Tensione në pjesën veriore të Kosovës, grupe qytetarësh serbë përplasen me policinë

Prishtinë, 26 maj 2023 – Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, tha policia në në një njoftim.

Në hyrje të komunës së Zveçanit pati edhe gaz lotsjellës dhe shpërthim shashkash, ndërsa të paktën një makine të policisë iu vu flaka.

“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan një ditë më parë nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

Marrëveshja Kosovë – Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe ata për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

(Zëri i Amerikës)