Themelohet Dega e Partisë Demokratike në New York

Përshëndet nga Tirana, ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha – Mbledhja hapet me një minutë heshtje për qëndrestarin Nebil Çika

Një grup shqiptaro-amerikanësh, mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën ditën e premte në 15 prill në New York për të diskutuar të ardhmen e partisë së tyre.

Mbledhja kishte si synim themelimin në New York të një dege të PD-së dhe për këtë kishin marrë bekimin dhe autorizimin e drejtpërdrejtë nga kryesia e partisë.

Merrnin pjesë themelues të Partisë Demokratike si Shkëlqim Jahaj, ish-funksionarë dhe drejtues të PD-së si Prel Dedaj dhe Agron Demushi, si the antarë e simpatizantë të vendosur të kësaj partie.

Mbledhja u përshëndet nga Tirana nga zotërinjtë Lulzim Basha dhe Azgan Haklaj.

Takimi i mbajtur në ndërtesën 826 Broadway, në Manhattan, nisi me një minutë heshtje për qëndrestarin dhe demokratin e paepur, Nebil Çika, i cili u nda nga jeta këto ditë.

Ajo që i nxiti më shumë se çdo gjë për t’u bashkuar ishte shqetësimi për fatin e Partisë Demokratike të cilën e konsiderojnë si një aset kombëtar. Për këtë arsye, veprimtarët e mbledhur i bënë një kërkesë të sinqertë të demokratëve, vëllezërve dhe motrave të tyre demokratë shqiptarë, që pas zgjedhjeve të 14 majit të riorganizojnë Partinë Demokratike, me principet demokratike ku bazë do jetë merita, përballja e ideve dhe vota e lirë e demokratëve, nëpërmjet të cilës t’i jepet legjitimitet lidershipit të PD-së. 

Ky grupim beson se misioni i PD duhet të qendrojë mbi interesat meskine personale.

Si shqiptaro-amerikanë dhe patriotë që vlerësojnë rolin e madh të Shteteve të Bashkuara në historinë e shqiptarëve dhe çmojnë miqësinë e vjetër mes dy kombeve tona, ata shprehën shqetësimin për anti-amerikanizmin që po përhapet në Shqipëri. Këtë fenomen e vuri në pah edhe Ndihmës-Sekretari i Shtetit Escobar gjatë vizitës së tij të fundit.

Për 50 vjet me radhë regjimi i Enver Hoxhës na ndau me Amerikën, demokracinë më të madhe në botë që i ka ndihmuar shqiptarët që nga Presidenti Wilson e deri në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Pjesëmarrësit zgjodhën me vota një grup pune prej 12 komisionerësh, të cilët, në bashkëpunim me pjesëmarrësit e bashkatdhetarë të tjerë të demokratë do të zgjerojnë veprimtarinë dhe programin e Degës së PD-së në New York.