Tre të dyshuarit për vrasjen e trefishë në Gllogjan dalin sot para gjykatës

Prishtinë, 12 dhjetor 2021 – Tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, të cilët u arrestuan të shtunën, më 11 dhjetor, do të paraqiten në gjykatë të dielën, më 12 dhjetor.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, ka konfirmuar se tre të arrestuarit do të paraqiten në seancën dëgjimore, ku pritet t’u caktohet masa esigurisë paraburgim.

“Seanca dëgjimore për caktimin e paraburgim është caktuar të mbahet sot (12 dhjetor) në ora 16:00, në Gjykatën Themelore në Pejë”, ka thënë  ajo për RadionEvropa e Lirë.

Tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të Deçanit, më 26 nëntor, janë nga fshati Gllogjan.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, nuk e ka bërë publik identitetin e të arrestuarve dhe nuk ka dhënë detaje lidhur me arrestimin.

“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne, si Prokurori, zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, ka thënë Kurtmehaj.

Indeksonline, duke iu referuar burimeve të veta, raportoi se janë arrestuar Halil Mehmetaj bashkë me dy djemtë e tij, Malsor e Kreshnik Mehmetajn.

Motivi i sulmit ndaj autobusit në Gllogjan dyshohet të ketë lidhje me rastin e vetëvrasjes së 20-vjeçares Heroina Mehmetaj, nga i njëjti vend, e cila i kishte dhënë fund jetës së saj më 14 qershor të vitit të kaluar.

Burime të portalit Paparaci kanë thënë se shënjestër e sulmit të armatosur ishte shoferi i autobusit.

Në sulmin ndaj autobusit të kryer rreth orës 21 e 30, u vranë tre persona: shoferi i autobusit Gani Gjokaj dhe nxënësit Genta Mustafaj e Ledion Hamzaj nga Gllogjani.

(r.m.)