Tre episode nga Xhaxhi Qamili

Naum Prifti

Naum Prifti

1- NË SHTËPINË E MYDERRIZ OSMANIT

Haxhi Qamili, sapo erdhi në Kavajë, shkoi për vizitë te shtëpia e Myderriz Osmanit, që t’i tregonte se e nderonte dhe e respektonte si fetar. Familja e Myderrizëve ishte nga familjet më të dëgjuara të qytetit tonë.
Sapo hyri në tremen e shtëpisë së tij, —kështu i themi ne të ndarës midis dy dhomave—pa u përshëndetur akoma me të zotin e shtëpisë, sytë i shkuan te kamarja ku dukej një shishe me lëng pa ngjyrë. Haxhi Qamili e pandehu raki prandaj i hipi gjaku në kokë. U bë si i xhindosur e filloi të bërtiste: “Edhe shtëpi myderrizësh, edhe pini raki, hë? Keni hyrë në gjynah. Gjynah dhe gjynah i rëndë që duhet ndëshkuar.” Menjëherë i bëri zë ordinacës të shkulte një hu nga kopshti dhe t’i vinte pranë. Myderrizi e pa se vizita filloi ters dhe u përpoq ta sqaronte për shishen në kamare.
-Baba Haxhi, – nisi Myderrizi me të butë.
-S’ka Baba Haxhi…- e ndërpreu Haxhiu.
-Prit, të merremi vesh…
-S’ka prit. Shtro kurrizin këtu në treme të hash drurin që ke hak, pastaj merremi vesh! – urdhëroi Haxhi Qamili.
Ordinanca po rrinte gati me hu në dorë.
Myderrizi u shtrit se e njihte inatin e Haxhiut. Sa t’i shkonte koka, më mirë duronte drurin. Kur gjëmoi huri për të tretën herë mbi kurrizin e tij, Myderrizi bërtiti:
-Është ujë Zemzeni,(1) për Allah, është ujë Zemzeni e jo raki…
Haxhi Qamili u hutua. Hapi sytë dhe vështroi fytyrën e Myderrizit. Nuk e besoi. Vajti afër kamares, mori shishen, i hoqi vulomën dhe i mori erë. S’kishte pikë duhme rakie. E provoi ne gojë dhe u bind se Myderrizi kishte thënë të vërtetën.
-U futa në gjynah, –pëshpëriti. – Si lahet ky gjynah? – pyeti veten. Dhe menjëherë e gjeti zgjidhjen. U kthye nga ordinanca dhe e pyeti sa herë i kishte sëlluar me hu Myderrizit.
-Tri herë, – i tha ordinanca.
-Aq do më goditësh edhe mua që ta laj këtë gjynah. –Dhe u shtrit sa gjatë gjerë në dysheme.
Ordinancës nuk ia mbante t’i sëllonte me forcë, prandaj e goditi lehtë, sa me thënë, mirëpo kjo e inatosi Haxhi Qamilin.
-Ah, derr i derrit, – i shfryu. –Ti kërkon të më futësh edhe më thellë në gjynah, derisa sa bën sikur më godit. Ti s’do ta shlyej fajin që bëra. Do të ma lësh mbi kurriz. Jezit!
-Më ngjan se të rashë…
-Të mësoj unë si sëllohet. Shtroju këtu!
Dhe pasi ordinanca u shtrit. Haxhi Qamili i sëlloi me hu sa i hante krahu.
-Ja kështu të më biesh edhe ti, – e urdhëroi.
Herën e dytë ordinanca i fyer nga druri që kishte ngrënë dhe nga inati, ia ngjeshi paq.

 

