Trafikantë e klandestinëve qëllojnë mbi policinë në kufirin Shqipëri-Kosovë

Prishtinë, 26 maj 2023 – Gjashtë shtetas të huaj, sirianë dhe algjerianë janë arrestuar në kufirin Shqipëri-Kosovë, pasi kanë qëlluar me armë në drejtim të policisë. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e së enjtes.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar homologët kosovarë se një automjet me klandestinë po kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme. Ata bënë të ditur se trafikantët që po bënin transportimin e klandestinëve kanë qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë.

Asnjë prej efektivëve të policisë nuk ka pësuar lëndime.

“Plumbat përshkuan veshjet e dy efektivëve, por fatmirësisht nuk janë në rrezik për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë së Kukësit.

Sipas tyre janë arrestuar 5 shtetas me origjinë siriane dhe 1 algjeriane, të moshave nga 20 deri 40 vjeç, ndërsa një tjetër algjerian është shpallur në kërkim.

Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Sipas policisë ky grup i armatosur organizonin dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë.

Latif Hoxha, shef i sektorit të operatores për mbikëqyrjen e kufirit Kosovë-Shqipëri tha se “kanë qenë grup i organizuar”. Sipas tij, personi i shpallur në kërkim ka qenë i proceduar më parë nga policia e Kosovës dhe e Shqipërisë, si dhe ka qenë i arrestuar.

“Personat që kanë qenë duke ardhur, në momentin e takimit vizual me policinë e Kosovës, janë kthyer nga policia shqiptare, ndaj të cilëve kanë gjuajtur. Në pamundësi për t’u futur në Kosovë e për t’u kthyer mbrapa kanë përdorur gjuajtjet për të shpëtuar”, tha Hoxha.

“Në momentin e parë janë ndaluar 3 persona nga ana e policisë së Shqipërisë. Katër të tjerë ikën në pjesën e sipërme, në atë të vështirë malore, është krehur tereni në të dyja anët. Në pjesën e Shqipërisë kanë qenë të përfshira të gjitha njësitë. Më vonë nga policia shqiptare kemi marrë konfirmimin se janë arrestuar dhe 3 të tjerë. Ne nuk kemi gjuajtur. Vetëm ata kanë gjuajtur”, shtoi ai.

Operacioni i quajtur “Strukturimi”, po vazhdon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

(Jetmira Delia-Kaci, REL)