Theofan S. Noli

Është më mirë të ndezësh një qiri se sa të mallkosh errësirën’.

              

Ashtu si Thomas Jefferson-i, ai është një humanist i shquar dhe një reformator energjik, i logjikshëm, i përpiktë dhe plot ankth për të ruajtur atë që besonte se ishte e drejtë e patjetërsueshme e popullit të tij.[1] Ishte Ministri Fuqiplotë i Përhershëm i kombit shqiptar në SHBA dhe udhëheqësi i shqiptarëve të Amerikës.

Theofan Stilian Noli, i njohur si Fan Noli, ishte shkrimtar, dijetar, diplomat, politikan, historian, orator dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i cili shërbeu si Kryeministër dhe Regjent i Shqipërisë në vitin 1924. Është nga ata shqiptarë të rrallë që e ka vendin me dinjitet në panteonin e kombit shqiptar.

Ai nderohet nga shqiptarët si kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës dhe unitetit kombëtar. Luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare shqiptare me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Gjithashtu shkroi gjerësisht në anglisht si studiues dhe autor i një serie botimesh mbi Skënderbeun, Shekspirin, Beethoven, tekste fetare dhe përkthime.

Noli mbolli farën e bashkimit dhe unitetit mes shqiptarëve të Amerikë, pa dallim bindje, ideje e feje rreth flamurit, identitetit dhe kombit. Është ndër shqiptarët e rrallë që kontribuoi aq shumë në organizimin e asaj mërgate. Në zgjimin e ndjenjave patriotike, në konsolidimin e identitetit shqiptar, në moslejimin e toskërisë të aneksohej nga grekët, në njohjen e shtetit shqiptar në vitet 1918-1924 dhe 1945-1955 dhe lidhjet e diasporës me vendin mëmë. Ai hodhi themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Ishte erudit, njohës i mirë i shqipes, turqishtes, greqishtes, arabishtes, frëngjishtes dhe anglishtes. Etja e tij për dije nuk u shua kurrë. Pasi u emërua  famulltar  i  kishës së Shën  Gjergjit, u regjistrua në Universitetin e Harvardit dhe katër vjet më vonë (1912) u diplomua me  cum laude  në arte.  Njëzet e gjashtë vjet  më  von, u diplomua për muzikë në Konservatorin e  Muzikës së New-England (1938) dhe në fund Ph.D. nga Universiteti i Bostonit (1945).

Emri i tij iu bashkua zgjimit dhe identifikimit të kombit shqiptar. Ai punoi dhe vetëm punoi për mëmëdheun. “Do të luftoj, gjersa të vdes. Shpërblimi i mjaftë për luftën time dua të jetë një këngë labësh a labeshash, kur të vdes”, i shkruan që në moshë të re, mikut të tij në Misir.[2] Nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë, i drejtohet mëmëdheut e mëmëdhetarëve në ditët që ishin lëshuar të gjithë për ta copëtuar dhe gjendej në kaos pa asnjë lloj qeverie.

Fan Noli ishte fetar me zemër, thotë At Artur Liolin. Në Federatën Panshqiptare ‘’Vatra’’ ai fliste e angazhohej politikisht, në kishë predikonte vetëm fenë. Peshkop Noli ishte demokrat i bindur. Motua e tij ishin fjalët ‘’duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin’’, siç tha në parlamentin shqiptar në vitin 1923.

Ai e pa Kishën Ortodokse Shqiptare si një mjet për të bashkuar shqiptarët, për të shpëtuar Shqipërinë. Si njeri i Zotit nuk njihte literaturë më të madhe se sa shkrimin e shenjtë, nuk njihte muzikë më të fuqishme se sa zërin i cili lavdëronte Perëndinë, dhe nuk njihte art më të bukur se sa artin e lutjes. Noli ishte njeri realist dhe largpamës. Ai u përpoq dhe arriti që në kishën shqiptare të Amerikës të zhvilloheshin ceremoni edhe në gjuhën angleze, se shqiptarët e lindur në Amerikë ose ishin martuar me të huaj ose kishin filluar të integroheshin dhe nuk e kuptonin gjuhën shqipe.

Dhe për këtë, në 50-vjetorin e kishës Autoqefale Shqiptare të Amerikës Noli tha: “Ishte strategjia që ndoqi Napoloni në fushatën e tij të fundit, fushatën e Francës. Ai e bëri luftën me të rinj të rekrutuar me ngut. Ai e dinte se çdo strategji e përdorur do të ishte më se ngatërruese për këta fëmijë. Andaj u dha vetëm një urdhër të prerë: “En avant,  mes  enfants”  (“Përpara,  djemtë  e  mi”)…  Dhe  ai  e  bëri  këtë. Ne ia dolëm me të njëjtën strategji. Morëm djemtë e rinj që u bënë ushtarë të përkryer të fushatës sonë dhe fituam nga vrulli dhe entuziazmi i tyre”.

Megjithë fatin që Fan Noli ishte një personalitet shumë i njohur, thotë Liolin, mendimet e tij të brendshme dhe emocionet e tij mbeten edhe sot e kësaj dite një enigmë. Ai ishte një njeri me paraqitje e karizmë të madhe dhe shpesh një kombinim i shumëfishtë edhe i paradokseve, mund të të magjepste, të qortonte, të kërcënonte dhe të këshillonte me një fjali, gjë që shpesh i hutonte miqtë e tij. Ai mund të ishte zemërak, i tërhequr dhe sentimental deri sa të të bënte edhe për të qarë në të njëjtin bashkëbisedim. Larg nga vendi i tij qysh në moshë të njomë, imzot Noli në pjesën më të madhe të kohës jetoi në varfëri. Ai ishte gjithmonë shqiponja e vetmuar.

Baba Rexhepi, klerik i njohur i bektashizmit, shkruan ‘’Ditën kur imzot Noli përdori për herë të parë gjuhën shqipe në liturgji, u shënua një kthesë me rëndësi në historinë e Rilindjes Shqiptare. Kryepeshkop Noli u përpoq kurdoherë për vëllazërimin shqiptar dhe për përparimin e tyre e të kombit. Bashkoi dashurinë e Krishtit me dashurinë e atdheut. Zoti dhe Shqipëria ishin idealet më të larta e më të shtrenjta në gjithë jetën e tij. Veprat e tij të shumta e të mëdha janë një monument i paharruar …’’

Noli mbolli te bashkatdhetarët e tij një dashur të konsoliduar ndaj atdheut të dytë. Imzot Noli forcoi dashurinë e shqiptarëve për Amerikën, për parimet, vlerat dhe kushtetutën e saj. Këtë ai e bënte në një mënyrë reale sepse duke qenë në krye të Federatës Panshqiptare Vatra dhe në rolin e tij si Peshkop i Kishës Ortodokse, ai  fliste me dashurinë për vendin ku jetonin.

Ai përdorte kapelën e peshkopit për çështje fetare, por edhe kapelën e Vatrës për çështjen kombëtare. E ndante punën, e kuptonte që nuk duhej përzierë politika me besimin.

