The Geopost: Danilo Rosales Diaz, shefi i UNMIK-ut për Mitrovicë, spiun rus që kontaktonte me serbët e veriut në barrikada

Danilo Rosales Diaz, që nga viti 2016 është shef i Zyrës Regjionale të UNMIK-ut në Mitrovicë, është bashkëpunëtor i shërbimeve ruse të inteligjencës.

Informacionin për The Geopost, në kushte anonimiteti e ka dhënë një zyrtar ndërkombëtar që punon brenda UNMIK-ut në Prishtinë.

The Geopost ka mësuar se Rosales Diaz ka qenë shumë aktiv me ndikim edhe në veprimet radikale që kanë ndërmarrë serbët gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, kur u ngritën barrikadat në komunat veriore me shumicë serbe.

Një fotografi tregon prezencën e tij në oborrin e stacionit policor në Mitrovicën e Veriut, pikërisht në kohën kur po jepnin dorëheqje policët serbë nga Policia e Kosovës, më 7 nëntor të vitit 2022.

Siç shihet, Diaz është duke biseduar me disa njerëz, që sipas burimit tonë, kanë qenë zyrtarë policorë serbë. Gjersa makina e tij, e tipit Toyota me targa të Kombeve të Bashkuara UN22724 është e parkuar aty pranë.

Të dhënat e siguara nga The Geopost, thonë se ai gjatë kësaj dite ka monitoruar situatën, duke i siguruar serbët se ai personalisht do të kujdesej që ta justifikonte heqjen e uniformave të Policisë së Kosovës në qarqe diplomatike të Kombeve të Bashkuara.

Danilo më herët ka qenë punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Nikaraguas, e cila njihet si një nga shtetet aleate të Rusisë.

Diaz ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të përhershëm të Nikaraguas në Kombet e Bashkuara, kur shefi i tij, Cesar Mercado, ishte gjetur i vdekur në banesën e tij në Bronks të Nju Jorkut, më 23 shtator 2010.

Policia amerikane e ka kualifikuar si vrasje vdekjen e Mercados që e zëvendësoi Diaz.

(The Geopost)