Tre anëtarë të një familjeje nga Gjilani vdesin në Durrës, dyshohet se u helmuan nga ushqimi

Prishtinë, 8 maj 2021 – Një tragjedi e rëndë e ka goditur një familje nga Gjilani.

Afrim Haliti (56 vjeçar), nëna e tij Elfetja (78 vjeçare) dhe bashkëshortja e tij Ferzinazja (57 vjeçare) kanë vdekur në Shqipëri. Dyshohet se ata kanë vdekur nga helmimi me ushqim.

Afrimi dhe Elfetja kanë vdekur të premten, kurse Ferzinazja  të shtunën.

Familja nga Gjilani e kishte marrë një banesë me qira në Gjirin e Lalëzit, ku po pushonin prej disa ditësh.

Sipas hetimeve paraprake të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, shkak i vdekjes dyshohet se kanë qenë helmimi me kërpudha, tëcilat, po sipas informacioneve të para, dyshohet se i kishin mbledhur në pyll dhe i kishin konsumuar në banesë.

Pas problemeve të para shëndetësore, të tre anëtarët e familjes Haliti kanë kërkuar ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore Manëz e pastaj janë kthyer në banesë, por gjendja e tyre shëndetësore është rënduar dhe ua ka marrë jetën.

Në njoftimin e policisë nuk saktësohet nëse të ndjerët kanë vdekur në banesë apo në ndonjë institucion shëndetësor.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka bërë të ditur se dy mjekët që ua kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore janë proceduar në gjendje të lirë, me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe (familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë për Qarkun e Durrësit.

Tragjedia e familjes Haliti ka shkaktuar dhembje e pikëllim. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes Haliti, u ka bërë thirrje autoriteteve të Shqipërisë që ta ndriçojnë sa më shpejt këtë rast tragjik.

“Me trishtim e mora lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të tre anëtarëve të familjes suaj, në Shqipëri, Elfete, Afrim e Ferzinaze Halitit. Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve dhe apeli im është që të ndriçohet rasti sa më parë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në telegramin e tij.

(r.m.)