Noli u nderua nga Presidenti Lindon Xhonson duke u ftuar prej tij në Shtëpinë e Bardhë, jo vetëm për të dhënë lutje, por edhe për një fjalim që u mbajt aty për Shekspirin. Këtu në Boston, senati i shtetit Massachusetts e ftoi Nolin për të dhënë lutjen e hapjes së legjislaturës në vitin 1963. Pra Noli njihej dhe respektohej për mendjen, rolin udhëheqës dhe parimet e tij.[3]                                                                  

Ai u ftua të kthehej në atdhe nga qeveria që doli nga Lufta Nacionalçlirimtare. Në një letër që Sejfulla Malëshova i dërgoi (27.08.1945), ndër të tjera, i shkruante: “Hirësi! Enver Hoxha, unë dhe gjithë shqiptarët jemi të mendjes, se ardhja juaj në Shqipëri, do të ishte një fat i madh për Shqipërinë. Kështu, jo vetëm do të kurorëzohej tërë e shkuara Juaj patriotike, por vendi ynë do të kishte në situatën e sotme një ndihmë të madhe morale dhe politike… Do të ishte shumë mirë të vinit me këtë rast në Shqipëri, qoftë edhe provizorisht…” Një muaj më vonë, më 25 shtator 1945, është vetë Hoxha, i cili, përmes një letre dërguar Nolit, i propozon të vihet edhe emri i tij në listën e kandidatëve për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese, që u zhvillua më 2 dhjetor 1945.

Në përgjigje të këtyre letrave, Noli i drejtohet më 3 tetor 1945 E. Hoxhës: “Me kënaqësi të madhe mora mesazhin tuaj të nxehtë dhe bujar, si dhe letrën e mikut tim dhe kolegut tuaj, Sejfulla Malëshova. Kam dëshirë të madhe të jem aty me ju, por, sot për sot nuk mund, pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera… Mundet t’ju bëj një vizitë pas Pashkëve; kështu, do të takohem përsëri me miqtë e mi të vjetër. Kam shumë arsye që më pengojnë të vë kandidaturën në Shqipëri.”[4] Megjithatë, në Konferencën e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në 7 tetor të vitit 1945, Noli u zgjodh njëzëri Kryetar Nderi i Lidhjes Shkrimtarëve.

Noli i madh mes shqiptarëve, mes brengave pas Luftës së Dytë Botërore ka shkruar: “… guverna e Enver Hoxhës e rrëmbeu Shqipërinë nga thonjtë e vdekjes me sakrifica heroike në periudhën e luftës… jo vetëm e shpëtoi Shqipërinë nga vdekja, por tani i vë themele të patundura shtetit me reformat dhe veprat konstruktive… Ballistët tanë janë një grup heterogjen dhe nuk kanë asnjë program fare.”[5]

Ai vlerësonte përkrahjen e qeverive shqiptare të asaj kohe, që i bënin diasporës dhe kishës autoqefale shqiptare. Në përvjetorin e pesëdhjetë të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë (18 maj 1958),  Noli tha: “Ne kishim përkrahjen e qeverive shqiptare, pa marrë parasysh se si ishte platforma e tyre politike. Ata të gjithë mendonin se Kisha Ortodokse Autoqefale ishte pjesë e domosdoshme e ekzistencës së shtetit shqiptar”.[6]

Peshkop Noli nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen deri sa mbylli sytë. Sa herë shkoja në Nju Jork, në mbledhjet vjetore të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, shkruan në kujtimet Behar Shtylla, diplomat i shquar shqiptar, Enver Hoxha më porosiste t’i bëja të fala Fan Nolit.

Ndodhesha në Nju Jork për sesionin e zakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kërkova të shkoja të takoja Nolin në Boston, nuk më lejuan. Më 19 dhjetor në mbrëmje, Noli më mori në telefon, më tha se të nesërmen do të kalonte nëpër Nju Jork për të shkuar në Florida për pushimet e dimrit. Do të arrinte me tren në stacionin “Pensilvania” (lexo rruga nr.42 Manhattan) dhe dëshironte të takoheshim.[7] Kjo ishte edhe dëshira ime. I thashë se do ta prisja në stacion. 20 dhjetor 1964 afër drekës shkuam në stacion. Me mua ishin Halim Budua, përfaqësuesi i përhershëm i vendit tonë në OKB dhe diplomat i talentuar, si dhe dy sekretarë të misionit.

Fan Nolin e pamë nga dritarja e vagonit edhe ai na pa. U gëzua mjaft dhe na buzëqeshi edhe ne i buzëqeshëm, po më erdhi shumë keq që e shikoja aq të rënduar. E pritëm te shkallët e trenit, e morëm nga krahu, se nuk zbriste dot vetë dhe nuk ecte pa shoqëruar. Ndenjëm një copë herë në stacion që të çlodhej. E morëm prapë për krahu dhe shkuam në hotelin “Statler”, që ndodhet në anën tjetër të rrugës dhe kishte një restorant të mirë.

Po shkoj në Florida, – tha, – për të kaluar muajt e dimrit, se atje është klima më e butë. Por desha që të ndalem pak këtu që të takohemi”. Ishte plakur shumë nga hera e fundit që isha takuar me të. Ishte dobësuar, mezi ecte, këmbët i hiqte zvarrë, dorën e djathtë e kishte të dobët. Pak muaj më parë ishte shtruar në spital dhe pati bërë një operacion të rëndë nga kanceri në zorrë, më duket. Po mbush 83 vjet, po duket mirë moralisht. Shpreson se qëndrimi në Florida këta muajt e ftohtë do t’i bëjë mirë e do t’i japë forca. Më foli mjaft për sëmundjen që kishte hequr, por fjalën kancer nuk e shqiptoi. E largonte të keqen.

“Si e kam kumandarin dhe shokët e tjerë?” – pyeti.” Falënderoi për kujdesin që tregonte shoku Enver për të. Më se njëherë më dha shumë të fala për shokun Enver, që gjithmonë e thërriste kumandar, për Hysni Kapon dhe shokë të tjerë. Më pyeti për ndryshimet dhe përparimet në Shqipëri. Për Tiranën.

Nga Tirana që keni lënë ju, – i thashë, – ka mbetur vetëm xhamia e Et’hem Beut, me gjithë sahatin. Qeshi. U gëzua shumë për realizimet. Fliste me mall për Shqipërinë. “- Ju lumtë! Dua të vij në Shqipëri, – tha, – të takohem me shokët e mi, miqtë, të shoh vendin, se më qan zemra. Dua të takohem e të bisedoj edhe me shkrimtarët, me studentët e profesorët. Të bëj edhe disa lektyra (leksione) në universitete. Do të vij për vizitë vitin që vjen, por do të rri ca kohë, nja gjashtë muaj”.

