Thaçi e Daçiq vlerësojnë progresin në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Vjenë, 16 qershor 2013 – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, kanë lavdëruar progresin e arritur në bisedimet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve dhe për pajtim midis dy vendeve.

Kryeministri Thaçi ka pranuar se në këtë rrugë ka ende sfida, ndërsa ka theksuar se sfida kryesore është kapërcimi i armiqësive të vjetra dhe paragjykimeve.

“Në Beograd, Kosovën duhet ta shikojnë si partnere dhe jo si armike apo si provincë të kohërave të vjetra post-otomane. Ndërkaq, Kosova nuk duhet ta shohë Serbinë, si të periudhës 1913 -1999. Ka ende mjaft forca në Serbi, por edhe në Kosovë, që po pengojnë dhe po ngadalësojnë një proces pajtimi. E pamë këtë me dështimin e një samiti në Maqedoni. Kam shpresë se këto rezistenca do të diskutohen dhe qartësohen”, ka theksuar ai, në fjalën e tij të gjatë në Forumin Evropian të Vahaut, në Austri.

Sipas tij, muajt e fundit është bërë një kthesë e vërtetë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të dyja vendet kanë dëshmuar se janë të gatshme të lëvizin përpara dhe të hapin kapitullin e paqes dhe të bashkëpunimit reciprok.

Thaçi ka theksuar se të dy palët duhet ta përcëptojnë përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve si oblgim ndaj gjeneratave të ardhshme.
“Fëmijët tanë, do të na mallkojnë në rast se do të lëmë ndonjë konflikt të hapur për gjeneratën e tyre. Normalizimi tek e fundit e sjell drejtësinë më të plotë të mundshme, të përfundimit të hartës konfliktuoze politike të Ballkanit, një herë e përgjithmonë, dhe krijimit të fqinjësisë së mirë, si vende kandidate në BE”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia ka bërë një hap historik përpara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe për pozitën e  sebëve atje.

“Në qoftë se vështroni çfarë përparimi kemi bërë, besoj se kemi bërë më shumë se që ka pritur kushdo tjetër në Beograd, Prishtinë apo Bruksel”, ka thënë ai.

Daçiq ka shprehur bindjen se vendi i tij tani i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Qeveria e Serbisë ka dëshmuar se është e vendosur të përmbushë në tërësi obligimet e saj dhe kështu të eliminojë të gjitha pengesat. Tani presim që Bashkimi Evropian të përmbushë premtimet që i kishte vënë në formë kushtesh, në fund të vitit të kaluar”, ka thënë Daçiq

Mediet e huaja i kanë kushtuar vëmendje të veçantë momentit të shtërngimit të duarve të Thaçit e Daçiqit.

Sipas paralajmërimeve, Thaçi e Daçiq do të takohen përsëri, javën që vjen, në Vjenë, për t’i dhënë një shtysë të re bisedimeve lidhur me planin për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar prej tyre, më 2 prill, në Bruksel.

R.M.

 

Comment

*