Tensionet Ukrainë-Rusi, Biden bisedon të dielën me Zelenskyin

Uashington, 1janar 2022 – Presidenti Joe Biden do të zhvillojë të dielën një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, bëri të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Në ditët e fundit të vitit 2021 Presidenti Biden bisedoi me homologun rus Vladimir Putin, në përpjekje për të ulur tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi.

Të premten Presidenti Biden u tha gazetarëve se ai ia kishte ripërsëritur zotit Putin qëndrimin se një sulm ndaj Ukrainës do të përballej me sanksione dhe me një prani të shtuar të SHBA-së në Evropë, ku tensionet janë të larta për shkak të rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në kufi.

Biseda telefonike të enjten mes dy udhëheqësve zgjati 50 minuta.

Presidenti amerikan tha se kishte rënë dakord me zotin Putin për zhvillimin e “tri konferencave të mëdha” muajin e ardhshëm, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje. Ai shtoi se priste përparim nga negociatat.

Por, zoti Biden tha se gjatë bisedës me zotin Putin e kishte bërë të qartë se kjo mund të funksiononte vetëm nëse ai (Putini) i ulte tensionet.

Biseda Biden-Putin i hap rrugën bisedimeve të nivelit më të ulët që përfshin takimin për çështje të sigurisë SHBA-Rusi më 9 e 10 janar, pastaj një takim të Këshillit NATO-Rusi më 12 janar dhe një konferencë më të gjerë që përfshin Rusinë, SHBA-në dhe vende të tjera evropiane, më 13 janar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u përpoq të hidhte bazat për këto bisedime të premten, gjatë një telefonate me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe me udhëheqës të vendeve të tjera, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Në bisedat me ministrat e jashtëm të Kanadasë dhe të Italisë, zoti Blinken diskutoi rreth një përgjigje të bashkuar për të ndalur, siç tha, agresionin e mëtejshëm rus kundër Ukrainës.

(Zëri i Amerikës)