Gjellët i zgjodhi vetë, nga ato që i pëlqenin. Edhe unë ia dija shijet, se kushedi sa herë kishim shkuar bashkë në restorante të mira të Nju Jorkut, që m’i rekomandonte edhe mua. Veç ai porosiste gjellë pa mish. Kësaj here më habiti që porositi mish, se gjithë jetën kishte qenë vegjetarian. Sëmundja i kishte prerë oreksin.

E pyeta si shkon, si e kalon kohën, me se merrej. Punoj, – tha. – Me kishën sa vjen e merrem më pak, se pleqëria bën punën e saj. Kam shkruar tetë vjersha të reja origjinale. Kam bërë edhe disa përkthime nga Gëtja, Viktor Hygoi, (Uterloo, A Villequiers), nga R. Kipling. Gjithsej bëhen 100 faqe. A mund t’i botoni?” Patjetër, – i thashë. – I presim me kënaqësi dhe interes të veçantë.

Po shkruaj edhe biografinë time politike, – shtoi.

E pyeta nëse kishte nevojë për materiale financiare. I rekomandova t’i drejtohet për çdo gjë shokut Halim Budo, i cili është vetë i gatshëm, gjithashtu ka edhe porosi që të t’i plotësojë. Iu bë qejfi dhe më falënderoi, por nuk kërkoi gjë.

U interesua për gjendjen në kufijtë dhe për marrëdhëniet e vendit tonë me vendet e tjera.

Dukej i vendosur që të vinte në Shqipëri patjetër. Kjo dëshirë e tij e thellë duket se sot u kthye në bindje. Po nuk shkuan as tre muaj dhe ëndrrat e shpresat e tij për të parë së afërmi Shqipërinë u fikën në një ditë marsi.[8] Shteti shqiptar i asaj kohe ndërtoi një kishë ortodokse në Tiranë në respekt të tij.

 

Historia e Fan Stilian Nolit është ajo e një njeriu të përvuajtur dhe ngadhënjimtari. U lindi  në  Ibrik-Tepe  (Qyteza),  një  koloni  shqiptare  në  jug  të Adrianopojës, në Trakinë Lindore, të Turqisë Evropiane, më 6 janar 1882, me popullsi turke, me një grusht grekësh në jug dhe bullgarësh në veri, ku kolonët shqiptarë ishin vendosur si luftëtarë të shquar, në këtë vend shumë pjellor. Ishte një koloni ushtarake e themeluar nga perandorë bizantinë me ushtarë dhe vullnetarë jo larg kryeqytetit të Kostandinopojës, po që u shërbeu edhe sulltanëve, pas pushtimit të Kostandinopojës (1453).[9]

Gjyshi i tij Gjergj Noli, që mendohet se ka shkuar atje nga Qyteza e Kolonjës, gëzonte  titullin  fisnik  të  “kapitenit”.[10] Ai  quhej  Ali  kapedani  nga  turqit  dhe  Gjergj  kapedani  nga  shqiptarët vendas. Kapiten Gjergj Noli humbi jetën në njërën prej këtyre fushatave.  Gjyshja e mbetur vejushë e re, e pasur, me katër fëmijë, një djalë dhe tri vajza të moshës prej dy deri shtatëvjeçare u martua me Gjergj Mitrushin, që kishte vetëm një djalë me gruan e parë (nga kjo lidhje nuk pati fëmijë).[11]

Gjergj Mitrushi, njerku, i rriti tri vajzat dhe djalin e të shoqes. Ai dhe i martoi si një baba i mirë. Stilian Nolin (të atin e Fanit), e martoi me Maria Gollaçin, vashën  më të  fortë dhe më të  vyeshme të  fshatit, siç thotë i biri. Fan Noli ishte i dyti prej trembëdhjetë fëmijëve, pesë djemve e tetë çupave, që i lindën  Stilian  Nolit  dhe  Maria  Gollaçit,  që  të  dy  nga  familje  të  mira,  fshatarë shqiptarë.  Shtatë  prej  këtyre  fëmijëve vdiqën  që  në  vegjëli,  ngaqë  vdekshmëria  e foshnjave ishte e tmerrshme në atë kohë në Turqi.

Fan Noli, një fëmijë , shumë shëndetlig, siç shkruan vetë, gati të vdiste nga sëmundjet si tifoja,  lija,  ethet  e  kohëpaskohshme  që shkretuan fshatin. Gjyshe Sumba përkujdesej për të si një mjeke.

Kur Fani mbushi tetë vjet, familja e dërgoi në shkollë. Atëherë, nëna Maria e futi në thes djalin që bërtiste dhe hidhte shqelma, e hodhi pas shpine dhe shkoi në shkollë. Mësuesi, kur dëgjoi klithmat e djalit, nxitoi te dera. Nëna Maria i tha: “Ja, im bir. Por, të mos e rrahësh, sepse s’mund ta sjell në thes për çdo  ditë”. 

Noli kreu shkollën greke për katër vjet në vend të gjashtë, shkollat shqipe  ishin  ndaluara  nga  qeveria  turke  dhe  nga  Patriarkana  e Kostandinopojës, ndërsa në  qytezën  e  afërme  të  Keshanit kreu shkollën plotore. Ai qe gjithmonë i pari i klasës.  Ndërsa gjimnazin e kreu në Andrinopojë, duke banuar në një familje greke. Gjatë vitit të parë pa nga afër tragjeditë dhe veprat e tjera të Shekspirit, të shfaqura nga trupa teatrale  shëtitëse. Në vitin e katërt të shkollës ai doli në përkrahje të mësuesit të fesë, të cilin drejtoria e përjashtoi padrejtësisht nga puna, por i vështirësoj të ardhmen.

Grekët, shkruan Noli,  i  konsideronin  si  grekë  të  gjithë  të  krishterët  ortodoksë  të  Perandorisë Turke, pa marrë parasysh se cila ishte raca dhe gjuha e tyre. Së këndejmi, mësuesit grekë përpiqeshin të krijonin patriotë grekë nga të gjithë nxënësit ortodoksë që kishin në  shkollat  e  tyre.

Noli shtron pyetjen: “Si  u  bë  atëherë  që  Fan  Noli,  i  cili  kishte  mbaruar  shtatë  vjet  të shkollës  plotore  greke  dhe  katër  vite  të  gjimnazit  grek,  të  mbetej  një  djalë  fshatar shqiptar, përkundër tërë këtij edukimi grek?”[12] Ai vetë argumenton:

Qoftë edhe deri  në moshën pesëvjeçare fëmija  merr një edukatë në shtëpi, të cilën vështirë ta ndryshosh më pas. Për shkak të sëmundjeve të tij të fëmijërisë, Fan Noli zuri të shkonte në shkollë, jo në moshën pesëvjeçare, por kur mbushi tetë vjet. Atëherë ishte goxha djalë, i cili fliste shqip. Ai  tashmë  kishte  marrë njëfarë edukate  nga  gjyshja, e  cila ishte një grua fshatare shqiptare me botëkuptime të vjetra, që nuk ndahej nga kostumi i saj shqiptar, i cili vishet në malësitë  e  Shqipërisë  së  Jugut;  kishte zakon të endte në avlëmendin e saj  të  vjetër  çdo  pjesë të petkave, vishte fustanin e  plotë,  në  formë kambane që mbahet sot e kësaj dite në malësitë anembanë Shqipërisë, nuk  pranonte  të  vishte  çitjane  basme  të  bojatisur  të  fabrikës. Gjatë verës, të dielave dhe pasditeve të kremte, dilte në sheshin e kishës dhe ia fillonte valleve piktoreske popullore, e  valëviste  shaminë  e  saj,  ia  thoshte  këngës, hidhej  përpjetë  dhe  sillej  vërdallë  si  të  ishte  ndonjë  vashë. Gjyshja u përmbahej në mënyrë të prerë edhe dy agjërimeve të tërësishme. Në këto agjërime të plota i vetmi nga familja e shoqëroi Noli.