2 – KAVAJASI NË ELBASAN

Haxhi Qamili e pushtoi Elbasanin në të ngrysur të ditës. Që t’u shtinte tmerrin elbasanasve dhe të ndihej dora e pushtetit të tij, thirri në shtab disa ushtarë dhe i porositi:
-Nesër në sabah e dua një burrë të varur te pazari në Bezistan. Thoni e ka varur Haxhi Qamili.
-Kë të kapim? Si e quajnë? Ku e ka konakun? – e pyetën.
-Kushdo qoftë, veç të jetë i bëshëm, trupmadh, që ta mbush syrin. Zgjidheni vetë dhe ma sillni këtu!
U lëshua patrulla nëpër hanet e mejhanet. Futu te një kafeane e dil te tjetra, derisa më në fund gjetën një burrë të shëndoshë, me shtat të lartë e me qafë të dhjamosur. I shkelën synë njeri tjetrit se e gjetën kurbanin që u duhej. Pa një pa dy e urdhëruan të çohej. Ai po luante kumar, me faqoren e rakisë pranë dhe një pjatë me meze.
-Çohu, se të kërkon Baba! – e urdhëruan.
-Çka më do mue Baba? – i pyeti.
-Ta thotë vetë ai…
-Thojini Babës se Abdullahu nuk e përsërit më. Vallahi, hera e fundit.
Ata s’ia vunë veshin. E vunë përpara dhe ia shpunë Haxhi Qamilit te konaku ku kishte bujtur.
-E gjetëm, o babë, – i than jë nga bashibozukët. – Ja tek e ke!
Abdullhau, tregtar kavajas shkonte shpesh në Elbasan për punë tregëtie e për kumar. Njihej prej të gjithëve. E njihte dhe Haxhi Qamili se kishte dëgjuar që ai pinte raki në kohën e ramazanit. E kishte porositur “pi sa të duash, veç jo gjatë muajit të ramazanit.”
-Vallahi, s’e përsërit më, – iu betua Abdullahu. –Ti më ke dalë borxhit, por thashë tani s’është kohë ramazani dhe ma donte vuxhuti të pija një faqore. Shita me leverdi disa bagëti e thashë ta festoja.
-A e di pse të kanë sjellë këtu? – e pyeti Haxhi Qamili.
-Të kërkon Baba, më thanë asqerët.
-Do të varim Abdullah! – gjëmoi Haxhiu.
-Po përse, mor jahu? Çfarë të keqe kam ba? Kurrgja, Babë. Po luaja kumar e po pija një gotë raki, a varet njeriu për kaq pak gja?
-Varet që ç’ke me të, po thuaj shyqyr që s’je prej këtejna. – Dhe duke u kthyer nga bashibozukët që prisnin urdhër, u tha: -Këtë e keni marrë gabim, se ky asht prej Kavaje e s’ka pse varet në Elbasan. Lirojeni e më gjeni një tjetër po kaq të shëndoshë dhe ma bini këtu!
Kështu shpëtoi Abdullahu dhe taksirati i ra dikujt tjetër të varej në Bezistan.

(Të dy episodet i dëgjova nga Ibrahimi, kunati i Latif Nerjakut. – Kavajë 6 qershor 1976 )

 

3 – AJUTANTI I HAXHI QAMILIT

Para disa vitesh erdhi këtu në Kavajë një historian, s’di si ia thoshin emrin. Kërkoi të takohej me axhutantin e Haxhi Qamilit.
-Ti e ke njohur mirë Haxhi Qamilin, – i tha Historiani. – A mund të më tregosh çka di për të? Çfarë përshtypje të ka lënë, si të është dukur, si sillej? Mundësisht edhe ndonjë ngjarje të panjohur.
Ish axhutanti i Haxhi Qamilit, tashti në moshë të thyer, –më ngjan se ishte nga mesi i viteve ‘50–u mendua pak para se të përgjigjej. Historiani nxori lapsin dhe bllokun.
-Due me të rrëfye të drejtën, se tani jam plak e sun hyj në gjynah. – i tha plaku kavajas.
-Të drejtën dhe të vërtetën, se këto kanë vlerë, – i tha historiani. Ai mendonte se kishte gjetur burimin me të besuar për të mbledhur informata të sakta. Sigurisht duhej çliruar nga subjektivizmat që në këto raste janë të kuptueshme.
-Një copë budalla ka qenë, -ia priti ish axhutanti, – dua të them i paditur, edhe unë që i rrija pas, po ashtu isha. Ku merrnim vesh na si luhej politika? Si na thoshin, ashtu banim. Po edhe zotrote që vjen e pyet për dy budallenj, njëlloj si ne je.
Një përgjigje të tillë s’e kishte pritur historian nga axhutanti.

(Dëgjuar prej Latif Nerjakut, më 6 qershor 1976.)

