Të rinjtë nga Shkodra dhe Ulqini aftësohen për sektorin e turizmit

Shkodër, 20 qershor 2021Të rinj të shkollave profesionale nga Shkodra dhe Ulqini janë bashkuar në panairin “Rrugët e zhvillimit në sektorin e turizmit”, hapur në qendër të qytetit të Shkodrës me punimet e vetë të rinjve të këtyre shkollave. Panairi është pjesë e një programi ndërkufitar , financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga organizata World Vizion, që synon pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës të sektorit turistik në të dy vendet. Një pjesë e nxënësve të dy shkollat profesionale, “Hamdi Bushati” në Shkodër dhe “Vllaznim-Bashkim” në Ulqin, kanë arritur tashmë të punësohen, ndërkohë që vazhdojnë ende mësimet.

E reja nga Ulqini, Arisa Dervishi, është nxënëse e shkollës së mesme profesionale “Vllaznim-Bashkim” në Ulqin. Ajo thotë se pandemia e ka dëmtuar rëndë turizmin bregdetar, po ndërkohë shënjat e rigjallërimit kanë nisur të shfaqen.

Shpresoj që sivjet të jetë më mirë se vitin e kaluar. Për fat të keq, vjet ka qenë një sezon mjaft i dobët. Më vjen keq për shume familje të Ulqinit, sepse ne jetojmë prej kësaj punës verore dhe shpresojmë që kjo verë të ketë më shumë turistë. Unë kam filluar një punë, është java e tretë që po punoj. Dhe, me sa po duket, më shumë turistë ka se vjet. Por shpresojmë se me mbylljen e shkollave të ketë një numër edhe më të madh të turistave dhe një sezon më të mirë”.

Dy qytetet ndërkufitare kanë një vijë bregdetare prej rreth 30 kilometrash, me një mundësi të madhe për zhvillimin ekonomik përmes sektorit të turizmit. Por, shumë prej bizneseve ankohen se pas periudhës së pandemisë po ndeshen me vështirësi për punësimin e punonjësve të kualifikuar në sektorin turistik.

“Turizmi kaloi një periudhë shumë të vështirë në fakt, si shkak i pandemisë globale dhe, kush më mirë se të rinjtë tanë, me energjinë, pozitivitetin, vullnetin e mirë që kanë, mund ta çojnë përpara këtë sektor të rëndësishëm për vendin tonë”.

Prej disa muajsh të rinjtë nga Shkodra dhe Ulqini po bashkëpunojnë jo vetëm përmes programeve mësimore, por edhe veprimarive praktike. Përfaqësuesja e organizatës “Horizonti i ri” në Ulqin, Allmedina Doda, thotë se, gjatë muajve të sezonit turistik, shumë të rinj nga Shkodra punësohen në Ulqin dhe shumë të rinj nga Ulqini punësohen në Velipojë.

“Duke marrë parasysh që dy qytetet janë qytete turistike dhe që turizmi është fokusi i tyre, ne e shikojmë si shumë të rëndësishëm që të krijojmë ura lidhëse në mes të të rinjve të Shkodrës dhe Ulqinit. Sepse vetëm në ketë mënyrë mund të krijojnë në të ardhmen partneritete në fushën e biznesit, në fushën e turizmit”.

Bregdeti i Ulqinit dhe Shkodrës, me një gjatësi prej rreth 30 kilometrash, paraqet mundësi të mira punësimi për të rinjtë gjatë sezonit turistik veror, por përfaqësuesit e bizneseve thonë se tashmë në plan të parë ka dalë nevoja e kuafilifikimit të të rinjve për t’u punësuar në këtë sektor, që po zhvillohet me ritme të shpejta.

(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)

Comment

*