Tone pro-ruse në Beograd në parakalimin për Ditën e Fitores

Beograd, 9 maj 2022 – Disa qindra veta parakaluan të hënën në Beograd për të nderuar trupat serbe dhe sovjetike që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë parakalimit pjesëmarrësit mbanin në duar simbole në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë. Serbia një aleate e vjetër e Moskës, ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Tingujt e himnit kombëtar rus u dëgjuan të hënën në Beograd, ku qindra serbë, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, u mblodhën për Ditën e Fitores, duke shfaqur kështu sforcimin politik të një vendi të lidhur prej kohësh me Moskën, por që tani po përpiqet të integrohet në Bashkimin Evropian.

Një nga pjesëmarrësit në një parakalim për nder të trupave serbe dhe sovjetike që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbante një shkronjë të madhe Z – simbol i pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa një tjetër solli një fotografi të madhësisë reale të presidentit rus, Vladimir Putin.

Disa qindra persona u mblodhën të hënën në një park të qytetit për të parakaluar së bashku deri te varrezat, ndërsa po mbanin në duar fotografi të paraardhësve që kanë luftuar në Luftën e Dytë Botërore.

“Besoj se është thelbësorr, posaçërisht tani, që njerëzit të kujtojnë sakrificat e bëra në atë ditë të fitores”, tha pjesëmarrësja Marija Deuriç, stërgjyshi i së cilës ishte gjeneral gjatë luftës.

“Paqja do të rikthehet. Shpresoj që të gjithë, si paraardhësit tanë që luftuan për liri, do të luftojnë për paqen e vërtetë”, tha ndërkaq, Nebojsa Radiç.

Serbia, e cila ishte bombarduar nga NATO dy dekada me parë, dhe e cila ka pasur lidhje kulturore me Rusinë për disa shekuj, i është shmangur trysnisë për të marrë anë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, pavarësisht thirrjeve të perëndimit që t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës.

(Zëri i Amerikës)