Një edukator tjetër, shkruan Fan Nolit, qe rrëfyes i madh, Gjergj Kapedani. Ai  e  kishte  zakon  t’i  ndiqte recitalet  që  përgatiteshin  nga mësuesi  i  shkollës  në  Ibrik-Tepe, me këngë të kënduara nga klasa të ndryshme, lëçitje dhe vjersha të recituara nga nxënës të shkëlqyer. Të gjitha thuheshin  në  greqisht.  Gjergj  Kapedani,  i  cili  nuk  kuptonte  asnjë  fjalë  në  greqisht, ngrihej gjithmonë, gjatë këtyre shfaqjeve të gjata të recitimit dhe protestonte me zë: “Shkip,  ore  shkip!”  Që  donte  të  thoshte  “Shqip!  Na  bëni  një  recital  në  shqip! Përndryshe  s’kuptojmë  asnjë  fjalë”. 

Edukatori i tretë ishte xha Tasi, biri i gjymtë i gjysh Mitrushit, plotësisht i paaftë për punë fushe, po kishte bibliotekën më të pasur në fshat. Ai i tregonte librat që kishte, posaçërisht ato me fotografi, i jepte libra që t’i lexonte në shtëpi, në kohë të lirë. Një herë, kur  Fan Noli gjendej në pushimet shkollore pas kthimit nga gjimnazi, i rekomandoi për të lexuar dy librat më të çmueshëm që kishte. Njëri prej tyre ishte shqipërimi i Dhiatës së Re nga Kostandin Kristoforidhi,  tjetri ishte një botim i ilustruar i “Historisë së Skënderbeut” në greqisht, të cilat i lexoi me vëmendje që nga fillimi gjer në fund.[13]

Fan Noli vendosi ta braktiste Turqinë, do të shkonte në Athinë (1900), të gjente ndonjë punë dhe pastaj të vazhdonte universitetin. Kur u përcoll, Gjergj Kapedani e porositi të mos qëndronte gjatë në Athinë. “Prej aty shko në Shqipëri. Atje është mëmëdheu ynë i vjetër. Gjendet mu në veri të Greqisë”.

Rrugës, në Stamboll u sëmur u kurua dhe nisi punë në një ëmbëltore për pak kohë. Vitin tjetër shkoi në Athinë dhe të njohurit e tij i gjetën vend si nëpunës në një shoqëri belge, dhe u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë. Që andej i shkroi Faik Konicës (1901), i cili botonte revistën e tij “Albania”, në Bruksel të Belgjikës, në se kishte nevojë për  një  ndihmës  në  revistën  e  tij, por përgjigjen e tij do ta mësonte vite më vonë.

Më tej, punoi si kopjues, sufler e aktor me një trupë teatri me të cilën u end nëpër Greqi për gati dy vjet. Atëherë shkroi dramën “To ksipnima” (“Zgjimi”), e cila u luajt nga trupa në Pirgos të Peloponezit dhe nisi të shkruante dramën “Israelitë dhe filistinë”.

Në fillim të 1903 shkoi në Egjipt, ku gjeti punë si mësues lëvizës i greqishtes.[14] Këtu në Shibin-el-Kom (1903), për herë të parë në jetën e tij, u takua me  një  pionier  aktiv  të  Lëvizjes  së  Rilindjes  Shqiptare,  Spiro Dine. Në  Fajum  ai  pati  rastin  të  takohej  me  dy  pionierë  entuziastë  të  Lëvizjes  së Rilindjes Shqiptare, Thanas Tashkon, nga Frashëri i Dangëllisë dhe Jani Vruhon, që të dy pronarë restorantesh. Ata veç gazetës “Shkopi”, botuan me  shpenzimet  e  tyre  “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”  e  Sami  Frashrit,  të  cilën  Fan  Noli  ua përktheu nga shqipja në greqisht, se një pjesë e mirë e shqiptarëve ishin shkolluar në shkollat greke.

Tashkoja  dhe  Vruhoja  e  këshilluan Nolin  të  shkonte  në  Amerikë  dhe  të organizonte atje të mërguarit shqiptarë, i premtuan se do t’ia hiqnin shpenzimet e udhës. Aty mori një arsimim më të lartë për muzikë bizantine (1903–1905).

Pas tre vjetësh qëndrimi në Egjipt, në prill 1906 u nis për në Shtetet e Bashkuara. Duke kaluar nga Napoli, mbërriti në New York më 10 maj (1906), në moshën njëzet e katër-vjeçare. Për mëngjesin e parë në Amerikë bleu tre banane për pesë cent. Po atë natë u nis me tren për në Buffalo të New York-ut, ku arriti në mëngjes me pesë dollarë në xhep.

Gjeti punë si punëtor i pakualifikuar në një sharrë. Punonte nëntë orë në ditë me një gjysmë ore pushim për drekë, merrte katër dollarë në javë, që në ato ditë, thotë Noli, ishte shumë mjaft e mirë dhe bënte gjumin në një dhomë, të cilën e ndante me  nëntë  punëtorë  të  tjerë  si  ai.  Ky ishte  një  përmirësim  i  dukshëm  krahasuar  me sallën e bujtinës në Aleksandri, të cilën e ndante me gjashtëdhjetë vetë të tjerë. E mbajti këtë punën gati për tre muaj, kur Sotir Peci, i ofroi punën e ndihmësit të redaktorit të gazetës javore “Kombi”.[15] 

Më tej komunikoi edhe me Nikolla Naçon,[16] Shahin Kolonjën[17] dhe Kristo Luarasin.[18]

Pas dhjetë muajsh Fan Noli gjeti  një  punë  nate  në  kompaninë amerikane  të  llamarinës, ku punoi vetëm gjashtë muaj, aty veç punës së rëndë ndodhnin edhe shumë aksidente. Në këto rrethana në  Boston  erdhi një  pionier  tjetër  i  Rilindjes Shqiptare, Bajo Topulli, për t’u mbajtur një sërë ligjëratash shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara, po nuk  dinte  asnjë  fjalë  anglisht,  prandaj  angazhoi Nolin  që  ta ndihmonte gjatë këtij turneu. 

