Tërmet i fuqishëm në Haiti, të paktën 227 të vdekur

Port-au-Prince (Haiti), 14 gusht 2021 – Një tërmet i fuqishëm që goditi shtetin e Haitit ka vrarë të paktën 227 persona.

Tërmeti 7.2 ballësh të Rihterit goditi pjesën perëndimore të vendit mëngjesin e të shtunës, duke shkatërruar ndërtesa, përfshirë kisha e hotele.

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry tha se ka “dëme të mëdha” në pjesë të shtetit dhe ai shpalli një muaj gjendje të jashtëzakonshme.

Haiti ende po rikuperohet nga shkatërrimi që la pas një tërmet që ndodhi më 2010.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 12 kilometra nga qyteti Saint-Louis du Sud, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, shkruan BBC.

Dridhjet e tokës janë ndierë edhe në kryeqytetin Port-au-Prince, rreth 125 kilometra larg epiqendrës, si dhe në shtete fqinje.

“Shumë shtëpi janë shkatërruar, njerëzit kanë vdekur, disa janë në spitale”, tha për agjencinë AFP, Christella Saint Hilaire që banon në afërsi të epiqendrës së tërmetit.

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry tha se ka mobilizuar një ekip për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të “përballemi me këtë situatë dramatike të cilën po e jetojmë tani”.

Ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka autorizuar “një përgjigje të menjëhershme amerikane” për të ndihmuar Haitin.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së ka paralajmëruar se tërmeti mund të rezultojë në mijëra viktima dhe të lënduar. Gjithashtu, ka regjistruar gjashtë goditje pasuese që janë ndierë në rajon, ku një prej dridhjeve ka qenë 5.1 shkallë.

Më 2010, nga një tërmet i fuqishëm në Haiti u vranë mbi 200.000 persona dhe lëkundjet e tokës shkaktuan dëme masive në infrastrukturën dhe ekonominë e këtij shteti.

(REL)