Tensione në Kuvendin e Kosovës, opozita e pengoi mbarëvajtjen e seancës plenare

Prishtinë, 5 maj 2022 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka ftuar në takim nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare për të diskutuar për vazhdimin e seancës plenare, e cila është ndërprerë për shkak të protestës së deputetëve opozitarë brenda sallës.

“Ftoj nënkryetarët e kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare që ta mbajmë një mbledhje për të diskutuar për procedimin e mëtutjeshëm të seancës dhe pastaj takohemi në orën 14:00”, ka thënë Konjufca.

Ftesa për mbajtjen e këtij takimi erdhi pas tensioneve të shumta të shkaktuara nga partitë opozitare, të cilat duke goditur tavolinat e tyre bënin zhurmë dhe pengonin punën e Kuvendit të Kosovës me kërkesën për të vazhduar seancën e mbetur në gjysmë për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

Duke qenë se kryeparlamentari Konjufca tha se nuk e sheh të arsyeshme ndërprerjen e seancës së sotme, ajo vazhdoi me pikat e rendit të ditës, ku njëra prej tyre ishte votimi i dy kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese.

Në momentin kur nisi votimi, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e morën kutinë e votimeve dhe e dërguan te vendet ku ulen deputetët e kësaj partie. Pas tyre, kutinë e votimit e morën edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, për të mos lejuar votimin. Kështu, puna e Kuvendit u bllokua dhe tani pritet vendimi i anëtarëve të kryesisë  dhe i shefave të grupeve parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë kërkesën e partive opozitare për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike të këtij viti. Ajo insiston në krijimin e një komisioni që do të hetonte menaxhimin e sektorit të energjisë që prej vitit 2006. Por, partitë opozitare këmbëngulin në kërkesën e tyre. Ato kanë thënë se do të bllokojnë votimin e të gjitha ligjeve derisa të formohet komisioni që ajo po e kërkon.

Opozita nuk ka vota të mjaftueshme për formimin e komisionit pambështetjen e Vetëvendosjes, por pozita nuk i ka votat për të miratuar ligjet që kërkojnë votat e dy të tretave të përbërjes së kuvendit.   

(r.m.)