Emigrantët e ftuan Fan Nolin që të ngarkohej me mision e klerikut. Milto  Sotir  Gurra,  nga  Manchester  i  New-Hemshiri (korçar, shën. rd.),  pionier  veteran  i  Rilindjes Shqiptare, njeri i ditur dhe mik i përjetshëm i Fan Nolit, u autorizua të pyeste (1907) se a do të pranonte kryepeshkopi rus i New York-ut të shuguronte një prift për shqiptarët ortodoksë.

Kryepeshkopi  rus pranoi  ta  shuguronte  Fan  Nolin prift  me një kusht, që shqiptarët e Bostonit më parë duhej  të bënin një mbledhje dhe të garantonin se  mund ta mbanin priftin. Një  muaj  më  vonë,  në Boston  u organizua  mbledhja dhe më pas Kryepeshkopi  Platon vendosi për shugurimin e Fan Nolit. Më 9  shkurt 1908,  Fan Noli  u  shugurua  dhjak  nga  peshkopi  sirian  Rafael  Hauauni,  në  kishën  e Shën Nikollës, në 301 Pacifik St. Brooklyn të New York-ut. Ndërsa të dielën më 8 mars 1908, në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u shugurua prift nga Kryepeshkopi Platon në katedralen ruse të Shën Nikollës, në 15 East 97 St. të New York-ut. Rroga e tij ishte caktuar 40 dollarë, që ishte një shumë e mirë në atë kohë.

Më 1911 Fan Noli vizitoi bashkësitë shqiptare të Odesës dhe Kishinjevit në Rusi; të Bukureshtit, Brailës dhe Konstancës në Rumani; dhe të Sofjes në Bullgari. Në të gjitha këto qytete ai bëri meshën në gjuhën shqipe. Vizita e tij në Bukuresht pati rëndësi të posaçme.[19]

Më 18 korrik 1915 Fan Noli u zgjodh kryetar i Vatrës. Prapë, më 12 korrik 1917, ai u zgjodh kryetar i Vatrës për një mandat të dytë. Kjo ishte periudha më e rëndësishme në historinë e kësaj Federate.

Karriera kishtare e tij është e ndritur. Më 24 mars 1918, Fan Noli u emërua administrues i Misionit Ortodoks Shqiptar në Amerikë.  Më  17  nëntor  1918  ai  bëri  përbetimin  eremitar  dhe  u  ngrit  në  rangun  e arkimandritit të  mitruar nga  Peshkopi  Aleksandër Nemolovski, në katedralen ruse të Shën Nikollës, në 15 East 97 St., të New Yorku-t, ndërsa më 27 korrik 1919, u emërua peshkop i përkohshëm i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Më 21 nëntor 1923 Fan Noli u kurorëzua Peshkop nga Hierotheos Andon Jaho, Peshkop i Miletupolisit, ekzark  i  plotfuqishëm  i  Patriarkanës  së  Kostandinopojës  dhe  nga  Kristofor  Kisi, Peshkop i Siradonit, më vonë Kryepeshkop i Shqipërisë, në katedralen e Shën Gjergjit në Korçë. Po atë ditë, Fan Noli u emërua mitropolit i Durrësit. Titulli i tij zyrtar ishte: Mitropolit i Durrësit, i Gorës dhe i Shpatës, primat dhe ekzark i tërë Ilirisë, Detit Perëndimor dhe i tërë Shqipërisë. Më 1932, Fan Noli u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe mori sërish detyrat e primatit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Ai  për një kohë të gjatë nuk u shkëput nga shtypi periodik, redaktoi  gazetën  javore  “Dielli”  në  shqip  nga  15  shkurti  1909,  dita  e themelimit të saj, deri më 22 tetor 1909; prapë nga 7 tetori 1910 deri më 7 korrik 1911; dhe prej 21 dhjetorit 1915 deri më 6 korrik 1916, kur “Dielli” u bë gazetë  e  përditshme. Më  1918  Fan  Noli themeloi revistën mujore “The Adriatic Review” (Revista e Adriatikut”), në anglisht, si organ i Federatës Vatra. Ai e redaktoi këtë revistë për një vit, më 1918 themeloi po ashtu “Republikën”, një gazetë javore shqipe dhe e redaktoi atë.

Fan  Noli,  i  shoqëruar  nga  arkimandrit  Vangjel  Çamçe  i Jamestown-it, të New York-ut dhe nga At Vasil Marko nga Sent-Luisi i Missurit, lanë Shtetet e  Bashkuara për t’i ofruar shërbimet e tyre qeverisë shqiptare. U zgjodh kryetar i delegacionit për të përfaqësuar shtetin e ri shqiptar në Lidhjes e Kombeve, ishte njeriu i duhur. Misioni  i  tij  qe  i  suksesshëm.

Noli shërbeu deputet në një mandat prej dy vjetësh, më 1921-1922 si përfaqësues i diasporës dhe 1923-1924 si përfaqësues i prefekturës  së  Korçës,  në  Shqipëri.  Vatra  i  hoqi  shpenzimet  e  fushatës  së  tij zgjedhore. Më 1922 ai u emërua ministër i Punëve të Jashtme në kabinetin e Xhafer Ypit, por dha  dorëheqjen  pas  disa  muajsh,  ngaqë  nuk  u  pajtua  me  politikën  e asaj qeverie.

Ai, në librin e tij për pesëdhjetëvjetorin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, si dëshmitar okular hedh dritë mbi incidentin me armë në Parlamentin shqiptar kur ishte deputet: “Më 23 shkurt 1924, anëtarët e porsazgjedhur të parlamentit mbajtën një mbledhje dhe filluan punën. Zgjedhja e një kryetari ishte pikë e parë e rendit të ditës. Kandidat i Partisë Konservatore, ose i çifligarëve, kryesuar nga kryeministri Ahmet Zogu, ishte Eshref Frashëri. Kandidat i Partisë Liberale, ose i fshatarëve, udhëhequr nga Fan Noli, ishte  Ibrahim  Gjindi.  Në  orën  3  pasdite,  në  çastin  kur  Petro  Poga,[20]  kryetar  i përkohshëm,  hapi  mbledhjen,  jashtë  sallës  u  dëgjuan  disa  të  shtëna  revolveri.  Dy plumba fishkëllyen para hundës së Fan Nolit dhe qëlluan tavolinën e kryetarit. Ky i fundit,  i  tmerruar,  la  tavolinën  dhe  nxitoi  nga  llozha,  ku  u  struk  pas  arkimandrit Visarion Xhuvani, deputet.

Pas një çasti, Ahmet Zogu hyri në sallë duke çaluar, me dorën e majtë të përgjakur dhe  me  revole  në  dorën  e  djathtë.  Atë  e  shoqëronin  truprojat  e  tij  dhe  të  Shefqet Vërlacit, një çifligar i pasur dhe deputet i Elbasanit, me të bijën e të cilit ishte fejuar. Ata të gjithë mbanin në duar revole të gjata dhe i shikonin me kërcënim deputetët  e  opozitës,  të  cilët  i  merrnin  si  cytës  të  një  tentimi  vrasjeje.  Deputetët  e opozitës as që luajtën nga vendi. Edhe ata ishin të armatosur, me përjashtim të  Fan Nolit. Ata nxorën revolet e tyre dhe u bënë gati të mbroheshin.

