Tiranë: Tryezë ndërkombëtare mbi sigurinë energjitike dhe pavarësinë nga gazi rus

Tiranë, 27 prill 2022 – “Lufta e Putinit ndaj Ukrainës dhe lajmet për krime të tmerrshme treojnë nevojën urgjent të Europës për të rritur pavarësinë e saj nga gazi rus”, tha Laura Lochman, zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit për energjinë, në një tryezë me disa kompani të mëdha të energjisë nga SHBA dhe BE, që u mbajt sot (e mërkurë) në Tiranë.

Në tryezën me moton “Përtej Kufijve” u diskutua mbi tregun e qëndrueshëm energjitik, ekonomimë me reduktim karboni dhe me pavarësinë nga gazi rus.

Pjesëmarrësit – diplomatë, zyrtarë të lartë e biznesmenë -thanë se rritja e sigurisë energjitike në Europë është e lidhur ngushtë me sigurinë klimatike dhe me sigurinë kombëtare të secilit vend, siç po provohet tashti, gjatë agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Zëvendës ndihmës sekretarja për diplomacinë e energjisë dhe e zyrës së burimeve energjitike në Departamentin amerikan të Shtetit, Laura Lochman, në fjalën e saj online nga Uashingtoni, tha se SHBA e konsideron prioritet sigurinë energjetike.

“Siguria energjitike e Europës, e përputhur me objektivat amerikane të klimës, është përparësi e SHBA-ve edhe përpara se Rusia të niste luftën kundër Ukrainës”, tha ajo.

Zonja Lochman tha se politikat amerikane janë përqëndruar tek shtimi i larmisë së burimeve energjitike prej rrugëve, furnizuesve dhe llojeve të karburanteve; energji bërthamore, e rinovueshme dhe gaz i lëngshëm.

Ajo tha se nismat amerikane nxitën inovacionin energjitik dhe shpërndarjen e saj, sepse SHBA synojnë të dekarbonizojnë industritë dhe të ulin ndikimin e saj mbi natyrën, ndaj pavarësia e BE nga gazi rus është shumë e rëndësishme.

“Lufta e Putinit ndaj Ukrainës dhe lajmet për krime të tmerrshme nënvizojnë nevojën e Europës për të rritur pavarësinë e saj nga gazi rus. Kjo luftë rrit urgjencën e arritjes së pavarësisë energjitike dhe të çojmë përpara tranzicionin drejt energjisë së pastër, në mënyrë që Rusia të mos jetë e aftë të përdorë karburantet fosile për ndikime politike”, theksoi zonja Lochman.

Diplomatja amerikane theksoi se pavarësia nga gazi rus nuk mund të ndodhë brenda natës dhe është sfidë më vete, sepse do të duhen vite që Europa të çlirohet nga varësia prej 150 milionë metër kub gaz rus i përvitshëm.

Ajo shtoi se sanksionet amerikane së bashku me ato të aleatëve dhe partnerëve të SHBA do të ndikojnë tek presidenti rus dhe ekonomia ruse duke zvogëluar dëmin ndaj SHBA dhe aleatëve të saj.

Zonja Lochman tha se duhet zbutur ndikimi potencial i North Stream 2 përpara se të mbyllet, ndërsa kompanitë amerikane dhe ato europiane po investojnë në gazin e lëngshëm dhe në interkoneksionin, duke ecur drejt energjisë së pastër, me ujë, diell dhe erë, si dhe larg karburanteve fosile.

“Mbrojtja e klimës është çështje e sigurisë kombëtare dhe ekonomike e SHBA dhe dekada e viteve 2020 është koha e përshpejtimit të tranzicionit drejt energjisë së pastër, njëkohësisht me pavarësinë nga gazi rus”, theksoi zonja Lochman.

“Ne pranojmë dhe e dimë se ky trazicion drejt energjisë së pastër është një proces që kërkon kohë dhe duhet përshpejtuar. Diversifikimi është i nevojshëm në lloje të ndryshme energjie, dhe gjatë tranzicionit në energji të rinovueshme larg karburanteve të fosileve dhe kjo kërkon gjithë bashkëpunimin tonë”, u shoreh ajo.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ftoi vendet dhe kompanitë pjesëmarrëse që të bashkëpunojnë pa humbur kohë për të realizuar projekte në fushën energjitike dhe për të krijuar një arkitekturë të re të sektorit energjetik shqiptar.

Ai përmendi vizitën e disa ditëve më parë në Azerbaixhan, ku presidenti Aliev shprehu interes për projektin jonian të transmetimit të gazit.

“Pashë me kënaqësi në fjalët e tij interesin e lartë për t’u përfshirë në tubacionin e ri adriatiko-jonian, i cili mund të jetë një tjetër ndryshues i madh i lojës në rajonin tonë, por në të njëjtën kohë mund të jetë një fuqi energjike për Europën”, tha Rama.

Ai tha se ky projekt mund ta ndihmojë Europën që sa më shpejt e mundur të fitojë pavarësi nga gazi rus.

TEC i Vlorës po shndërrohet në një impiant të përpunimit të energjisë, ndërkohë që në territorin shqiptar kalojnë tubacionet e TAP, TransAdriatic Pipeline.

Shqipëria po zhvillon prodhimin e energjisë elektrike prej diellit, erës, dhe ujit, me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, i cili do të rritë me 20 për qind prodhimin e energjisë elektrike nga uji. Shqipëria synon që brenda kësaj dekade të bëhet një vend eksportues energjie.

(Sipas Zërit të Amerikës)