Trafikimi i qenieve njerëzore – shqetësim i madh për Shqipërinë

Tiranë, 18 tetor 2021 – Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian bëri sot thirrje për më shumë bashkëpunim midis institucioneve dhe aktorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Në Ditën Europiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, OSBE bashkoi në tryezë pune në Tiranë një seri institucionesh dhe qendrash të specializuara për këtë shqyrtuar vështirësitë e kësaj fushe.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Roberto de Bernardi, thotë se trafikimi i qenieve njerëzore është shqetësim i madh për Shqipërinë, ndaj ndërhyrjet duhet të jenë të vazhdueshme dhe të ndërthurrura mes shumë sektorëve.

Ndërhyrjet u përqëndruan në 4 rajone, theksoi ai: Tirana, Dibra, Shkodra dhe Kukësi, sepse në këto rajone trafikimi i qenieve njerëzore ishte dhe është më i ndjeshëm.

“U kujdesëm për 100 persona me strehim dhe kujdes shëndetësor, në dy vitet e fundit, si viktima potenciale të trafikimit të qenieve njerëzore. Me ekipe të lëvizshme identifikuam disa qindra viktima të tjera potenciale dhe afro 70 për qind e tyre ishin fëmijë, ndaj edhe nevojitet bashkëpunimi me UNICEF” – tha zoti De Bernardi.

Bashkë me rreziqet në terren, një tjetër rrezik është edhe trafikimi i qenieve njerëzore që parapërgatitet nga komunikimet online, ku rrezikohen mijëra persona që kalojnë shumë orë në internet, theksuan të pranishmit.

Kreu i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenso del Monaco, tha se trafikimi i qenieve njerëzore është një krim i tmerrshëm, por është së pari dhe mbi një të gjitha dhunim i të drejtave njerëzore.

“Përballja me këtë krim kërkon bashkëpunim të ngushtë midis shumë institucioneve; ndjekja dhe hetimi i këtij krimi, dënimi i autorëve dhe kujdesi për viktimat nga të gjithë aktorët që e kanë këtë si punë të përditshme – policët, prokurorët, punonjësit socialë, inspektorët dhe veprimtarët. Sfida është që në këtë fushë të synohen rezultate të shpejta javore dhe jo vetëm shifra vjetore” – tha ambasadori Del Monaco.

Sipas përfaqësuesve të qeverisë, autoritetet po bashkëpunojnë me ndërmarrjet sociale, që punësojnë dhe kujdesen për personat e shkëputur nga rreziqet e trafikimit, për t’i integruar ata në shoqëri nëpërmjet punës.

Zëvendës ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, Denada Seferi, theksoi se Shqipëria ka tashmë një mekanizëm kombëtar të mbrojtjes sociale, si dhe mbështet 3 strehëza për viktimat, linjën kombëtare të këshillimit për viktimat e trafikimit.

“Qendra rezidenciale shtetërore është publike dhe financohet tërësisht nga shteti. Kjo është një nga qendrat, ku viktimat e trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit trajtohen prej vitesh dhe gjejnë më pas integrimin e tyre në shoqëri” – tha zonja Seferi.

Një punë e kujdesshme po bëhet edhe në fushën e shëndetit publik për të identifikuar dhe kujdes për personat më të rrezikuar nga pikëpamja mjekësore.

Ndërsa zëvendës ministrja e punëve të brendshme, Romina Kuko, tha se qeveria është e përkushtuar të mbrojë viktimat e trafikimit dhe të hetojë e të nxjerrë para drejtësisë trafikantët.

“Vetëm angazhimi i përbashkët në luftën kundër trafikimit, abuzimit apo shfrytëzimit seksual, veçanërisht të fëmijëve, do të sigurojë mbrojtjen e tyre në mënyrë që të parandalojmë që të kemi viktima të ardhshme të trafikimit” – tha zonja Kuko.

Në raportet ndërkombëtare Shqipëria përmendet si një vend problematik sa i takon trafikimit të qenieve njerëzore dhe ku qeveria nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eleminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta arritur një gjë të tillë.

Këto përpjekje përfshijnë ndjekjen penale të më shumë të pandehurve dhe rritjen e konsiderueshme të fondeve për strehat për viktimat, të cilat financohen nga qeveria.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)