Madhe të Bukës. Për pesë vjet, nga viti 1845 deri më 1850-ën, në Irlandë vdiqën më shumë se çereku i popullsisë, teksa mijëra largoheshin përditë nga vendi. 

Një milion e gjysmë njerëz do të vdisnin si pasojë e zisë së bukës, ndërsa dy milion të tjerë do të emigronin, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andaj sot mund të gjurmosh mbi 50 milionë amerikanë me prejardhje irlandeze. 

Asokohe, Irlanda ishte e pushtuar nga anglezët, ishte pjesë e kurorës së mbretëreshës Viktoria, dhe një ndër arsyet pse inatet janë të forta ende sot mes anglezëve dhe irlandezëve, është edhe kjo ngjarje e rëndë.

Bujqit irlandezë merrnin me qira tokën nga latifondistët anglezë. Ata jetonin në varfëri të thellë, dhe mjaft bukur këtë varfëri të asaj kohe e përshkruan Çarls Dikensi e autorë të tjerë . Bujqit irlandezë rrisnin shumë patate. Ajo, ndoshta prej andej e ka marrë shprehjen diktatori ynë, ishte edhe bukë, edhe gjellë. Në ato vite ra një sëmundje kërpudhore te patatet dhe i gjithë prodhimi u detyrua të hidhej. Shumë që e konsumuan edhe vdiqën. Për shkak të kësaj sëmundjeje që ra në patate, nisi edhe zia e madhe e bukës. 

Ndërkohë, për shkak të mungesës së tekonologjisë, në atë periudhë ishte popullore teoria e Maltusit. Konspiracionet shpërthyen kudo. Sipas këtij teoricieni popullsia rritet më shpejt se prodhimi bujqësor, prandaj duhen luftëra, epidemi, uri dhe spastrime për të mbajtur nën kontroll popullsinë.

Edhe sot kemi të njëjtën teori të maltusit me pandeminë e Covid-19, por për ekspertët, kjo teori nuk qendron më për shkak të teknologjizimit masiv, ku prodhimi nuk varet më nga fuqia e krahut.

Sa i përket situatës politike, Londra, thirrjeve për të ndihmuar irlandezet që të mos vdisnin, i përgjigjej me teorinë se njerëzit duhet të mësohen të jetojnë brenda të ardhurave të veta. Sipas tyre, po i ndihmuam këtë radhë, do kërkojnë gjithmonë dhe do të krijohet varësi.

– Çfarë do mendojnë ata që e fitojnë vet nëqoftëse disa te tjerëve u japim lëmoshë? – thoshin zyrtarët anglezë.

Pasojat e ngjarjes dihen – uri, vdekje, emigrim, skamni dhe tmerre.

Vlen të sillet në vëmendje se një ndihmë të madhe irlandezëve u dërgoi Perandoria Osmane. Sulltani i kohës nisi me dhjetëra anije me grurë, misër e patate për t’i ndihmuar.

Pothuajse dyqind vjet pas kësaj tragjedie të tmerrshme, Mbretëria e Bashkuar nuk ka bërë asnjë deklaratë për të mbajtur sadopak përgjegjësi, teksa shumë irlandezë e cilësojnë gjenocid.