Tensionet në Kosovë po zhveshin politikën e Serbisë dhe standardet e dyfishta të Brukselit

Mehmet PRISHTINA

Sa më shumë që Serbia po përqendrohet jo në paqe, por në konflikte me Kosovën, mediat ndërkombëtare dhe ekspertë të fushave të ndryshme po drejtojnë kritika në adresë të Brukselit, sidomos për qëndrimin e BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje, tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës u bënë shkak që shumë studiues e analistë perëndimorë, të flasin pa dorashka dhe të drejtojnë gishtin kah segmente të caktuara të diplomacisë evropiane.

 

Krizat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës të shkaktuara nga Serbia, përpos pasojave negative që reflektohen në stabilitetin e vendit, po nxjerrin në pah edhe një anë të mirë: përmes këtyre krizave gjithnjë e më tepër po zbulohet fytyra e vërtetë e politikës hegjemoniste serbe, e cila Kosovën vazhdon ta përdorë si laborator të projekteve të të ashtuquajturës “botë serbe”. Pra, më shumë që Serbia po përqendrohet jo në paqe, por në konflikte me Kosovën, mediat ndërkombëtare dhe ekspertë të fushave të ndryshme po drejtojnë kritika në adresë të Brukselit, sidomos për qëndrimin e BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje, tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës u bënë shkak që shumë studiues e analistë perëndimorë, të flasin pa dorashka dhe të drejtojnë gishtin kah segmente të caktuara të diplomacisë evropiane.

Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, i cili është një njohës i shkëlqyer i historisë së Ballkanit, e ka kritikuar BE-në për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv. Sipas Schmittit, kryeministri Albin Kurti dallon nga paraardhësit e tij ndaj të cilëve BE-ja mund të ushtronte lehtë presion ngase ishin të diskredituar nga aktivitetet me gjasë kriminale.

Në një intervistë dhënë gazetës austriake “Der Standard”, historiani i njohur Oliver Schmitt e ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë. Ai ka theksuar se kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të agresionit rus në Ukrainë.

Në po të njejtat valë ishte edhe eksperti për Ballkanin në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, i cili duke komentuar incidentet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë barrikadat dhe plagosjen e dy të rinjëve serbë afër Shtërpcës, në një prononcim për gazetën gjermane Bild, ka thënë se ato mund të mos jenë të fundit.

Clewing është shprehur se “konfliktet e dhunshme lokale në veri të Kosovës janë veçanërisht të pritshme”, ndërsa ka shtuar se “zhvillimet janë ‘krejtësisht të hapura’ dhe përveç luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ‘pothuajse gjithçka është e mundshme’”.

Jo pak media serioze ndërkombëtare me të drejtë kanë vërejtur se veprimet destruktive të Beogradit nuk do të kishin shtrirje në Kosovë, nëse diplomacia ndërkomnbëtare do të ishte më rigoroze ndaj Vuçiqit. Media prestigjioze amerikane “Bloomberg”,  në një analizë të zhvillimeve të fundit në Kosovë, ndër të tjera, shkruan se SHBA dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi të dyja palët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike, përpara se ajo të fillojë

“Më shumë se dy dekada që kur NATO hyri në luftë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit sërish është në rrezik. Përshkallëzimi i tensioneve midis Qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur perspektivën e ripërtëritjes së luftës që mund të tërheqë Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3,700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”, shkruan “Bloomberg”.

Më tej në analizë thuhet se “me qeveritë perëndimore të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si një shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim fatal”.

Emërues i përbashkët i analizave dhe studimeve që po bëhen kohët e fundit mbi raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht mbi rolin aspak konstruktiv të Beogradit në drejtim të tejkalimit të problemeve, është gjithsesi një qasje pakashumë më objektive që jo me çdo kusht vendos simetri të fajit dhe përgjegjësisë, siç ishte vërejtur në të kaluarën, kur Kosova fajësohej njësoj si Serbia për eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Madje Greg Delawie, ish-ambasador i SHBA-ve në Kosovë, në një prononcim për mediat, tha shprehimisht se BE duhet të heqë dorë nga barazimi i fajit, në rastet kur Serbia ka më shumë faj.

“BE-ja mund ta zgjidhë problemin, por ajo duhet të heqë dorë nga zakoni i saj i ‘bothsides-ism’ që i trajton masat serbe si grumbullimi i forcave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën në të njëjtën kategori me kërkesën e Kosovës për targa të ligjshme të makinave brenda territorit të saj”.

Sigurisht që këto qëndrime ndërkombëtare nuk kanë mbetur pa u reflektuar edhe në Beograd. Mediat e atjeshme po transmetojnë deklarata të ndryshme, në të cilat del në sipërfaqe njëfarë zhgënjimi nga politikat e Vuçiqit ndaj Kosovës. 

Nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk e pranon planin evropian, franko-gjerman, për Kosovën, të mbështetur nga SHBA-ja, nuk do të kalojë pa pasoja për qytetarët e Serbisë. Sipas  ish-diplomatit Sreçko Gjukiq, disa skenarë janë në lojë.  Njëri, më i favorshmi, të ofrohet sa më parë një plan tjetër që nuk do të përmbajë dispozitën e kontestuar për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Megjithatë, kjo është me të vërtetë e pamundur, sepse gjithçka që po bëhet po bëhet për të legjitimuar Kosovën në organizatën botërore dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, pa njohje formale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Gjukiq.

“Në rast se negociatat dështojnë, pa dyshim se do të ishte sërish faji i Beogradit. Do të fajësohet se nuk është bashkëpunues. Historia e Rambujesë po përsëritet”, shton ai.

Ndërkaq Goran Miletiq, drejtor programi i Civil Rights Defenders, tha për gazetën  e pavarur “Danas” se është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe që gjithçka të mbetet njëjtë, pa asnjë pasojë negative për Serbinë.

Kur jemi te pasojat, tani në Beograd mediat e pavarura haptazi shkruajnë se Serbia ndodhet në një pozicion shumë të vështirë. Ajo duhet të zgjedhë mes Rusisë ose Perëndimit. Nëse nuk e zgjedh anën e duhur, Brukseli mund të pezullojë ndihmën financiare, e cila do të thoshte fund i investimeve të ardhshme. Por, mund të jetë shumë më keq: fundi i udhëtimit pa viza në BE dhe një pezullim i asistencës nga fondet e Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA) dhe pezullimin e statusit të vendit kandidat përanëtarësim në BE.

Pra, politika destabilizuese e Serbisë e ka edhe një anë të mirë. Është në duart e kosovarëve ta kanalizojnë drejt diskursin publik që e nxjerr Serbinë lakuriq në sy të botës.

Prishtinë, 16.01.2023