Tre filma nga Kosova fitojnë çmime në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Sarajevë, 20 gusht 2021 – Tre filma nga Kosova, që ishin në garë në Festivalin e Filmit në Sarajevë (SFF), kanë fituar çmime.

Çmimi “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë e fituan aktoret e filmit “Luaneshat e Kodrës”: Flaka Latifi, Era Balaj dhe Urata Shabani.

Çmimi për promovimin e barazisë gjinore iu dha Norika Sefës për filmin “Në kërkim të Venerës”. Ndërkaq, mirënjohja e veçantë e jurisë iu nda filmit “Pa vend” me regji nga Samir Karahoda.

Në ceremoninë solemne të festivalit, që u mbajt të enjten, më 19 gusht, në Teatrin e Sarajevës, çmimi për filmin më të mirë e fitoi “Great Freedom” nga Sebastian Meisea.

Çmimi për regjisorin më të mirë iu dha Millica Todoroviqit për filmin “Celts”.

“Zemra e Sarajevës” për aktorin më të mirë shkoi te Georg Friedrich për rolin e tij në filmin “Great Freedom”.

Çmimi special i jurisë për filmin dokumentar iu dha filmave “The same dream” me regji të Vlado Petri, si dhe filmit “Looking for horses” të Stefan Pavloviqit.

Ndërkaq, dokumentari më i mirë u zgjodh “Landscapes of Resistance” nga Marta Popivoda.

Çmimi për të Drejtat e Njeriut si pjesë e programit të dokumentareve iu dha Ahmet Nexhdet Çupur për veprën e tij “Les Enfants Terribles”.

Ndërkaq çmimi për filmin më të mirë studentor shkoi për filmin “Summer Planning” të Alexandru Mironescu dhe “Everything ahead” e Mate Ugrin u zgjodh filmi më i mirë i shkurtër.

Festivali i Filmit në Sarajevë është gara më e madhe e filmit në Ballkanin Perëndimor. Këtë vit, në këtë festival 18 filma kishin premierë botërore, tre ndërkombëtare ndërkombëtare, një evropiane, 24 rajonale dhe një boshnjake.

(REL)

One Response to “Tre filma nga Kosova fitojnë çmime në Festivalin e Filmit në Sarajevë”

Read below or add a comment...

  1. karadakliu says:

    Urime!per suksesin e filmave toane. Ne per sporte futboll e karate,arte muzike kengetare e filma, jemi ox,Po per “poltike e qeveritare”,as per mbrenda e as per jashte,nuk po na shkon, se jemi inatxhi mes vedi,jo me te huajt,dhe na pengon shemtia e percarjes mes vedi,e te hujt nuk na duan,se na kane kuptuar.

Comment

*