Një ndër ta, ishte edhe plaku Aqif Pasha i Elbasanit. Ai ishte ulur afër Fan Nolit dhe në dorën që  i  dridhej mbante  një  kobure, e  mori  në  thumb  armikun  e  tij  të vjetër nga Elbasani, Shefqet Vërlacin, të cilin e kishte rrethuar truproja e tij. Njëri prej tyre dukej tepër nopran… Disa nga deputetët e frikësuar, u strehuan nën tavolinat e tyre, kurse disa të tjerë bërtisnin me lemeri…[21] 

Më  20  prill  1924,  Avni  Rustemi,  një  deputet  i  opozitës,  u  vra  nga  një  vrasës  i

paguar në pikë të  ditës në Tiranë.  Meqë Avni Rustemi  ishte shumë popullor, vrasja e tij shkaktoi një revolucion kundër regjimit të Ahmet Zogut. Fan  Nolin  e  lutën  miqtë  e  tij  që  të  bashkohej  me  kryengritësit.  Kryengritësit përfaqësonin fshatarët e Shqipërisë, të cilët ishin ngritur kundër pronarëve feudalë të tokave. “Ishte padyshim një luftë e popullit kundër tiranëve”, shkruan Noli.

Prapë, Fan Noli shqyrtoi çështjen siç e kishin mësuar i ati dhe i ungji në Ibrik-Tepe: “Çfarë  do  të  bënte  Napoleoni  në  këtë  rast?”  Natyrisht,  ai  do  të  bashkohej  me popullin kundër çifligarëve feudalë. Nuk kishte aspak dyshim. Fundi i fundit, ai veproi kështu në të gjithë fushatat e tij, duke përmbysur mbretër e baronë. “Çfarë  do  të  bënte  Skënderbeu  në  këtë  rast?”  Natyrisht,  ai  do  të  bashkohej  me popullin kundër  tiranëve. Tek  e fundit, ai  e  kishte  bërë  këtë  gjë  gjithë  jetën,  derisa ethet vdekjeprurëse e penguan t’i hipte kalit. “Po, Jezui, si do t’ia bënte?” Natyrisht, ai nuk do të luftonte. Ai nuk ishte gjeneral. Por, padyshim, ai do të mbante anën e të skamurit dhe të shtypurit, siç kishte bërë gjithmonë.  Ai  do  ta  ndihmonte  popullin  të  çlirohej  me  forcën  e  armëve  që  ai  i konsideronte  më  të  fuqishme  se  shpata,  pra  nëpërmjet  dashurisë,  shërbimit  dhe sakrificës. Prapë, vota ishte e njëzëshme”.

Kështu, Fan Noli u bashkua me kryengritësit dhe i udhëhoqi në fitore. Më 10 qershor 1924 kryengritësit pushtuan Tiranën, kryeqytetin, dhe detyruan Zogun të ikte në Jugosllavi. Pas këtij revolucioni, Fan Noli u emërua kryeministër, më 17 qershor 1924 dhe më vonë  ushtrues  regjent  i  Shqipërisë,  për  disa  muaj. 

Kabineti  i  tij  përbëhej  nga :  Fan  Noli,  kryeministër;  Sulejman  Delvina,  ministër  i  Punëve  të  Jashtme; Rexhep  Shala,  ministër i Brendshëm;  Luigj  Gurakuqi,  ministër  i Financave; Kasëm Qafëzezi,  ministër  i  Mbrojtjes;  Stavro  Vinjau,  ministër  i  Drejtësisë  dhe  ministër  i Arsimit; Qazim Koculi, ministër i Punëve Botore.

Fan Noli qëndroi në pushtet deri më 24 dhjetor 1924. Gjatë qeverisjes së tij, ai shpalli reformën agrare në Shqipëri, e cila deri atëherë ishte sunduar dhe poseduar nga disa çifligarë.  Ishte  një  punë  e  natyrshme, shkruan Noli,  për  një  të  diplomuar  në  Harvard  që  të  sillte demokracinë  në  vendin  e  vet.  Më  25  dhjetor,  Ahmet  Zogu  u  kthye  në  krye  të  një ushtrie mercenare të bjellorusëve, të organizuar dhe të pajisur nga Jugosllavia.[22]

Ai la Shqipërinë ditën e Kërshëndellave të vitit 1924. Qëndroi në Gjermani për tetë vjet. Pas vrasjes së kolegut Luigj Gurakuqi në Bari, i kushton elegjinë “Syrgjyn vdekur” në shkurt të 1926-s, Berlin. Ndërsa vrasjes së mikut Bajram Curri elegjinë “Shpell’ e Dragobisë”. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin “Miqtë e Bashkimit Sovjetik”, me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara.

Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. “Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës. U detyrua të kthehet në Evropë me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Po në këtë vit mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, me lejë-qëndrim të përhershëm.

Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet e trajtimit mjekësor për të cilin kishte aq shumë nevojë, deri sa mori si “dhuratë” 3000 franga ari nga Shqipëria, me ndërhyrjen e Faik Konicës tek Ahmet Zogu. Ky gjest arriti pikërisht qëllimin për të cilin ishte nisur: një farë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, si dhe një përmirësim të marrëdhënieve të acaruara të Nolit me Konicën. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940.

 

Vlerësimet e punës dhe veprës së Fan S. Noli janë të shumta, mes tyre:

Faik Konica: Në ‘’Washington Post’’ e quan ‘’shqiptari i shekullit”. Fan Noli na ka dhënë historinë më të mirë të Skënderbeut. Përdorimi i gjuhës shqipe në liturgji është një nga arritjet e tij më të mëdha. Dita që ai mbajti liturgjinë e tij të parë në gjuhën shqipe është një pikë kthese në historinë e Rilindjes Shqiptare.

Lefter Dilo: Fan  Noli  është  një  flamurtar  i  shquar  i  Rilindjes  Shqiptare…  Ai është oratori ynë më i madh.

Mitrush Kuteli: Fan Noli është një mjeshtër i ndërtimit të gjuhës letrare shqipe. Stili i tij është epigramatik, i fuqishëm, burrëror, lirik dhe epik në të njëjtën kohë. Ai personifikon shpirtin heroik të racës sonë.

Vehbi Bala: Fan  Noli  është  një  poet  dinamik,  një  orator  i  shquar  dhe  njeri  i letrave, një përkthyes i talentuar, një nga stilistët më të mirë të prozës sonë shqiptare si dhe një nga pionierët e parë të Rilindjes. Ai ka ushtruar një ndikim të thellë në historinë e kulturës sonë.

Shumë i Përndershm Stiven Apson: Arritjet  tuaja gjysmëshekullore kanë qenë me të vërtetë të mëdha dhe nuk do të përmenden vetëm në librat e historisë, por edhe në analet e Kishës Ortodokse në Amerikë. Ju e kthyet gjuhën e kishës nga greqishtja në shqip dhe i keni dhënë shtytje të fuqishme për të vazhduar në anglisht.