 

____________________

SHËNIM:
Isha kureshtar të mësoja si ruhej në kujtesën e kavajasve figura e Haxhi Qamilit, prandaj me të vajtur në Kavajë e solla bisedën shoqërore rreth tij. Kavaja është fare afër me Sharrën, vendlindjen e Haxhi Qamilit dhe ata kishin lidhje fqinjërie, krushqie e farefisnie midis tyre. Të moshuarit që e kishin njohur personalisht kishin mbresat e tyre, ndërsa më të rinjtë tregonin ato që kishin dëgjuar nga prindët e tyre, apo nga të afërmit. Një pasdite teksa kthehesha nga Divjaka, ku po kryeja procesin e “riedukimit” pas dramës së gabuar “Rrethimi i Bardhë, u kujtova se Harun Lazebeu më kishte ftuar disa herë t’i shkoja për vizitë. Me të u miqësuam familjarisht, ndërsa ishim me pushime në Pogradec. Sipas zakonit, Haruni ftoi disa të afërm të tij, kunatin Latif Nerjakun dhe Ibrahimin, për të nderuar mikun. Gjatë darkës e solla fjalën rreth Haxhi Qamilit dhe më erdhi mirë që ata e cilësuan ashtu sikurse ishte në të vërtetë: fanatik, turkoshak dhe njëheresh injorant.
Të tri episodet i hodha menjëherë në letër, dhe posa u ktheva në Tiranë, desha t’u rrëfeja shokëve të mi të Krijimtarisë Popullore. Ndodheshim për drekë te Trekëndshi pranë Kinema Partizanit. Drejtori, Janaq Toka, më ndërpreu: ”Po të jenë pozitive, tregoji, po të jenë ndryshe, lëri mënjanë, se shoku Enver sapo ka botuar një artikull ku e ngre lart figurën e tij”. Nuk ia vura veshin dhe episodet ua rrëfeva.
Të nesërmen e lexova artikullin dhe po vrisja mendjen të kuptoja cila qe arsyeja që Enver Hoxha po e ngrinte në panteonin e ikonave kombëtare figurën e diskredituat të Haxhi Qamilit. Me atë rast Enver Hoxha i mësonte historianët si duhet t’i trajtonin figurat historike. Qe disi e pakuptueshme dhe kundërthënëse që po rropatej të vinte në piedestal njeriun që i futi thikën pavarësisë dhe që luftoi me flamurin e Turqisë me parullën: “Duam Babën!” Pra Baba Sulltanin.
Genc Hoti sjell një shpjegim të arsyeshëm te gazeta 55, datë 19 nëntor 2008. Ai thotë: “ …Enver Hoxha mori përsipër të ndryshojë historinë e popullit shqiptar duke shpikur shtetin ilir, shtetin feudal, fillimet kapitaliste dhe sidomos lëvizjet fshatare si parakapitaliste dhe e ngriti Haxhi Qamilin nga një bandit universal, në një udhëheqës popullor”. Të gjitha këto me qëllim të justifikonte krijimin e partisë komuniste në një vend ku s’kishte jo proletarë, por as klasë punëtore. Enver Hoxha e kishte ndjerë me kohë përçmimin për partinë komuniste që kryesonte. Së pari, PKSH nuk e pranuan në Informbyro, që zuri vendin e Internacionales Komuniste pas lufte. Shqipëria ishte i vetmi shtet komunist që u la jashtë, një nëpërkëmbje e hapur nga partia “mëmë” bolshevike. Goditja tjetër i erdhi më 1948, kur diku u vendos që Partia Komuniste Shqiptare të quhej Parti e Punës. Komunistët shqiptarë varën turinjtë, por e pranuan pa bërë as gëk, as mëk, se besohej që sugjerimi vinte nga Stalini.
Haxhi Qamili nuk mund të vihet krahas Pugaçov-it, as Stjepan Razin-i, udhëheqës të kryengritjeve fshatare që tronditën fronin e Carit dhe Rusinë. Luftën kundër Esat Pashës e bëri pasi e urdhëroi Myftiu i Tiranës, i cili qe tutori dhe udhëheqës shpirtëror i Haxhi Qamilit.
Prof. Skender Luarasi, duke vizituar Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare , te ish ndertesa e Kuesturës në rrugën e Barrikadave, u indinjua kur pa në krye të sallës portretin e Haxhi Qamilit krahas Ismail Qemalit, plakut fisnik të Vlorës. Atëhere ai tha fjalët lapidare ironike: “Bukur! Bukur! Shumë bukur! Këtu e paskan vënë në krye të vendit si atë që ngriti Flamurin e Shqipërisë më 1912, si atë që e uli!”
Pas disa kohësh portreti i zymtë i Haxhi Qamilit nuk u pa më në atë sallë.

(1) Ujë me veti çudibërëse i sjellë nga Meka prej haxhilerëve. Besohej se ujët largonte xhindet nga shtëpia.