Tensione në Mal të Zi, para ceremonisë së shugurimit të kryepeshkopit Joanikije

Podgoricë, 4 shtator 2021 – Në Mal të Zi po mbetëron një situatë të tensionuar. Situata është tensionuar në prag të ceremonisë së shugurimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Ceremonia është paraparë të mbahet në Manastirin e Cetinjes, ku gjendet selia e Kishës Ortodokse Serbe për Mal të Zi.

Organizimi i kësaj ceremonie është kundërshtuar nga udhëheqja e komunës së Cetinjes, nga një parti politike dhe nga disa organizata të shoqërisë civile.

Të shtunën, disa kundërshtarë të ceremonisë protestuan në hyrje të qytetit, ku ngritën edhe barrikada për të penguar hyrjen në qytet të krerëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe të pelegrinëve nga Serbia.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi ka shprehur shqetësimin për situatën e sigurisë në vend, ndërsa në Cetinje janë vendosur forca të mëdha policore për të parandaluar incidentet eventuale.

Komuniteti Ndërkombëtar në Mal të Zi u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike për uljen e tensioneve.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjitha palëve në Mal të Zi, veçanërisht udhëheqësve politikë, që të veprojnë për uljen e tensioneve.

“Të gjithë, veçanërisht udhëheqësit politikë, duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës për të ulur tensionet, pasi siguria publike është thelbësore”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Edhe Zyra e Kombeve të Bashkuara në Mal të Zi dhe Bashkimi Evropian janë shprehur shqetësimin për rritjen e tensioneve.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve, veçanërisht atyre që mbajnë pozita me autoritet dhe ndikim, të japin kontribut të drejtpërdrejtë në qetësimin e tensioneve dhe në ndërtimin e besimit”, ka thënë koordinatori i OKB-së, Peter Lundberg, në emër të ekipit të OKB-së në Mal të Zi.

Kisha Ortodokse e Malit të Zi synon të shkëputetët nga Kisha Ortodokse Serbe, nën kupolën e së cilës gjendet aktualisht.

Qyteti i Cetinjes, dikur ka qenë kryeqendra e Malit të Zi, ndërsa sot konsiderohet si kryeqyteti kulturor dhe historik i këtij vendi.

Vlladimir Veljkoviq një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë ka thënë se në Cetinje kryqëzohen pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze.

“Në radhë të pare, Cetinje është kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi dhe, nga ana tjetër, është edhe selia e peshkopëve malazezë, gjegjësisht Mitropolisë së Malit të Zi, prandaj tani kemi dy koncepte të ndryshme lidhur me simbolikën e Cetinjes”, ka thënë Velkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Kjo nuk është hera e parë që në këtë qytet ka tensione për shkak të Kishës Ortodokse.

Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm, Amfilohije, dërgoi në ambientet e Manastirit të Cetinjes pjesëtarë të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviq, i njohur me nofkën “Arkan”, me arsyetim se manastiri duhet të mbrohej nga “separatistët malazezë”.

Në 30 vjetët e fundit, për të gjitha festat fetare në këtë qytet janë dërguar forca të mëdha policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe ata të Kishës Ortodokse Malazeze organizojnë ceremoni ndaras.

Në fillim të marsit, një grup qytetarësh malazezë protestuan në rrugë derisa delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi, e cila konsiderohet qeveri proserbe, vendosi një kurorë lulesh mbi varrin e mbretit Nikolla, sovranit të fundit malazez. Protestuesit brohorisnin “Çetnikë!” dhe “Mali i Zi nuk do të jetë kurrë bregdet i Serbisë”.

Sesioni pranveror i Parlamentit të Malit të Zi, më 25 mars, i cili zakonisht mbahet në Cetinje, u mbajt nën masa të rrepta sigurie. Rreth 200 protestues malazezë u mblodhën para sallës ku mbahej seanca dhe brohoritnin “Kjo nuk është qeveria jonë”, “Kjo është tradhti ndaj Malit të Zi”, etj.

Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi ku vitin e kaluar nuk u organizuan tubime protestuese kundër Ligjit për Liritë Fetare, të organizauara nga Kisha Ortodokse Serbe.

Miratimi i këtij ligji pati shkaktuar tensione të mëdha në Mal të Zi. Kisha Ortodokse Serbe, e cila e gëzon përkrahjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi, pretendon pronësinë ndaj shumë kishave dhe manastireve, të cilat i konsideron si të vetat.

Pothuajse të gjitha partitë politike opozitare,në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve, udhëheqja e komunës së Cetinjes dhe shoqatat kombëtare malazeze e kundërshtojnë ceremoninë e shugurimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije. Ata e konsiderojnë këtë ceremony si simbol të “pushtimit” të Malit të Zi nga Serbia.

(r.m.)

Comment

*