Tiranë: Festimet e Kurban Bajramit në Sheshin Skënderbej

Nga Ilirjan Agolli

Mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë festuan sot Kurban Bajramin me falje dhe këngë në sheshin Skënderbej.

Kurban Bajrami është një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre.

Herët në mëngjes ata u mblodhën pranë xhamive nëpër lagje, ndërsa ndërsa një tjetër vend festimesh në kryeqytet ishte sheshi “Skënderbej”.

Pasi kryen faljet, këngët, ritualet dhe ceremonitë e tjera të festës, kryetari i Komunitetit Mysliman, haxhi Bujar Spahiu uroi besimtarët për Kurban Bajramin.

Kryetari Spahiu i kushtoi një pjesë të madhe në fjalën e tij dhunës në familje dhe u bëri thirrje besimtarëve për të qëndruar pranë familjes, fëmijëve, nënave e prindërve.

“Dhuna në familje dhe divorcet janë bërë problem i madh dhe dukuri e zakonshme. Dhuna dhe divorcet shkaktojnë tek fëmijë dëmtime të pariparueshme. Prandaj mbroni familjet tuaja, falni më shumë dashuri dhe rrini larg divorcit” tha kryetari Spahiu.

Haxhi Bujar Spahiu bëri thirrje që qytetarët t’i përkushtohen me përulësi jetës së kulturuar në komunitet dhe pranë rrethit të tyre familjar, t’u qëndrojnë pranë me dashuri fëmijëve dhe prindërve të tyre.

“Një tjetër problem I madh është edhe braktisja e prindërve. Ju duhet të kujdesebi për ta, si u kujdesën ata për ju kur ishit të vegjël, se kështu na mëson profeti ynë dhe Kurani i shenjtë. O Zot, pranoji lutjet de kurbanet tona, shëroji të sëmurët, dhe na i bëj fëmijët tanë mbarë!. O Zot, bekoje vendin tonë me paqe e mirësi!” – tha haxhi Bujar Spahiu.

Pjesa më e madhe e banorëve në Shqipëri i përkasin besimit mysliman, ndërsa komunitete fetare të konsiderueshme janë edhe besimtarët bektashi, si edhe kristianë e ortodoksë.

Shqipëria është e njohur në rajon për tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që kanë besimtarët mes tyre. (Zëri i Amerikës)

Comment

*