Dr. Norbert Jokli:  Përkthimi nga Noli i Rubaive të Omar Khajamit, është përkthimi më i mirë se në çdo gjuhë europiane, me përjashtim, ndoshta, të atij të Edward FitzGerald.

Dr. A. Rapaport: Nuk besoj që strofat e Omar Khajamit në persisht të jenë më të mira se ato të Fan Nolit në shqip.

Sotir Peci: Fan  Noli  është  një  apostull  i madh, i dërguar në Shqipëri  nga Krishti.  Ai shkëlqeu në qiellin tonë  si një  meteor verbues.

Milto Sotir Gurra: Vëllime do të nevojiteshin për të përshkruar punën e këtij titani të Rilindjes Shqiptare.

Lidhja e Shkrimtarëve, Tiranë:  Veprat  tuaja  të  cilat  gëzojnë një popullaritet të madh në Shqipëri, janë një thesar i letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Qerim Panariti: Jeta e Fan Nolit është një parakalim ngadhënjimtar. Puna e tij në çdo fushë, patriotike, fetare, politike dhe letrare, është një monument i pavdekshëm.[23]

Në botimet zyrtare të Qeverisë  me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare: … katër shkëlqejnë si yje të pashoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli.

Prof. Nikolla Çako: Noli u bë prift për të shpëtuar Shqipërinë. Ishte njeri i mençur. Noli komunist? Kjo s’është e vërtetë. Ai ishte kundër bejlerëve, dhe mbase e keqkuptuan.

Andon S. Frashëri: Fjalimet e Nolit të drithërojnë e të japin zemër, këtu të ngrenë në qiell, aty të përplasin për tokë, të ndezin, të fanatizojnë deri në marrëzi, po edhe të zbusin e të qetësojnë, dendur të bëjnë të qeshësh dhe të derdhësh lot gëzimi…”.[24]

Athanas Antoniu: Për imzot Nolin, feja dhe kombësia ishin binjake.

Nolin e vlerësonin lartë edhe kundërshtarët e tij : ‘’Megalli Ellinaqi Enkiklopedia’’, Athinë në 1933, shkruan: ‘’Fan Noli është një nga shqiptarët më të shquar në fushën e letrave dhe një nga personalitetet më të fuqishme politike të Shqipërisë. Aneksimi i Epirit të veriut me Shqipërinë ishte rezultat i politikës së tij të mençur. Në sajë të kulturës së tij, njohjes së shumë gjuhëve dhe aftësisë së tij gazetareske, ai është bërë udhëheqës dhe mendja frymëzuese e Rilindjes Shqiptare dhe kampioni kryesor i saj nëpër botë’’.[25]

Nasho Jorgaqi: Fan Noli është nga themeluesit e oratorisë shqiptare, një nga mjeshtrit jo vetëm të fjalës së shkruar, por edhe të fjalës publike..

Kadare: Ai bëri një kryevepër, e cila vërtet e meriton ta ketë këtë emër, ku gjendet gjithçka që është ëndërruar, thënë dhe shkruar para saj.

 

Shefqet Saliu

 Marre nga libri Mergata legjendare e Amerikes

[1] – At Arthur Liolin (me baba nga Boboshtica e Korçës), Kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, në intervistën dhënë gazetës “Illiria”, vit.bot. 1933, nr. 398.

[2] – Letër e Fan Nolit për Thanas Tashkon, 26 shtator 1906. Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 2008, f. 44.

[3] – At Artur Liolin, nga intervista dhënë “Zëri i Amerikës”, 28 maji 2007.

[4] – Nasho Jorgaqi, Letërkëmbimi i Fan Nolit, Shtëpia Botuese “Erik”, Tiranë, 2012, f. 389, 375, 392.

[5] – Dy fjalë për ballistët, gazeta “Dielli”, 26 mars, 1947.

[6] – Fan Noli, Libri i Pesëdhjetëvjetorit, Boston, Massachusetts, vit. bot. 1960, f. 31.

[7] – Është koha kur përfaqësuesit e shtetit shqiptar në Misionin pranë OKB nuk lejoheshin të dilnin jashtë Manhattan-it.

[8] Behar Shtylla, Fan Noli, siç e kam njohur.  Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 1997.

[9] – Ibrik-Tepej  nuk  ishte  koloni  e  vetme  e  shqiptarëve  në  Turqi, kishte edhe gjashtë koloni të tilla në Traki, secila në pozitë dhe gjendje të mirë.   

[10] – Titull që u jepej prijësve  shqiptarë që u  besohej  detyra  e  rekrutimit të  të  rinjve  dhe  vullnetarëve  sa herë kishte nevojë  për fushatat  gati  të pandërprera në atë kohë, Azi  dhe  në  Evropë. 

[11] – Që nga  koha  e  Shën  Palit, shkruan Noli,  martesat  e  dyta  nuk  shiheshin  me  sy  të  mirë  dhe  mezi duroheshin nga bota ortodokse. Kjo duhet të ketë qenë vërtet martesë nga dashuria.

[12] – Fan Noli, Libri i Pesëdhjetëvjetorit, Boston, NY, bot. vit. 1960, f.43.

[13] – Fan Noli, Libri i Pesëdhjetëvjetorit, Boston, Massachusetts, bot. vit. 1960, f. 46.

[14] – Noli shkruan se: Që  të  gjithë  ishin  vajza  e  djem  të  rritur,  të  cilët flisnin vetëm arabisht dhe nuk tregonin kurrfarë interesimi për të mësuar greqishten, që ishte gjuhë e prindërve të tyre. Ai mësoi prej tyre mjaft mirë arabishten, por nxënësit nuk e mësuan  mirë greqishten.

[15] – Fan Noli, Libi i Pesëdhjetëvjetorit, Boston, Massachusetts, vit. bot. 1960, f. 70.

[16]Nikolla Naço, kryetar i shoqërisë “Dituria”, i cili, që nga viti 1888,  po  botonte  gazetën  “Dituria” në  Bukuresht  të  Rumanisë.

[17]Shahin Teki Kolonja u lind në Starje, u diplomua në shkollën e shërbimit civil (mülkiye) dhe punoi drejtor në disa shkolla. Fillimisht në Edirne dhe ishte një nga shqiptarët e punësuar në administratën publike osmane për një kohë mytesarrif i sanxhakut të malit Athos, po e braktisi atë lloj pune. U arrestua në Manastir dhe u dënua me tre vjet burg për shpërndarjen e literaturës në gjuhën shqipe. Në 1897 ai u shkroi një memorandum autoriteteve osmane për një lejë për të botuar një gazetë në gjuhën shqipe, por kërkesa u refuzua. Për shkak të vështirësive dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme nga autoritetet osmane, shkoi në vende të ndryshme në Europë, më në fund u vendos në Sofje. Nga 1901 deri në 1908 botoi në Sofje revistën “Drita” (botuar më parë nga Petro Poga, me ndihmën e Kristo Luarasit). Përmes gazetës, Kolonja dhe Luarasi punonin intensivisht për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të siguruar libra në gjuhën shqipe. Në vitin 1904 botoi në “Drita” manifestin e Zgjimit Kombëtar Shqiptar, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, çdo bëhet”. Ai ishte një anëtar i shquar i 26 kuvendarëve që përfaqësonin katër vilajete shqiptare, ishte një nga delegatët e Kongresit të Manastirit, në të cilin alfabeti shqiptar u standardizua.

