Tornadoja më e tmerrshme në histori – Të vdekur dhe shkatërrime në Oklahoma

Moti me stuhi të fuqishme pritet të përhapet përgjatë pjesëve të tjera të zonës së mesme perëndimore të Shteteve të Bashkuara

 

Një uragan me erëra 320 kilometra në orë vrau  të paktën 51 persona dhe shkaktoi shkatërrime masive në shtetin amerikan qendror të Oklahomës, duke rrënuar dy shkolla dhe lagje të tëra.

Zyra për Ekzaminime Mjekësore në Oklahoma tha se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa punëtorë të shpëtimit shkojnë më thellë në zonat e goditura më rëndë.

Uragani rreth 1 kilometër e gjysme në gjerësi goditi të hënën pasdite rajonin Moore, në periferi të qytetit Oklahoma, duke plagosur dhjetra njerëz, dhe duke shkatërruar shumë ndërtesa banimi e biznesi.

Punëtorët e shpëtimit kanë tërhequr disa fëmijë të gjallë nga rrënojat e shkollave.

Guvernatorja e Oklahomës Mary Fallin ka dislokuar 80 anëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar me operacionet kërkim-shpëtim.

Guvernatorja foli gjithashtu me presidentin Barack Obama, i cili i kërkoi agjensisë Federale për Menaxhim Emergjent FEMA, të ofrojë çdo ndihmë që ajo ka nevojë.

Një mot me stuhi të forta pritej në të gjithë pjesët e tjera të rajonit të mesëm perëndomor. Një stuhi të dielën vrau dy vetë në Oklahoma.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka shpallur paralajmërime për stuhi të fuqishme në pesë shtete – Oklahoma, Kansas, Missouri, Arkansas dhe Texas –  dhe thotë se uragani pritet të prekë këto shtete brenda orëve të ardhshme. (VOA)

Comment

*