Todosijeviq kërkon shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg

Prishtinë, 6 tetor 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka pranuar kërkesën e avokatit Nebojsha Vllajiq që deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Ivan Todosijeviq, t’i shtyhet afati për vuajtjen e dënimit me burg. Në arsyetimin e kërkesë së avokatit thuhet se Todosijeviq “gjendet jashtë vendit”.

Avokati Vllajiq nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen nëse Todosijeviq ndodhet në Kosovë apo në Serbi.

“Nuk mund t’jua them këtë. Mos më pyetni fare për diçka të tillë”, ka thënë Vllajiq për Radion Evropa e Lirë.

Todosijeviq duhet të paraqitej për vuajtjen e dënimit më 6 tetor.

Avokati i tij, Nebojsha Vllajiq, ka thënë se Todosijeviq nuk e ka marrë fare ftesën për ta vuajtur dënimin.

Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kishte thënë se Todosijeviq e kishte marrë ftesën.

“Ivan Todosijeviq ka marrë ftesën që më 6 tetor, në orën 12, të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, për të vuajtur dënimin me dy vjet burgim”, kishte thënë Petkoviq, duke e cilësuar dënimin e Todosijeviqit si “goditje të re nga Prishtina”.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë se nuk mund të flasin lidhur me veprimet e mëtejme, në qoftë se Todosijeviq nuk paraqitet fare për vuajtjen e dënimit.

Më 24 gusht, Todosijeviq është dënuar me dy vjet burgim, për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 shqiptarë të Kosovës, më 1999.

Autoritetet serbe, në krye me presidentin Aleksandar Vuçiq, thonë se Todosijeviq “është dënuar padrejtësisht, vetëm sepse e ka thënë të vërtetën”.

Më 25 gusht, Vuçiq u kishte bërë thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të bashkuar rreth Todosijeviqit, “ashtu siç ne në Serbinë qendrore do të jemi pranë tij, familjes së tij dhe pranë gjithë popullit serb në Kosovë”.

Todosijeviq, përveçse është deputet i Kuvendit të Kosovës, e kryen edhe funksionin e kryetarit të organit të përkohshëm komunal të Zveçanit, në veri të Kosovës, strukturë kjo paralele e Serbisë në Kosovë.

(r.m.)