[18]Kristo Luarasi, u lind më 1875 në fshatin Luaras të Kolonjës, i biri i Papa Stefanit prej të cilit mësoi gjuhën shqipe. Si shumë bashkëkrahinarë të tij shkoi në mërgim në Bukuresht, Rumani, ku lëvizja çlirimtare shqiptare po ecte përpara me botimin e librave në gjuhën amtare dhe hyri në shkollën që kish hapur në Bukuresht atdhetari Nikolla Naço, njëkohësisht punonte e mësonte në një shtypshkronjë rumune mjeshtërinë e tipografit. Nga viti 1896 shkoi në Sofje, Bullgari, ku shqiptarët e mërguar në këtë qytet më 1893 kishin themeluar shoqërinë “Dëshira” e cila, si edhe shoqëritë e tjera të mërgimit, zhvillonte një veprimtari kulturore me qëllime të qarta politike. Me ndërhyrjen e kryetarit të shoqatës, Dhimitër Mole, Kristua punoi në shtypshkronjën e shtetit me të mbërritur. Shoqata ngriti më 1896-ën një shtypshkronjë të thjeshte, pas ca kohe Jani u tërhoq, u mor me punë të tjera, prandaj shtypshkronjën të cilës i vuri emrin kuptimplotë “Mbrothësia” e mbajti vetë Kristo Luarasi. Shtypshkronja “Mbrothësia” shtypi abetare, gramatika, libra të këndimit dhe të shkencave. Kristo së bashku me Kostën dhe Mit’hat bej Frashërin arriti të botojë Ditërëfenjës-in ose Kalendarin Kombiar që u botua për vit, me ndonjë shkëputje, prej 1897 gjer më 1928. Shtypshkronja pati meritë për përhapjen e letrave shqipe dhe botimin e 37 vëllimeve që nga vëllezërit Frashëri, kristomatitë e përgatitura nga Gjergj Qiriazi, “Valët e Detit” të Spiro Dines, Hoxhë Vokës etj. Në vitin 1899 Kristo P. Luarasi, sipas porosisë së kryesisë së shoqërisë “Dëshira”, kreu një udhëtim në Shqipëri, Kalabri e Siçili tek arbëreshët e Italisë, Stamboll, për t’u takuar me vëllezërit Frashëri. Qëllimi të binte në kontakt me Rilindësit më të shquar të kohës dhe të hartonin një program të përbashkët për botimin e librave të tyre në shtypshkronjën “Mbrothësia” me alfabetin e Stambollit. Veprimtaria e tij e shquar vazhdon. U martua në vitin 1904 me Polikseni Dhespotin nga Lunxhëria që ishte mësuesja e parë e shkollës së parë të vashave në Korçë. Pati tre djem dhe një vajzë. Në vitin 1922 Kristoja u transferua familjarisht dhe me të gjithë shtypshkronjën në Tiranë, ku vazhdoi punën e tij të mëparshme. Ai vdiq me 7 korrik 1934 në Tiranë. Në vitin 1937, Theodhori (djali i vogël) që administronte shtypshkronjën, i ndërroi emrin asaj duke ia kthyer në shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Kështu ajo vazhdoi deri në vitin 1947 kur u shtetëzua pa asnjë shpërblim nga qeveria komuniste e asaj kohe.

[19] Fan Noli, Libri i Pesëdhjetëvjetori, Boston NY, vit bot. 1960, f. 78.

[20]Petro Vito Poga (1850-1944) ishte një politikan shqiptar, delegat i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë 1912 dhe një Rilindës i rëndësishëm. U lind në Erind të Gjirokastër. I ati i tij ishte një rrobaqepës që punoi në vendlindje dhe Stamboll. Poga studioi në gjimnazin Zosimea të Janinës  dhe u diplomua në jurisprudencë në Stamboll, ku ishte edhe pjesë aktive e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave Shqiptare dhe Shoqatës për Publikimin e Shkrimeve Shqiptare. Këto dy shoqata, të dyja të themeluara nga Sami Frashri, përfshinë Naim Frashëri, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Shahin Kolonja, Hasan Tahsini dhe Ismail Qemali dhe synonin krijimin e një Shqipërie të pavarur. Ishte redaktor i revistës shqiptare “Drita” në vitin 1884, ndërsa Naim Frashëri ishte mbrapa redaktorit. Naim dhe Sami Frashëri do të shkruanin duke përdorur pseudonime në atë revistë. Në kujtimet e tij Petro Poga ka shkruar: Revista “Drita” zgjoi idealin e shenjtë kombëtar dhe ndikoi të vendoste në zemrat e shqiptarëve mendimin se fetë nuk mund të ndryshojnë një komb, sepse ata nuk mund ta ndryshojnë gjuhën dhe zakonet që krijojnë një komb. Në vitet 1906-1908, Petro Poga ishte në Gjirokastër ku kontribuoi në përhapjen e gjuhës shqipe dhe identitetit shqiptar. Një nga rolet më të rëndësishme të tij ishte themeli i klubit patriotik “Drita” të Gjirokastrës, i cili udhëhiqej edhe nga patriotët shqiptarë Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha dhe Elmaz Boçe. Petro Poga mbështeti fuqishëm lëvizjen shqiptare drejt pavarësisë në vitin 1912. Ai u zgjodh një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës.

Më 25 dhjetor 1918 ai ishte përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh zëvendëskryetar dhe anëtar i kabinetit të Turhan Përmetit. Së bashku me Luigj Gurakuqin, në diskutimet e tij në këtë Kongres kërkoi të miratonte një ligj për respektimin e lirive fetare sipas standardeve europiane të asaj kohe. Ai dha gjithashtu kontribut për hartimin e legjislacionit shqiptar dhe Kushtetutën e Mbretërisë Shqiptare në vitin 1928. Poga i kaloi vitet e fundit në fshatin e tij të fëmijërisë në Erind.

[21] Fan Noli, Libri i Pesëdhjetëvjetori, Boston, NY, vit bot 1960, f. 80

[22] – Fan Noli, Libri Pesëdhjetëvjetorit, Boston, NY, vit bot. 1960, f. 83.

[23] – Fan Noli, Libri i Pesëdhjetëvjetorit, Boston, NY, vit bot. 1960, f. 94-95.

[24] – Revista “Shkëndija” 1942 Nr. 9-10.

[25] – Gazeta “Iliria” nr. 398, vit bot 1993.

Comment

*