“Teatri”, Kim-Soreca të shpjegojnë rolin për moszbatimin e vendimit të GJK

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit doli në akuza të forta ndaj institucioneve të drejtësisë, të cilat sipas saj nuk po bëjnë asnjë hetim për shembjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar. Adriana Kalaja  u kërkoi dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë që të shpjegojnë rolin e tyre në këtë çështje.

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca duhet të sqarojnë rolin që ata patën në mosekzekutimn e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e shembjes së godinës historike të Teatrit Kombëtar.

Është kjo kërkesa që u artikulua paraditen e së kësaj të hëne nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

“Ne jemi para faktit që kallëzimet penale që bëjmë ndaj prokurorëve i analizojnë dhe i bëjnë me mosfillim vetë prokurorët në aleancë me një ri-tjetrin. Duke qenë kolegë dhe miq këta e vendosin shumë lehtë në kundërshtim me dispozitat, në kundërshtim m gjithë Kodin Penal të Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale duke bërë mosfillimin e kallëzimeve tona pa marrë mundimin që të bëjnë minumumin e hetimit,” tha Kalaja.  

Gjykata Kushtetuese në korrik të vitit të kaluar vendosi  pezullimin e punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, dhe lidhur me këtë avokatja Adriana Kalaja deklaroi se nuk po bëhet asnjë hetim lidhur me këtë çështje e cila ka mbetur përgjysmë.

“Do ta theksojmë deri në momentin e fundit se kur nuk ka një ekzekutim të vendimit të GJK ka rënë shteti ligjor. Këta 2 ambasadorë që përfaqësojnë njëri BE, tjetri SHBA dhe meqë presupozojnë nëpërmjet propagandës se janë pro reformës në drejtësi, le të dalin dhe të prononcohen se si nga organet kompetente të refuzohet dhe të ndalohet ekzekutimi i ndalimit të GJK,” tha Kalaja.

Aleanca deklaron se do t’i shkojë deri në fund këtij problemi me ose pa mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Me shkatërrimin e Teatrit eksperimental aktori dhe regjisori Edmond Budina u shpreh se kultura e këtij vendi po nëpërkëmbet.

Comment

*