Topalli: PD ka nevojë për një lidership të ri

Tiranë, 27 tetor 2021 – Ish-kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka dalë në mbështetje të “Foltores” së ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilën e ka quajtur si lëvizjen më të madhe të 30 viteve të fundit.

Zonja Topalli ka thënë se Partisë Demokratike (PD) i duhet një lidership i ri dhe ka shprehur gatishmërinë të kontribuojë për reformimin e partisë pa Lulzim Bashën.

Ajo ka thënë se Berisha e kishte shprehur ambicien për të konkurruar për postin drejtues të PD-së që në muajin maj.

“Në fakt, i kam paraprirë ‘Foltores’, me të gjitha qëndrimet, gjatë 10 viteve të fundit. Në njëfarë mënyre, bashkë me kolegë të tjerë, e kemi mbjellë tharmin e asaj që është shpalosur sot në atë që quhet “Foltore”, që është një lëvizje politike e domosdoshme. Është një reagim, një energji, një pozitivitet, një zgjim i jashtëzakonshëm që mund të bëjë të mundur që, duke larguar Lulzim Bashën, ta largojmë Edi Ramën, sepse vendi ynë është në një moment vërtet kritik dhe ka nevojë për një lidership të ri”, ka thënë Topalli në Klan News.

Ajo ka  thënë se nuk synon të kandidojë për kreun e partisë përballë Berishës, duke theksuar se “rëndësi ka rithemelimi i PD-së” dhe lëvizja “për të larguar lidershipin që e ka çuar PD-në nga disfata në disfatë, për të larguar njeriun i cili e ka shitur opozitën për interesat financiare të tij, personale dhe të familjes së tij”.

(r.m.)

Comment

*