“Teuta” e Durrësit shpallet kampione e Shqipërisë në futboll

Tiranë, 26 maj 2021 – Durrësi po feston. Klubi i qytetit, “Teuta”, e fitoi titullin e kampionit të Shqipërisë në futboll. Ky është titulli i dytë i kampionit në historinë e klubit.

“Teuta” nisi festën menjëherë pas përfundimit të ndeshjes me “Apoloninë”, në  Fier, të cilën e fitoi 6 me 1. Me këtë fitore “djemtë e detit” e fituan trofeun më të rëndësishëm të vendit në futbool, pas 27 vjetësh.

Heroi i ndeshjes së sotme ishte Dejvi Bregu, i cili i shënoi tri gola, me të cilat ai e fitoi titullin e kryegaolshënuesit të sezonit në Kategorinë Superiore të futbollit në Shqipëri.

Lorenco Vila, kapiteni Renato Arapi dhe Sebino Plaku e konfirmuan triumfin e thellë të Teutës, aq sa i duhej për të ngadhnjyer ndaj rivalit të parë, “Vllazinës” së Shkodrës, ecila fitoi 2:0 ndaj “Laçit”.

Fierakët u munduan t’ua bënin të vështirë fitoren durrsakëve, por nuk e kishin forcën e duhur. Përveç kësaj, “Apollonia” e mbylli ndeshjen vetëm me 9 lojtarë, pas ndëshkimin me kartonë të kuq të mbrojtësve Serjan Repaj dhe Elion Sota. në pjesën e dytë të ndeshjes.

Kupën e kampionit ekipit të “Teutës” ia dorëzoi Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Trajneri i “Teutës”, Edi Martini, është shprehur shumë i lumtur për suksesin e arritur të klubit.

Ky është trofeu i tretë i Martinit me “Teutën”, pas suksesit të arritur në garën për Kupën e Shqipërisë dhe në garën për Superkupë, sezonin e kaluar.

“Ishte një kampionat i çmendur dhe një stres i jashtëzakonshëm. Shyqyr Zotit u kurorëzua sot me titullin kampion”, ka thënë ai.

Martini ka thënë se “Teuta” e arriti këtë sukses, duke qenë të bashkuar, të gjithë si një familje.

“Pas çdo humbjeje apo barazimi, ne kemi dalë shumë më të fortë në ndeshjet pasardhëse. Kjo është forca e ekipit, të cilën e ka treguar edhe në sezonin e kaluar. Kemi qenë një familje, shumë të lidhur me njëri-tjetrin, edhe pse ndoshta nuk e kemi cilësinë e skuadrave të tjera”, është shprehur Martini.

Festa e “Teutës” nuk do të zgjasë shumë, pasi ekipi do të nisë menjëherë përgatitjet për turin e parë të Ligës së Kampionëve të Evropës.

Nënkampion në Kategorinë Superiore të Shqipërisë doli “Vllaznia” e Shkodrës, e cila pati numër të barabartë pikësh me “Teutën”, por ekipi shkodran kishte më pak gola të shënuara se ekipi durrësak.

Pretendent për titullin e kampionit ishte deri në fund të ndeshjeve të sotme edhe “Partizani” i Tiranës, i cili e mbylli kampionatin në vendin e tretë.  

(r.m.)

Comment

*