Tre shkencëtarë e fitojnë çmimin Nobel për kimi

Stokholm, 5 tertor 2022 – Tre shkencëtarë u nderuan të mërkurën me çmimin Nobel të këtij viti në kimi, për zbulimin e një mënyre për të “bashkuar molekulat” që mund të përdoret për të prodhuar ilaçe më të mira.

Amerikanët Carolyn R. Bertozzi dhe K. Barry Sharpless, dhe shkencëtari danez Morten Meldal u nderuan për punën e tyre në kiminë e bashkimit të molekulave me njëra-tjetrën dhe kiminë bio-ortogonale, që u referohet reaksioneve kimike brenda sistemeve të gjallesave.

Këto procese përdoren për të prodhuar ilaçe kundër kancerit, për të hartuar ADN-në dhe për të krijuar materiale, që janë të përshtatura posaçërisht për të arritur një objektiv të caktuar.

“Bëhet fjalë për procesin e bashkimit të molekulave,” tha Johan Aqvist, një anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, që shpalli fituesit të mërkurën në Institutin Karolinska në Stokholm të Suedisë.

81 vjeçari Sharpless, ka fituar çmimin Nobel edhe në vitin 2001, duke u bërë personi i pestë që e merr çmimin dy herë.

68 vjeçari Meldal i Universitetit të Kopenhagës në Danimarkë dhe zoti Sharpless, studiues në institucionin kërkimor Scripps në Kaliforni, zbuluan secili në mënyrë të pavarur molekulat e para të tilla që do të bashkoheshin lehtësisht me njëra-tjetrin, por jo me molekula të tjera, duke sjellë si rezultat përdorimin e këtij procesi në prodhimin e ilaçeve dhe polimereve, materiale që përbëhen nga molekula të mëdha, të quajtura makromolekula.

55 vjeçarja Bertozzi, në Universitetin Stanford të Kalifornisë, e ngriti këtë lloj procesi në “një nivel të ri,” tha Komiteti Nobel.

Ajo gjeti një mënyrë për ta bërë kiminë e mbërthimit të molekulave me njëra-tjetrën të funksionojë brenda organizmave të gjallë, pa i dëmtuar ato, duke krijuar një metodë të re të njohur si reaksione bio-ortogonale. Reaksione të tilla përdoren tani për të eksploruar qelizat, për të gjurmuar proceset biologjike dhe për të krijuar mjekime më preçize për sëmundje të tilla si kanceri.

“Përdorimi i proceseve kimike brenda pacientëve për t’u siguruar që ilaçet të shkojnë në vendin e duhur dhe të qëndrojnë larg pjesës së gabuar të trupit,” tha shkencëtarja Bertozzi.

Duke folur me telefon në një konferencë shtypi pas njoftimit, ajo tha se ishte “absolutisht e befasuar” nga marrja e çmimit.

“Ende nuk më besohet, por po bëhet më e vërtetë minutë pas minute,” tha ajo.

Zoti Meldal tha se mori një telefonatë nga komiteti i Nobelit rreth gjysmë ore para shpalljes së çmimit.

“Më thanë të mos i tregoja askujt. Kështu që u ula brenda zyrës sime dhe prita plot emocion,” i tha ai agjencisë Associated Press. “Është një nder i madh.”

(Zëri i Amerikës)