Tërhiqet gjyqtari i zgjedhur përgjykimin e statutit të PD-së të miratuar nga Kuvendi i Berishës

Tiranë, 18 dhjetor 2021 – Është tërhequr gjyqtari që ishte zgjedhur në krye të trupës që duhet të gjykonte çështjen e ndryshimeve në statutin e Partisë Demokratike, të miratuara në Kuvendin Kombëtar të partisë, të mbajtur më 11 dhjetor, të thirrur nga ish-kryetari i partisë, Sali Berisha.

Burime të abcnews.al kanë bërë të ditur se gjyqtari Agron Zhukri e ka depozituar kërkesën për tërheqjen e tij nga çështja, por nuk ka dhënë asnjë arsye për tërheqjen.

Në lidhje me këtë çështje gjyqësore pritet të hidhet përsëri shorti për zgjedhjen e gjyqtarit që do ta zëvendësojë Zhukrin dhe do të marrë në dorëzim çështjen.

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i depozitoi më 15 dhjetor në gjykatë ndryshimet statutore që u miratuan në Kuvendin Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, me qëllim që të legalizojë ndryshimet e miratuara.

Tri ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka depozituar në Gjykatën e Tiranës ndryshimet në statutin e partisë, të miratuara nga Kuvendi Kombëtar më 17 korrik. Dosja e depozituar nga Basha është në duart e gjyqtares Blerina Muça.

(r.m.)

Comment

*